Botticelli dhe kërkimi i hyjnores nga Ilir Seci

…Tue kundrue ekspoziten - "Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores" - nji ekspozitë e hapun me 15 Prill 2017, në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, (Museum of Fine Arts, Boston).

0
276

…Tue kundrue ekspoziten – “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores” – nji ekspozitë e hapun me 15 Prill 2017, në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, (Museum of Fine Arts, Boston).

 

Stili i veçantë i mjeshtrit italian Sandro Botticelli, me figurat e zhdërvjellta plot jetë, që gjallnojnë ndër pëlhura, pat mbrritë me u ba simbol i Rilindjes Italiane dhe veprat e tij mbrritën me qenë nga ma të njoftunat në botë. Botticelli asht nji prej mjeshtrave që ka naltesue ma së shumti figuren e femnës në tanë artin figurativ botnor, prej Shën Mrisë së Virgjën e deri te Venusi, në tanë artin e tij, femna asht përjetësue si mishnim i Hireve, Finesës, Elegancës dhe Bukurisë. Mjeshtri Sandro Botticelli, që ka pasë si mecenë, (mbrojtës dhe perkrahes), familjen e fuqishme Mediçi, ka qenë i njoftun në pjesën ma të madhe jetës së tij, me perjashtim të vjetëve të mbrame të jetës, kohe kur pat lanë përgjysë, pa përfundue disa nga pikturat e tij, nji fazë kjo mjaft dramatike e jetës së tij. Deri në vjetet e mbrame, Mjeshtri krijoi pandërpremje, krijoi imazhet e Zojës së Shenjtë, imazhet e miteve te lashtesisë ku gjithëherë dolën në spikamë figurat e prajshme të realizueme prej tij, figura engjellore qe kajherë jane në kontrast te plote me kohën e trazueme në të cilën u pikturuen, në kontrast me vuejtjet e perditshme të vetë autorit.

Virgjnesha dhe Fëmija me Shën Gjon Pagëzorin

-“Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores” – asht nji ekspozitë e hapun në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, (Museum of Fine Arts Boston), nji ekspozite që shpërfaq pikerisht ndryshimet në stilin krijues te gjigandit rilindas, Sandro Botticellit, ekspozite ku shperfaqet ajo landë krijuese e nxjerrun në pahun e kontekstit te ndryshimeve socio-politike që ndodhen në Firence gjatë kohës së tij, ngjarje që gati e paten fshi e zhduke përgjithmonë edhe vete krijimtarine e këtij mjeshtri gjigand.

Zgjedhja e Parisit
Nji gja interesante lidhun me këtë ekspozite asht se, pamvarësisht nga fama e madhe e piktorit, kjo asht ekspozita e parë e madhe e veprës së Botiçelit realizue në Shtetet e Bashkueme te Amerikës. “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores – asht nji ekspozite që mblodhi bashkë 15 piktura nga Sandro Botiçeli, marrun me hua nga e famshmja “Galleria degli Uffizi”, në Firence, nga disa kisha dhe muzeume në Itali si dhe nga muzeume tjera si, Muzeu Isabella Stewart Gardner dhe Muzeu i Artit të Harvardit.
Minerva dhe Centauri
Ne ekspozite paraqitej edhe nji version i Venusit të famshëm të Botticellit, realizue diku nga vjetet 1484-1490, veper kjo e marrun hua nga Galleria Sabauda e Torinos, veper që ekspozohet për herë të parë në Shtetet e Bashkueme. Ne këtë kryeveper asht paraqite njani nga dy versionet e vetme ekzistuese të Venusit që Botticelli ka pikturue mbas kryevepres “Lindja e Venusit” (1486), e cila gjindet në Firence ne Galerine Uffizi. Piktura e Venusit e ekspozueme në Muzeun e Arteve te Bukura ne Boston paraqet Venusin te vetme, tue qendrue në të famshmen “contrapposto pose” të njoftun prej Artit Italian ku figurat jepen të hepueme pse peshen kryesore te trupin e kanë lshue mbi njanen kambë. Perendesha asht e qete, medituese, me flokët e gjata të mbledhuna që lshohen mbas shpine dhe i mbrrijne deri nën brez. Kjo asht poza e paraqitun te “Lindja e Venusit” nji kryeveper e Botticellit e realizueme në kulmin e karrierës së tij, mendohet se ka qenë porosite nga familja Medici si nji dhuratë martese, sepse në atë kohë, pikturat e Botticellit me teme mitologjike, me figura perendish të zhveshuna ishin shumë të kërkueme.
                                                                               Venusi
Ma vonë në jetë, mjeshtri i kapluem nga devocioni fetar i pat denoncoue bash keto vepra si “Pagane” dhe disa studiues mendojne se edhe mund ti ketë shkatërrue shumë prej ketyne pikturave të tij me subjekte pagane.
Madona e Librit
Botticelli leu në Firence në vjeten 1445 dhe studioi nën drejtimin e mjeshtrit Fra Filippo Lippi. Botticelli vjen në kohën e kulmit të Rilindjes, tue kene bashkëkohës me Pietro Perugino, Domenico Ghirlandaio, Filippino Lippi, (djali i Fra Filippo-s), Cosimo Rosselli, Andrea del Verrocchio dhe Leonardo da Vinci. Botticelli pat gezue patronazhin e Familjes Medici, fale perkrahjes se tyne në mesin e viteve 1480 Botticelli edhe pat pikturue nji cikël afreskesh për Kapelën Sistine.
Virgjnesha me Femijen dhe Shen Gjon pagezori i ri
Mirepo fati i Botticellit ndrroi kur Familja e fuqishme Mediçi u perzu prej Firences dhe sekti fetar apokaliptik i Fra Girolamo Savonarolas mori kontrollin e qytetit. Savonarola si dihet ishte mbështetës i nji vizioni puritanik të shoqnisë dhe profetizoi ardhjen e nji përmbytje të madhe biblike në kjofte se njerëzit nuk e shpëtonin veten nga tana mëkatet laike si dhe nga jeta me lukse te teperta.
Lindja e Krishtit
Asht kjo kohe kur Botticelli bjen nën ndikimin e Savonarola-s dhe bahet pasues i zjarrtë i tij duke braktise punimet me tematike mitologjike. Në fakt si shkruejne disa studiues, na kurrë nuk kena me e ditë saktesisht se çfarë kryeveprash si “Lindja e Venusit’”, mund të kenë perfundue në flake në këtë faze të jetës së Mjeshtrit. Ekspozita “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores”, difton bash njato ndryshimet në stilin e piktorit, mbasi ai pat hjeke dorë nga menyrat e tij tokësore të pasqyrimit në art dhe nisi te perfshihet me zell ne pasqyrimin e temave fetare. Nji nga subjektet ma të preferueme të Botticellit ka kene, “Virgjnesha dhe Fëmija”, që asht e paraqitun në këtë ekspozite.
Virgjëresha dhe Fëmia
Përdëllimin e tij fetar, mjeshtri ma se ploti e ka paraqite në punimin “Kryqëzimi Mystik”,(realizue rreth vitit 1500, pikture e marrun hua nga nga Muzeu i Arteve të Harvardit), veper ku theksohet nji ndjenjë krejt e ndryshme nga fryma e fillimeve, ma e errët, tue diftue me nota apokaliptike në pikture mesimet e Savonarolas të vitit 1498, mbi permbytjen biblike.
Kryqzimi mistik
Krishti i kryqëzuem, ka ne sfond nji re të zezë tymi që ngrihet e errët mbi qytetin e Firences, nji kumt i qarte mbi mëkatarët e zhytun ne mëkate. Studiuesit kanë shkrue se në vjetet e fundit të jetës, Botticelli rrnoi në nji vorfni ekstreme. Sikur mos të ishin përkujdesun Mediçet per të, shkruejne disa studiues, mjeshtri do kishte vdekun urie. Mbas vdekjes se Mjeshtrit me 1510, punimet e Botticellit u harruen dhe ky mjeshter gjigand nuk u rizbulue deri në shekullin e 19-të, kohë kur u zbulue nga mjeshtrat Dante Gabriel Rossetti dhe John Everett Millais, të cilët u mahniten nga arti i tij. Mbas shekullit të njizetë emni dhe fama e Botticellit mbrriten aty ku u takonte, aq sa midis viteve 1900 dhe 1920, per mjeshtrin Botticelli jane shkrue ma shume libra se per çdo piktor tjetër.
Ilustrime nga Botticelli ne vepren “Komedia Hyjnore”
Emni i mjeshtrit
Ekspozita “Botticelli dhe Kërkimi i Hyjnores”, që asht çilë me 15 Prill 2017 në Muzeun e Arteve të Bukura në Boston, ka me qenë e hapun deri më 9 korrik 2017.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.