Përurimi i Veprës së Mid’hat Frashërit

0
570

U përurua dje Vepra I e Mid’hat Frashërit (Vepra të zgjedhura). Kjo vepër është pjesë e një kolane prej 12 vëllimesh, ku përfshihen veprat e zgjedhura të tij. Botimi i Veprës I u financua nga z. Agron Shehaj, bashkëthemelues i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”. Vizioni i tij është sot i aksesueshëm lehtësisht pas botimit të Veprës Madhore të tij nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.
Në këtë vëllim ka dokumenta të publikuara për herë të parë. Janë dokumenta të cilat ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në arkivat e tjera të Londrës, të Gjenevës, të Romës e të Stambollit. Në libër lexuesit do të gjejnë për herë të parë gjithashtu procesverbalin e “Kongresit të Manastirit”. Drejtori i Institutit z. Uran Butka theksoi se Mid’hat Frashëri ka qenë gjithë jetën shërbëtor i Shqipërisë dhe veprat e tij ia shogroi kombit me dituri dhe përulësi shenjtori, pa bujë dhe pa u ndjerë fare, gati-gati anonime, ndonëse në fakt një figurë me përmasa evropiane.


“Unë mendoj që kjo vepër do të na sjellë Mid’hat Frashërin si udhëheqësin, themeluesin e njërës prej rrymave kryesore, nacionalizmit demokratik shqiptar”, tha historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë.
Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit tha, “Faik Konica e shpallte Lumo Skëndon si më eruditin dhe më të kulturuarin mes eruditëve të rinj”.
I përcaktuar si një parashikues gjenial, por edhe model i kulturës shqipe, aq sa edhe një politikan që nuk ka patur kurrë dyshim në identitetin e tij dhe dëshirën për investim perëndimor në Shqipëri.
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Z. Afrim Krasniqi tha, “Problemet që ngre Mid’hat Frashëri dhe Shqipëria që ai përshkruante në atë kohë kanë ndryshuar shumë pak. Nëpërmjet kësaj vepre edhe të rinjtë do të njohin anëtarin e një nga familjeve të fundit fisnike që i ka ngelur Shqipërisë”.

“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”. (Mid’hat Frashëri)

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”
9.06.2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.