Një roman që denoncon hipokrizinë në shumë nivele

0
537

Me romanin e ri “Ligji i maskave”, Mark Lucgjonaj, i cili jeton në Tuz të Malit të Zi, sjell një tjetër botim në gjininë e prozës, pas romanit të parë të botuar në Tiranë para dy vjetësh nën titullin “Fshati i heshtjes”. Me një mënyrë të eksperimentuari të guximshme, në laboratorin e tij krijues realiteti merr një tjetër dimension dhe zhvishet plotësisht para një shoqërie të nënshtruar ndaj rregullave dhe ligjeve absurde. Stili tërheqës i autorit bën që lexuesi të jetë i përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave, jo vetëm duke ia shtuar kureshtinë për të zbuluar atë çfarë ndodh, por edhe për t’i nxitur impenjimin për të lexuar mes rreshtave. Në mënyrën e të shprehurit, të duket sikur gjithçka duhet nënkuptuar nën pëlhurën e thjeshtësisë, por kjo gjuhë e t shprehurit krijon një metaforë, duke bërë që teksti letrar të jetë i ngjeshur, polisemantik, përmes një gjuhe të përpunuar me kujdes, plot bukuri e qartësi.

Në romanin “Ligji i maskave” kemi një rrëfim në vetën e tretë dhe të parë, ku autori herë hyn në rrjedhën e ngjarjeve, herë distancohet duke i lënë personazhet t tregojnë gjithçka përmes veprimeve, situatave dhe bisedave. Nga njëra anë është monologu si pasqyrim i reflektimit të personazhit, nga ana tjetër dialogu si mënyrë e përballje mes tyre. Kështu, fabula bëhet edhe më interesante për lexuesin duke zbuluar labirintet në të cilat futet ai dhe provokacioni që e shoqëron vazhdimisht. Në qendër të veprës autori ka vendosur një realitet kaotik; sa politik, shoqëror dhe fetar. Një organizatë e fshehtë prej gati 50 vjetësh vepron në këtë fshat-qytet, duke përfshirë njerëz që as imagjinata njerëzore s’mund t’i perceptojë. Shtabi i kësaj shoqate arrin të hartojë ligje për tu maskuar përballë çdo gjëje, madje edhe ndaj së vërtetës, ndaj vlerave morale dhe njerëzore, duke cenuar lirinë e fjalës, të mendimit, të një jete të qetë e të pa trazuar.

Protagonisti i veprës, Aleksandri, një individ i dhunuar psikologjikisht, gjendet i frustruar nga çdo gjë dhe çdokush. Autori e sprovon personazhin përmes shumë situatave, të cilat janë të përditshme; thashetheme, intriga, vogëlsira, janë tejet stresuese dhe të lodhshme, por ai tregohet i qetë, i duruar, por edhe i habitur. Përmes tij, autori Mark Lucgjonaj, shpreh një revoltë të brendshme. Aleksandri gjithnjë përballet me të atin, nuk bien dakord për shumë gjëra sepse i takojnë dy botëve dhe misioneve të ndryshme. Ai duhet t’i nënshtrohet rregullave të hartuara nga një këshillë i përbërë nga 12 anëtarë dhe anëtarësimi i ti e shpie forumin sekret në numrin simbolik 13. Aleksandri është i shokuar nga që duhet të zbatojë rregullat si vendosja e maskave në çdo dalje publike! Madje, një i moshuar, ditën që vdes, vendos maskë për herë të parë dhe personazhi kryesorë do të duhet të mbajë fjalim, ashtu siç i ka hije për të nderuar Të Parët. Me një qellim të mirëmenduar, dhe në mënyrë simbolike, autori jep në fund të romanit shkatërrimin e fshatit përmes një projekti të miratuar dhe nga Këshilli, duke përshkruar fadromat që kthejnë qendrën e vjetër në gërmadhë dhe gurishte. Por asnjëherë në mendjen e protagonistit të romanit nuk i shkonte ndërmend që aty mbartej një shekull plot mistere, sekrete të Të Parëve dhe vetë ai do të bëhej përçuesi i amanetit dhe do merrte përsipër një sekret të tillë për ta trashëguar tek brezat e tjerë akoma më besnik, falë lidhjeve të Aleksandrit me Kolën, një plak i moçëm dhe i mençur.

Baulen e ruajtur ndër shekuj, plaku do ia besonte pikërisht Aleksandrit. Por a nuk përbën kjo një disfatë të tij në këtë vend, në këtë shoqëri të kalbur nga hipokrizia, djallëzia, nga pasuria e padrejtë?

I vetmi shpëtim është përsëritja e fjalëve të psikologut: “Unë mundem, unë jam i fortë, unë dua” , por kjo sa për të larguar frikën, asgjë më shumë. Ndërsa shpresa e vetme është largimi përfundimtar nga ky vend megjithëse në kërkim të lirisë jashtë vendit, përsëri diçka jehonte fort: “ Ti duhet të ringresh shtëpinë, ti duhet të zbusësh inatet brenda lagjes, ti do të jesh ai që do të kthesh kalldrëmin dhe historinë e Të Parëve” : Janë këto fjalët e të atit që befasojnë Aleksandrin me një mesazh të fortë dhe për lexuesin: “Lufto aty, ku je, me at çfarë ke, por asnjëherë mos ik nga fushëbeteja jote sepse vetëm atë terren e njeh më së miri dh vetëm aty mund të dalësh fitimtarë”.

Çdo lexuesi i sugjeroj ta lexoj këtë libër dhe të bashkë-udhëtojë me krijimet artistike të këtij autori sepse do të mbetet i shpërblyer me vlerat estetike dhe letrare. Për mua është kënaqësi që jam kujdesur për romanet “Fshati i Heshtjes” dhe tani “Ligji i maskave” dhe në vazhdim për veprën tjetër që do të sjellë shumë shpejt autori Mark Lucgjonaj.

I uroj autorit shumë suksese dhe lexim të këndshëm lexuesit!

  • Lori Kola, Lezhë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.