Dhe ky i përket shkrimtarit, poetit, përkthyesit ende të panjohur priftit Jak Zeka.
Njeriu që lindi e u rrit jetim, punoi gjithë jetën i rrethuar nga privacionet e shumta, e së fundmi vdiq si në hije, quhet Jak Zekaj. Jak Zekaj nuk bën pjesë në turmat shumta të njerëzve që janë udhetare te zakonshem në këtë botë. Përkundrazi, ai bën pjesë në atë grup njerëzish që erdhën në këtë botë për të qenë “dikushi”, për të qenë shembëlltyra e së mirës, e prosperitetit. Në gjallje gjithkush e ka njohur dom Jakun. Tashmë që ai prehet në parajsë opinioni ka filluar ta njohë si shkrimtarin, përkthyesin, poetin, piktorin Jak Zekaj.

Kush ishte Jak Zekaj!

Jak Zekaj lindi në fshatin Baqël të Zadrimës më 13 korrik 1906. ishte i dhjeti fëmijë i çiftit Prend e Dilë Nikolli dhe i vetmi që jetoi. Në moshën 20 muajshe i vdes e ëma, duke ju privuar përgjithmonë dora e saj. Mëson shkrim e këndim tek Ipeshkëvi në Nenshat. Në moshën 11 vjeçare, pikërisht në vitin 1917 futet në Seminarin Papnuer në Shkodër. Të 5 klasat e para, falë inteligjencës së lartë, dhuratë prej natyrës, i përfundon në 3 vjet. Më pas vazhdon gjimnazin, liceun dhe teologjinë. Në gusht të vitit 1932 dha meshën e parë në Nenshat, në zemër të dioqezit të Sapës. Në shugurimin e tij si meshtar, i dërguar i Selisë së Shejtë ishte Gjon della Pietra, personalitet i dëgjuar i kohës. Vitet e shkollës dëshmuan, zgjuarsinë, talentin dhe vullnetin e Jak Zekajt për të mësuar e për t’u bërë njeri i zoti. Libri nuk mungoi asnjëherë këtij njeriu, ndoshta buka po. Për këtë arsye ndonëse ishte nxënës, shpeshherë ishte dhe “shok” i profesorëve gjermanë, austriakë apo italianë që e mësonin. Por afër e mbante edhe mësuesi shqiptar Gjergj Fishta. Jo thjeshtë se ata, që të dy vinin nga Zadrima, por sepse i bashkonte horizonti dhe vështrimi me të cilin rroknin hapësirat e jetës.

Jak Zekaj zotëronte në mënyrë perfekte italishten, latinishten, greqishte e vjetër, gjermanishten, frëngjishten, por njihte edhe serbokroatishten, ebraishten, spanjishten, pak njihte edhe rusishten e anglishten.
Ja çfarë shkruan dom Jaku: “Jam tepër i dhanun mbas literaturës, sidomos poetike, e gadi si i marrë entusiazmohem në leximin e klasikëve greko-romakë, edhe të poetëve të tjerë botnorë. Mundohem me krijue vjersha jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të tjera. Zotnoj fare mirë literaturën greke, latine e italiane, por kam njoftuni bukur të hapët edhe për leteraturë të kombeve të tjerë sidomos europianë, aq sa profesorët dhe shokët më thërrasin letrari enciklopedik, nodshta për tallje. (Nga dorëshkrimi, “Ditari i një të harruemit”).

Në periudhën gusht-dhjetor 1932 punon në ambasadën e Vatikanit. Ne vitin 1932 perkthen nga autori gjerman Bernard Arens Djali i Myftise ( me nr.inventari 000202813,127 faqe).
Po në këtë vit emërohet meshtar në Kryezi të Pukës, e pas 6 vjetësh në Qelëz deri në vitin 1946. Plot 14 vjet Zekaj i kalon në malet e Pukës, kohë gjatë së cilës ai shpërndan fjalën e Zotit, lajmëron të vërtetat hyjnore, por edhe shkruan libra. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ka dalë nga mendja, zemra dhe dora e Jak Zekaj, ndoshta dhe kryevepra e tij “Java e gjakut” me 1864 faqe dorëshkrim, me rreth 42000 vargje. Kjo vepër e themi me bindje se përbën dhe “Lahutën…” e Jak Zekajt.

Jeta e malësorëve në malet e Pukës, madje shumë primitive, por fisnike, peisazhet hollivudiane të maleve të kësaj zone, me siguri kanë frymëzuar priftin shkrimtar për të krijuar vlera e përgjithësime të dobishme për njerëzimin. Krahas kësaj klima e vështirë i dhuroi fizikut të dom Jakut trupin e drejtë e të shëndetshëm dhe që nga ajo kohë ai çdo mëngjes lante kokën me ujë të ftohtë.

Si për të gjithë klerikët edhe për Zekajn rregjimi komunist i rezervoi heqje të lirisë. Në muajt fundit të vitit 1946 ,pikerisht me 26 tetor, rregjimi komunist duke provokuar me te ashtuquajturen Organizim te armatosur te klerit kataolik ,me futjen nga ana e sigurimsave të armëve, në Kishën katedrale “Shen Shtjefni” te Shkodres, si dhe për organizim të kryengritjes së armatosur të Postribës më 9 shtator 1946, zhvilloi nje vale arrestimesh vetem te klerikeve katolik ku u arrestuan: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca, At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.

Sipas autorit te nderuar Fritz Radovani, në Shkodër numëroheshin 10 burgje, ndërsa sipas funizuesit të bukës duhet të ishin 17. Ishin kthyer në burgje Kuvendi i Franceskanëve, ndërtesa e Jezuitëve, shtëpitë e tregtarëve, i Prelës, i Pogut, i Ulqinakut përvec burgjeve të njohur si Burgu i Madh, Burgu i Gestapos, Burgu i Prefekturës etj ”Ishim shumë të dënuar me vdekje në një dhomë, dëshmon Rakip Meta. Ja lista: 1. Hafiz Dërguti (pushkatuar),2. Ëngjëll Deda,3. Rrok Mirashi 4. Mikel Koliqi,5. Mark Hasi,6. Ndue Suma,7. Mark Harapi 8. Karlo Serreqi,9. Agostin Ashiku,10. Marjan Prela,11. Aleks Baqli,12. Zef Pllumi,13. Filip Mazreku,14. Frano Kiri,15. Anton Luli,16. Gaspër Suma,17. Injac Gjoka,18. Jak Zekaj,19. Lekë Dredhaj,20. Ciril Cani,21. Mëhill Cani,22. Bonat Gjecaj,23. Toëm Laca,24. Nikollë Shelqeti,25. Gjon Karma,26. Mëhill Karaj, 27. Donad Kurti,28. Leon Kabashi,29. Pjetër Gruda,30. Pal Dedaj Qellimi ishte i qarte;asgjesimi i mendjeve me te ndritura qe mund te ndriconin arsyen e njerzeve te thjeshte se ku po i conte “fara komuniste” dhe ku realisht i coi per pesedhjete vjet ne diktaturen me te eger ne Europen e pasluftes. Pasi arrestohet, burgoset dhe dënohet me dy vjet burg.

Akuza: agjitacion dhe propagandë. Pikëpamjet dhe qëndrimet e hapura publike të Jak Zekës nuk shkonin në të njëjtin krah me ato të udhëheqësve komunistë. Vetëm burgu shikohej si mundësi për t’i mbyllur gojën atij dhe mijëra të tjerëve që ja vinin veshin fjalës së urtë të Zekës. Edhe jeta e burgut në Kavajë dhe në Shkodër i ofroi subjekte për poezi e tregime, e mundësi për të përkthyer kolosë të letërsisë botërore.
Me daljen nga burgu, ai kthehet si meshtar, në Zadrimën e tij të dashur që e kishte lindur. Shërbeu në Nenshat , Hajmel, Baqel, Kodhel, Shelqet, Naraç, Pistull etj., deri më 19 mars 1967, ditë në të cilën largohet nga famullia e Hajmelit pas mbylljes inkuizioiniste nga “populli” të objekteve fetare.

Ikjen e kujtonte me mjaft dhimbje. Mbi të gjitha për librat e shumtë që u keqpërdorën dhe humbën gjatë transportit, edhe për të tjerë që u morën nga oganet e sigurimit dhe nuk u kthyen më. Në “karvanin” që e shoqëronin këtë ikje, bënin pjesë dy qerre vetëm me libra. Një arkë nusesh zadrimore u “varros” për t’u zhvarrosur pas pak muajsh për shkak të rrezikut të persekutimit komunist. Të gjitha këto vetëm me libra, fjalorë, fletore të shkruara, piktura, përkthime, etj.

“Unë gjamtar i lanun vetëm, fillova gjamën përmbi therrorët e këputuna prej duerve të tiranëve…e kjo gjamë e përzieme me lotët e mi, kullue mbi kufomë të grumbullueme e mbi gjak të ngrimë, asht operacioni për të cilin ka nevojë shoqnija njerëzore… tue ndie vajin e fëmive që të unshëm lypin bukën e s’ka kush jua nep, e, tue pa lotët e tue ndi ofshamat e nanave të shkreta e dënesat e gocave të shtyeme në poshtërim prej nevojave të jetës… qita britmën e zani em i namët kje lutë, drejtue Hyjnisë, që ta sillte shikimin mbi këto zaje… e të lëshonte rrfenat e veta mbi dhunuesit e të drejtave njëzore…”

Ky pasazh është mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin e shkrimtarit-prift.
Nga viti 1967 deri më 5 dhjetor 1996 kur vdiq, Jak Zekaj, jetoi i “atashuar” pranë nipave, gjatë kësaj kohe vazhdoi të kryente ritet fetare dhe të shkruajë e përkthejë. Për 28 vjet me radhë Jak Zekaj nuk e kaloi kurrë portën e oborrit. I zhytur në vetmi, ai lutej dhe shkruante, madje ai ka shkruar e kënduar për “E lumja vetmi”.

Midis autorëve të përkthyer mund të përmendim: Eskili, Sofokli, Euripidi, Theokriti, Vitorio Alfieri, Ugo Faskola, Hajne, Shekspir, Herodoti, Rousessau, Plutarku, Virgili, Ciceroni, Tomas Hobs, Charl Monteskje, Xhulio Ubertozzi, Volteri, Seneco, Dante Aligieri, etj., etj. Ja ky është Jak Zekaj, autori i mbi 90 mijë vargjve që pret ende të futet në botën e lexuesit, aq të etur për vlera të mirëfillta, larg tregtisë e boshllëkut, të vlerave letrare.

Në atë ditë të ftohtë, të vranët, të 5 dhjetor it ’96 kur po përcillej për në parajsë, trupi i pajetë i dom Jak Zekës, pak kush e dinte që po shoqëronte shkrimtarin, përkthyesin, njeriun e letrave shqipe. Ai tashmë duhet “zbardhur” falë dorëshkrimeve të shumta që ka lënë si trashëgimi, e që ruhen me kujdes nga nipi i tij Pal Zeka. Ndoshta pas librit poetik të Jak Zekës “Vandaku i ferrave” që tashmë ndodhet në duart e lexuesve, edhe libra të tjerë, me zemërgjerësinë e sponsorëve do të shohin dritën e botimit.

Ndihesh keq kur ke përpara gjithato vlera dhe për shkak të pamundësisë financiare mbeten ende në sirtare.

Libra në dorëshkrim të Jak Zekës

1.Java e gjakut – tragjedi (në tri pjesë), 1864 faqe me 42000 vargje
2.Ngushëllimet e vetmisë – vepër me 1064 faqe me përkthime, tregime të shkurtëra, poezi.
3.Ndër mrize ilire, poezi 212 faqe me 4000 vargje.
4.Andrrat e rinisë, poezi 430 faqe me 6450 vargje.
5.Varret e zemrës, poezi 502 faqe me 7500 vargje.
6.Gjamë disprimi, poezi 718 faqe me 10800 vargje.
7.Kapuçat, parodi 120 faqe me 2000 vargje.
8.Zogu i Parë – mbret i shqiptarëve, parodi 872 faqe me 17000 vargje.
9.Ditar i çuditshëm, roman psikologjik me 430 faqe.
10.Ish kapteri Vokrri, roman 352 faqe.

Por vetëm për njohje po botojme një esse filozofike me titull “Tash”.

Mark Preçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.