Histori kurr e shkrueme – nga At Zef Pllumi

0
515

Shkruan At Zef Pllumi:

“Kush nuk lëvdon vedin, iu djegtë kasollja”, thotë populli. Kështu mue më duket se kontributin mâ të madh për kulturën shqiptare e ka dhanë kleri katolik, megjithëse numerikisht mâ i vogli. Arsyeja âsht se në përgjithësi populli ynë gjatë shekujsh nuk ka hangër bukë me dije. Shkolla e njerëzit e shkolluem ishin tepër të paktë, përveç klerit katolik, kështu që kontributi i këtij kleri pothuej zotnoi kulturën shqiptare, mbasi që në ditët e para të shkrimit të shqipes patën si moto: “n së dashunit së botësë sanë”, si e thotë Buzuku. Mirëpo, kur vjen puna me u paraqitë kombi ynë para botës, bota nuk pvesin sa dhen e dhí ke, por sa shkollë ke. Dhe shohim se ndër momentet mâ kritike të historisë së Shqipnisë së ré del figura e nji kleriku. Në 1912 mbas Ismail Qemalit âsht figura e Dom Nikollë Kaçorrit. Në Konferencën e Paqes në Paris popullin shqiptár e përfaqëson Imzot Luigj Bumçi edhe e mbron aq me forcë e dinjitet, sa siç e kam ndigjue vetë me veshët e mi tue na tregue, kur duel prej mbledhjes, iu avit përfaqësuesi serb i Pashiqit e i tha: “ Si nuk ke marre ti, ipeshkëv katolik, me nji pllambë kryq në gjoks, vjen e deklaron këtu para botës se jeni vllazën me muslimanët, armiqtë e fesë e të përparimit!” Nuk ishte punë feje e përparimi, por ishte synimi serb për nji perandori të madhe të Sllavëve të Jugut. Projektet pansllaviste që farkëtoheshin në Moskë e Beograd kishin gjetë mâ të madhen pengesë këtu në Shqipní te kleri katolik, i cili ishte i vetmi zâ që mund ndigjohej ndër qarqet e Europës Perëndimore, ku vendosej fati i kombeve. Prandaj Tito dhe Stalini i thanë Enver Hoxhës: Në daç pushtetin në Shqipní, do të na bâjsh kurban klerin katolik. Kjo âsht historia e vërtetë, ajo kurrë e shkrueme. Enver Hoxha donte mâ shumë pushtetin e vet se sa Shqipninë. Holokaust qe kleri katolik shqiptár antijugosllav.
Át Zef Pllumi., Ut heri dicebamus… Siç thonim dje… Përmbledhje shkrimesh publicistike (Historí kurrë e shkrueme), Botmet Françeskane, Shkodër, 2017. (Në proces botimi)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.