Lufta kundër katolicizmit, në nenin 9, mbi martesat e përziera në mes të katolikëve dhe pravosllavëve ortodoksë thuhet: “Në rast se gjendet një gjysmë besimtar që është martuar fshehurazi me një grua të krishterë [ortodoks], ai mund të pagëzohet në ortodoks; në qoftë se nuk pranon të pagëzohet në ortodoks, t’i merret [largohet] gruaja, fëmijët e shtëpia, kurse ai të dëbohet”.

Shkruan: Gjon Berisha, Prishtinë

Pas rënies së viseve të Kosovës dhe Maqedonisë nën sundimin dinastisë nemanjide, mbi ta filloi një proces i vazhdueshëm i shtypjes dhe diskriminimit nga sundimtarët serbë. Kjo politikë u bë shumë aktive pikërisht në kohën kur mbretëria serbe po kapte majat e fuqisë së saj, në fund të shekullit XIII dhe gjysmën e parë të shekullit XIV. Pas pavarësimit të kishës serbe, më 1219, që ishte e mbështetur fuqimisht nga mbretërit serbë, ajo iu përvesh punës për asimilimin fetaro-kulturor të popullsisë arbërore nëpërmjet konvertimit të dhunshëm të saj në ortodoksinë serbe.

Ndërtimi i një politike të posaçme, që synonte në një zgjidhje radikale të problemit të katolicizmit e, në përgjithësi, të distancës fetare në mbretërinë e Rashës, lidhej me emrat e mbretërve të fundit të dinastisë nemanjide, veçanërisht me ato të Stefan Uroshit II (1282-1321) dhe Stefan Dushanit (1331-1355), politikë e cila kulmoi me Kodin (Zakonikun) e Dushanit. Ndjekjet dhe largimi i klerit bizantin, që ishte bërë me rastin e shpalljes së Kishës Autoqefale Serbe më 1219, ashtu dhe me rastin e vetëshpalljes së Patrikanës Serbe dhe kurorëzimin e Dushanit si “mbret i serbëve dhe i romejëve”, më 1346 u orientua edhe kundër ritit katolik. Tani katolicizmit në perandorinë e tij i shpalli luftë të hapur, të institucionalizuar edhe përmes Kodit të tij, i cili ritin katolik e kategorizonte si “herezi latine”. Kjo bëri që marrëdhëniet, relativisht të mira, mes Kishës Katolike dhe serbëve erdhën në një fund. Kjo luftë do të drejtohet në mënyrë të veçantë kundër arbërorëve katolikë në pjesën kontinentale të shtetit të Rashës, përkatësisht në hapësirën e Kosovës së sotme, duke mos i kursyer edhe ata të viseve tjera arbërore. Kodi i Dushanit, i cili u promovua për herë të parë në Shkup të maj të vitit 1349, përmbante nene të ashpra kundër “herezisë latine”, siç konsideroheshin praktikuesit e ritit romano-katolik (Соловјев, Законик цара Стефана Душана, 3).
Këtu është me rëndësi të vihet në dukje se, edhe pse Dushani (si paraardhësit e tij), mundohej të paraqitej më miqësor se të tjerët, duke u shprehur i gatshëm për të respektuar të drejtat e katolikëve, të huaj (Kodi vinte në dukje privilegje të veçanta të komuniteteve të huaja të tilla si tregtarët raguzanë e sasë që banonin në mbretërinë e tij – neni 10.), kodi i tij nuk ishte i favorshëm për Kishën Katolike dhe katolikët vendas. Ky kod i ligjeve ishte një aparaturë normative, e cila duhej të aplikohej jo vetëm në mbretërinë e Rashës, por edhe në territoret e pushtuara të Maqedonisë, Thesalisë, Epirit, dhe Arbërisë. Megjithatë, persekutimi fetar i popullatës katolike në territoret e lartpërmendura, të tilla si konfiskimi i pasurisë, dëbimi, gjymtim fizik deri në vdekje, nuk ishin një fenomen që ka filluar pas vitit 1349, por ato ishin të vazhdueshme, të paktën që nga fillimi i shekulli i katërmbëdhjetë, siç dëshmohet në mënyrë të veçantë në letrat e Selisë së Shenjtë dërguar mbretit serb Stefan Uroshit II më 1 prill 1308 (Theiner, Monumenta Slavorum I, dok.181); teksti që ka të bëjë me Rashën, që përmban në Përshkrimin e Evropës Lindore, të hartuar nga autor anonim, po ashtu në vitin 1308 (Anonymi Descriptio Europae Orientali, 3, 10, 14, 19, 30, 36) sjell të dhëna që na ofron Gullielm Adae në lidhje me gjendjen e katolikëve në kuadër të mbretërisë së Rashës në vitin 1332 etj. (Brocardus, “Directorium ad passagium faciendum”, 365-517). Në mënyrë të veçantë kundër katolikëve bëhej fjalë në nenet 6, 7, 8, 9 dhe 10, ku midis tjerash shkruhej: “Sa i përket herezisë latine, të krishterët të cilët e kanë pranuar azimin, duhej të ktheheshin përsëri në të krishterë. Në qoftë se ndodhet dikush që nuk dëgjon dhe nuk rikthehet në të krishterë [ortodoks], të ndëshkohet siç është shkruar në ligjet e Etërve të shenjtë” [neni 6] (Новаковић, Законик Стефана Душана,11). Kjo dispozitë në mënyrë të qartë pasqyron armiqësinë e madhe që kishte riti pravosllavë ndaj Kishës Katolike. Kisha ortodokse pravosllave, duke e konsideruar ritin e tyre si “mësim i vërtetë apo i drejtë”, në të gjitha nenet në vijim (nenet, 7, 10, 21), nocionin “i krishterë”, në Kodin e Dushanit, e përdorë vetëm për ortodoksët e kishës pravosllave, kurse emri i përbashkët i ritit katolikë për ortodoksët do të jetë “skizmatik” dhe “heretik latin”.

Në nenin 9 të Kodit gjejmë edhe nocionin “gjysmëbesimtar”, që del të jenë të gjithë ata që nuk i takonin kishës pravosllave, por që sipas mendimit tonë mund të jenë ortodoksë të ritit bizantin, për të cilët, duke i marrë parasysh rrethanat para pushtimit nemanjid (sundimin bullgar dhe bizantin), mund të llogarisim të kenë qenë në numër edhe në Kosovën e sotme. Për ata që nuk bindeshin, sikurse dhe në statutin e Zhicës së vitit 1220, edhe këtu ekzistonte në mënyrë eksplicite mekanizmi i “ndëshkimit” (serb. казни ose наказание). Neni 7 është i lidhur ngushtë me nenin paraardhës dhe kujdesej të luftonte me sukses çdo propagandë katolike: “Kisha e madhe [siç konsiderohej patrikana serbe, Gj.B] të emëroj kryepriftërinj në të gjitha qytetet që të kthejnë të gjithë krishterët që kanë kaluar në herezisë latine, në krishterizëm, dhe t’u japë atyre udhëzime shpirtërore, në mënyrë që secili prej tyre të kthehet në krishterim”, shkruhej në këtë nen, që sipas botuesit të kodit, St. Novakoviq, dhe komentuesit të saj në gjuhën e sotme, A. Solojev, mund të lexohet: “Protopapët e kishave të mëdha duhet të konvertojnë latinët në çdo qytet e fshat” (Соловјев, Законик, 174-177). Nenin 8 drejtohej në mënyrë të veçantë kundër klerit katolik: “Në qoftë se gjendet ndonjë prift latin që përpiqej të konvertonte një të krishterë në besimin latin, le të dënohet sipas ligjit të Etërve të shenjtë”. Lufta kundër katolicizmit, vazhdonte në nenin 9, mbi martesat e përziera në mes të katolikëve dhe pravosllavëve ortodoksë: “Në rast se gjendet një gjysmë besimtar që është martuar fshehurazi me një grua të krishterë [ortodoks], ai mund të pagëzohet në ortodoks; në qoftë se nuk pranon të pagëzohet në ortodoks, t’i merret [largohet] gruaja, fëmijët e shtëpia, kurse ai të dëbohet”. Po ashtu edhe neni 10 drejtohej kundër katolikëve: “Nëse ndodh që të gjendet ndonjë heretik që jeton në mesin e të krishterëve, t’i vihej vula në faqe me hekurin e skuqur (të shëmtohet) dhe të dëbohet, dhe nëse gjendet ndonjëri që e fsheh atë edhe atij t’i vihej vula” (Новаковић, Законик, 153-155).

Arbërorët dhe vllahët duket se kanë qenë delja e zezë në kuadrin e popujve të cilët ishin të përfshira në “perandorinë” e Stefan Dushanit. Ata ishin më të atakuarit se të tjerët dhe statusi i tyre ishte i ndryshëm nga statusi i etnive tjera edhe në këtë kod. Kështu, për shembull, në nenin 77, i cili kishte të bënte me konfliktet, mosmarrëveshjet dhe luftërat, thuhej: “Në konfliktin midis fshatrave, të dënohej me gjobë prej 60 perperësh, kurse vllahët dhe arbërorët (а Власима и Арбанасима) me 100 perper të floririt; dhe nga kjo gjobë gjysma t’i shkonte Carit, dhe gjysma tjetër zotërisë së fshatit [neni, 77]”. Përveç këtij, në Kod, ka edhe një tjetër nen i veçantë (neni 82) që u dedikohej vllahëve dhe arbërorëve, ku thuhej: “Kur në një fshat janë të vendosur vllahët apo arbërorët, të tjerët që vijnë pas tyre [dhe që nuk përshtatën me ta] të mos qëndrojnë në të njëjtin fshat. Në qoftë se ndonjëri qëndron me forcë në fshat, të paguajë një gjobë dhe për barin që ka kullotur [neni 82]” (Ibid., 192,195).

Në këtë politikë shkohej, madje, aq larg saqë i ndalohej me ligj feudalit ortodoks shitja e ortokëve (skllevërve) ortodoksë feudalit katolik. Për feudalin që bënte një shitje të tillë parashihej që t’i caktoheshin edhe ndëshkime drakonike, siç ishin prerja e dorës dhe të shpuarit e gjuhës (Tërnava, Popullsia e Kosovës, 178). Persekutimet ndaj popullsisë arbërore, të regjistruara në letrat papale, por edhe nga udhëtarët e kohës, në një mënyrë ose tjetër të sugjerojnë se Kodi ishte më shumë se vetëm një burim normativ; veprimet anti-katolike të kodifikuara tashmë ishin një praktikë e përditshme.

Terminologjia e dokumentacionit të hartuar në kancelaritë mesjetare, ndonëse me terma fetare, nuk mund ta fshehë faktin evident se ky motiv gërshetohej me një sërë motivesh të tjera, midis të cilave edhe me atë etnik.

Për ripagëzimin e dhunshëm të katolikëve në mbretërinë mesjetare serbe, na dëshmon edhe vetë Stefan Dushani në një letër “Pendimi” vitit 1354 (që në të vërtetë ishte një manovrim diplomatik i radhës nga ana e Dushanit – Gj.B.), për papën Inoçentin VI, në të cilën ai deklaronte se është i gatshëm ta pranojë papën si kryeepror të krishterimit (Theiner, Monumenta Hungaricam II, dok.16, përgjigjja e papës në dok. 20). Dushani i premtonte Papës se në mbretërinë e tij e kishte ndaluar në mënyrë të rreptë çdo ripagëzim të katolikëve; do t’ua rikthente atyre kishat dhe manastiret e okupuara dhe se ipeshkvijve katolikë, abatëve e priftërinjve të larguar, do t’ua lejonte kthimin e tyre.

Vërtet, papa Klementi VI në vitin 1346 i shkruante Dushanit dhe në letër në mes tjerash përmendej Prizreni, Novobërda, Trepça dhe Janjeva, të cilat atëherë, siç del nga kjo letër, ishin nën juridiksionin e ipeshkvisë së Kotorrit. Në një letër tjetër të papës Klimenti VI, që mban datën 7 janar të vitit 1346, e që i drejtohet Stefan Dushanit – mbretit të Rashës, papa thekson se kisha e Shën Mërisë në Prizren dhe e Shën Pjetrit afër Prizrenit, janë të nënshtruara ndaj ipeshkvit të Kotorrit, Sergjit. Por, disa mbretër të Rashës, paraardhës të Dushanit, kuvendet dhe kishat e përmendura […] i përvetësuan në kohën e vet, e që edhe tani ai i mban si pronë të vetën (të pushtuara). Prandaj, Papa i lutej mbretit që t’i lejojë ipeshkvit të Kotorrit t’i mbledhë kontributet e caktuara kishtare në këto famulli (Theiner, Monumenta Slavorum I, dok.280). Këtu, para se gjithash bien në sy faktet se këto kisha i kishin okupuar paraardhësit e mbretit. Por, edhe vetë Dushani kishte vepruar në të njëjtën mënyrë, kështu që ai edhe më tej i mbante ato të okupuara. Vështirë se mund të mendohet se një gjendje e këtillë nuk ishte e njohur mirë për zyrtarët e papës, sepse në të kundërtën faktet e pavërtetuara nuk do të mund të konkretizoheshin ne formë të aktpadisë (Gjini, Ipeshkvia, 96).

Për gjendjen e rëndë të arbërorëve më herët (1350) kishte njoftuar edhe kardinali dhe legati i papës në Padovë, Guido de Boulogne, i cili u shkruante (më 25 maj 1350) disa princërve katolikë, mbretit të Hungarisë dhe të Venedikut, se Stefan Dushani me dhunë po i kthente në fenë e vet disa besimtarë katolikë në vendin e tij, se po i pagëzonte në kundërshtim dhe jashtë çdo dispozite dhe ligji të Kishës. Legati u bënte thirrje princërve katolikë që t’i mbrojnë të krishterët nga Dushani dhe, mundësisht, mos të lejojnë që këto raste të trishtuara të përsëriten (Jorga, Philippe de Mezieres, 134, shën.8). Për këtë gjendje, disa shënime të shkurtra, por shumë të sakta, na i jep edhe Farlati. Ai thekson se kishën e Shkupit e sulmonin dhe e dëmtonin shpesh rashasit, por në mënyrë të veçantë prej se mbretërit e Rashës u shkëputën në mënyrë shumë të shëmtuar nga Selia e Romës. Vërtet, për ipeshkvinë e Prizrenit gjejmë të dhëna në Tabulat Konsistoriale të fillimit të shek.XIII, ku shkruan se ajo gjendet “in partibus infidelium”, ndërsa për atë të Shkupit thuhet se prej vitit 1316 është “immediate subiecta Ecclesia Romanae” (Illyricum Sacrum VIII, 2; VII, 16). Titullarët e njërës dhe të tjetrës kishë nuk kishin mundësi të qëndronin në kishat e caktuara të tyre, prandaj i gjejmë në vende të ndryshme të Evropës.

Në nenet e Kodit shihej qartë se ekzistonte një diferencim etnik. Përdorimi i emrit të veçantë për vllahët dhe arbërorët vjen nga fakti se këto dy grupe ishin të një etniteti tjetër nga sllavët. Këto dispozita nuk vlenin ose nuk zbatoheshin ndaj qytetarëve katolikë të huaj, siç ishte rasti me sasët, raguzanët, kotorrasit etj., të cilët jetonin nëpër qytetet e njohura të Kosovës, që ishin të pasura me miniera. Këta banorë, ndonëse ishin të ritit katolik dhe sipas terminologjisë së Kodit mund të kategorizoheshin si “heretikë latinë”, nuk hynin në këtë kategori, por përkundrazi, gëzonin privilegje të veçanta. Këto privilegje njiheshin kudo në Kod dhe në mënyrë të veçantë përmendën si “banorë me një fe tjetër” [neni 10]. Si të tillë, as nuk ndiqeshin dhe as nuk persekutoheshin, as ata si qytetarë e as kishat e tyre. Për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis raguzanëve dhe qytetarëve të tjerë, raguzanët kishin ngritur konsullata nëpër qendrat tregtare të mëdha, si në Prizren, Novobërdë, Prishtinë, Pejë, Trepçë, Janjevë, Bellasicë, Mitrovicë etj (Drançolli, Raguzanët në Kosovë, 45-57).

Për privilegjet që i gëzonin banorët e huaj dhe, në anën tjetër, për diferencimin e banorëve vendas në kuadër të pushtimit serb mesjetar, na njoftojnë edhe letrat e papëve. Sipas Gjinit, në mbretërinë serbe, sasat, raguzanët dhe disa të tjerë kishin privilegje të veçanta në jetë: në drejtësi, fe dhe në kishë. Sipas tij, këta nuk ishin të goditur nga këto masa diskriminuese të cilat i kishin ndërmarrë dhe i zbatonin sundimtarët serbë, sepse për nga gjuha ata nuk dalloheshin nga serbët, përveç sasëve. Ndërsa shprehja “a fidelibus…diversarum linguarum”, që do të thotë besimtarë të gjuhëve të ndryshme, edhe më shumë na orienton kah gjetja e dallimeve të cilat të cilat edhe mbi këto baza i ishin të njohura jo vetëm mbretit, por edhe zyrës së Romës (Theiner, Monumenta Hungaricam I, dok.1061; Gjini, Ipeshkvia, 107). Edhe vetë restrikcioni logjik dhe gramatikor flet në dobi të faktit se kjo dispozitë e mbretit nuk i godiste të gjithë, por vetëm disa të krishterë.

Duke i diferencuar banorët në kuadër të mbretërisë mesjetare serbe, në: “besimtarë të vërtetë”, ku sipas tyre konsideroheshin vetëm banorët e ritit ortodoks pravosllav (serbët); në “mosbesimtarë” dhe “heretikë latinë”, për të krishterët vendas të ritit katolik nën pushtetin serb; në “gjysmëbesimtar”, për ata të ritit ortodoks-bizantin dhe kur këto dispozita nuk vlenin për banorët e huaj (sasët, kotorrasit dhe raguzanët), vetvetiu del se dy besimet e fundit, të cilat i bartnin banorët vendas arbërorë konsideroheshin si armike të ortodoksisë pravosllave dhe të shtetit dhe, si të tilla, ishin të destinuara të luftoheshin me masa të veçanta (Xhufi, Dilemat e Arbërit, 277).

Kur flitet në mënyrë të veçantë për banorët katolikë në mbretërinë mesjetare serbe, fjalë është kryesisht për banorët arbërorë të Zetës, Kosovës, Maqedonisë e viseve tjera të Shqipërisë së sotme të Veriut. Në këto vise të kontakteve me arbërorë-sllavë, të qenit katolik përkonte pothuajse tërësisht me të qenit arbëror (shqiptarë). Këtë e dëshmon edhe Pjetër Bogdani nga Prizreni në parathënien e librit të tij “Çeta e profetëve”, të botuar në Padovë në vitin 1685, ku ndër tjerash thotë se “sllavët, për antonomazi, fesë katolike i thonë arbanaška vera”, pra fe e shqiptarëve (Bogdani, Cvnevs Prophetarum,[f.IV]). Në këtë drejtim, elementi katolik në këtë brez ishte parë si pengesë për përfshirjen më të gjerë në shtetin “e vërtetë” serb të arbërorëve.

Gjithsesi se kjo politikë ishte e lidhur me motive etnike dhe e godiste drejtpërsëdrejti popullsinë arbërore. Duke i përndjekur katolikët dhe ortodoksët arbërorë, Dushani dhe paraardhësit e tij e godisnin një popullsi të huaj, vendet e të cilave ua kishin pushtuar, e që nuk pranonte ta njihte vetën në bashkësinë e pushtuesit. Dhe, gjithë kjo nuk kaloi pa efekte negative etnike për vendasit. Hapi i parë ishte konvertimi ose ripagëzimi në kishën serbe pravosllave, e cila duke qenë një kishë nacionale, ishte mjeti më i përshtatshëm që të konvertuarit t’i sllavizonte. Në këtë drejtim, akti i parë ishte braktisja e emrit të lindjes (të parë) dhe marrja e një emri të ri nga onomastika sllave. Me ndërrimin e besimit dhe emrit, zhdukej edhe mburoja kulturore e fetare që i veçonte e i dallonte vendasit arbërorë si të tillë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.