Leximi dhe kultura e të lexuarit, pse librat i quajmë gënjeshtra dhe shkrimtarët gënjeshtarë?

0
423

Shpesh, në skena të ndryshme të filmave, shfaqen aktorë të roleve të treta, por edhe të para, që qëndrojnë ulur në një kafene, me një libër në dorë dhe krejt të qetë, në mes të zhurmës së qytetit, shfletojnë fletat, të fokusuar një shkronjat e zeza mbi të bardhën. Filmat që ne i shikojmë, janë realizuar në qytete të ndryshme të botës si: Milano, Venedik, Firence, Romë, Paris, Gjenevë, Lucern, Pragë,Luksemburg, San Marino, Vjenë, Nju Jork, Vashingtom, Las Vegas, Hon Kong, Pjong Jang, Tokio, Sidnej, Vellington etj. Ose, në skena të tjera, aktorët paraqiten me një libër në dorë nëpër trena, metro, stacione autobusësh, parqe, plazhe dhe vende të tjera që për çudi, si infrastrukturë, janë jashtëzakonisht të rregullta.
Po të marrim në analizë, pamjen e këtyre qyteteve, jetën shoqërore, politike, akademike dhe gjendjen ekonomike të vendeve ku na shfaqen këta njerëz duke lexuar, duhet të ndalojmë pak dhe të rezonojmë qetë qetë për të kuptuar drejtë edhe vizionin e këtyre njerëzve. Tani, nuk e kam fjalën për aktorët e filmave, por për realitetin. Pikërisht, ata që kanë pasur fatin që të udhëtojnë në ndonjërin prej destinacioneve që u përmendën më lartë, ose me dhjetëra të tjera që nuk janë përmendur në këtë shkrim, ata e kanë parë se ajo që kanë shikuar në skenat filmike është shumë reale, është një përditshmëri nëpër qytetet perëndimore. Njerëz me libra në dorë mund të hasesh në çdo cep, të çdo moshe, por dominojnë moshat e reja, nga 18 vjeç deri në 40.
Por, ç’ lidhje ka libri me organizimin urban, shoqërorë, politik, social, organizativ, infrastrukturorë etj?
Ky është edhe qëllimi i këtij shkrimi. Të tregojë se kush lexon, pse lexon dhe cilat janë rezultatet e leximit. Sidomos, ka shumë rëndësi edhe ajo që lexon.
Për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të rikujtojmë pamjet e këtyre qyteteve, rregullin që mbretëron brenda tyre, dekorimet e ndryshme të punuara me plot art e pasion. Kalldrëmet, shatërvanët, kafenetë, kishat, katedralet, shitoret, parqet, liqenet, lumenjtë, fshatrat, spitalet, fakultetet, kopshtet e deri te rrugët.
Nga kjo harmoni, nga kjo mrekulli që ka krijuar dora e njeriut, duhet kuptuar se mendja qe ka dhënë idenë për t’u punuar këto gjëra, ka pas një shpirt të fortë artistik. Kjo të le të kuptosh se, edhe arkitektët, mjekët, politikanët, ekonomistët, stilistet, bujqit por edhe njerëzit e thjeshtë të këtyre vendeve, lexojnë. Lexojnë libra, romane, poezi, drama, novela e krijime të ndryshme letrare që për fat të keq, në vendin tonë, këto quhen përralla, por në kuptimin e gënjeshtrave, pjellave të trurit të njeriut, gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin njerëzorë.
Kjo gjë, ky mohim i librit bëhet për shkak se në Ballkan, e sidomos shqiptarët, lexojnë shumë pak. Por edhe ata që lexojnë, një pjesë e tyre janë të fokusuar në librat religjioz: Bibla dhe Kur’ani. I lexojnë shqip dhe arabisht, mirëpo rreziku i madh qëndron se nga kufizimi i madh që bëjnë në të lexuar, ata humbin edhe fillin e të kuptuarit drejt të fjalës së shenjtë. Duhet kuptuar se shkronja shpesh nuk shprehë vetëm kuptimin e parë, pra atë që shpreh tekstualisht ose fizikisht dhe këtu pastaj, krijohet problemi me i madh.

Por, a janë gënjeshtra shkrimet letrare?
Nëse e marrim vetë jetën në analizë, për të provuar se çka do të thotë e vërteta, vetë koncepti i fjalës “ e vërtetë” është nocion abstrakt. Prandaj, e vërteta në letërsi është po aq e vërtetë sa e vërteta në histori, në jetën e përditshme dhe në shkencë. Personazhet letrarë si: Hamleti, Romeo, Zhuljeta, etj., i njohim të gjithë dhe ne e kemi mjaft të qartë fatin e tyre. Ne nuk e diskutojmë këtë gjë fare sepse e vërteta e fatit të tyre është vulosur. Ne kemi dyshime për figura të mëdha nga historia lidhur me fatin e tyre dhe veprimet e tyre, por jo me personazhet letrarë, për ata e dimë saktë dhe pastër se si kanë përfunduar.

Një tregues se këndej nga Ballkani lexohet shumë pak, sidomos në vendin tonë, është e kundërta e asaj që shikojmë në filma dhe në realitetin e qyteteve që përmendëm më lartë. Në kafenetë tona, shumë pak mund të shikosh njerëz duke lexuar libra. Ata që e bëjnë paragjykohen si të çmendur edhe nga klasa e ashtu-quajtur intelektuale. Kjo, reflekton negativisht te shoqëria jonë pasi vërehet ndikimi i mos-leximit në kulturën e përditshme.
Tani, mendojeni pak se, pasi ne si komb lexojmë shumë pak, shikoni dhe krahasoni punët tona, qytetet tona, shkollat e kishat, sheshet e parqet… A nuk janë të njëjta me ato që i përmendem më lartë? Nëse nuk janë, atëherë po ua them se pse! Nuk janë se ne jemi larg nga paqja shpirtërore që dhuron libri, jemi larg nga metaforat që ofron poezia, jemi larg nga durimi që të krijon leximi. Për fat të keq, ne ende mendojmë me bishtin e shatit dhe kazmës. Referenca kryesore e shoqërisë sonë është: “më kanë thënë” ose “ Kam dëgjuar”!
Ofendimi më i madh që i bëhet një shkrimtarit në anët tona është kur i thuhet nga pseudo-intelektualet se: “ Ke shumë talent për të gënjyer, shkruan bukur, gënjen bukur”! Kjo është jashtëzakonisht e dhimbshme dhe e rrezikshme njëkohësisht, pasi këta njerëz që kanë përfunduar fakultete, mburren edhe me mos leximin e tyre edhe pse janë ndoshta në rolin e mësimdhënësit. Ata me mburrje e thonë se nuk i besojnë librat letrarë, andaj nuk duan të humbin kohë duke lexuar gënjeshtra?!

Për këtë temë, do të mund të ngriheshin shumë e shumë probleme të tjera të ngjashme, mirëpo si përfundim do të thoja se: leximi është pasurim i mendjes dhe ushqim i dijes dhe nderdijes; leximi është ushtrim i durimit dhe qetësimit psiqik; leximi i letërsisë është njohja e të bukures që vjen përmes rrugës hyjnore. Pa lexim, do të ngelemi në zonat e errëta ku jemi edhe sot, do t vazhdojmë të fajësojmë Evropën e perëndimin se si na kanë lënë pas dore me zhvillim. Ne kemi nevojë të ndërtojmë biblioteka, të mbjellim lexues, t’i shtyjmë mësuesit të lexojnë, që mësuesit t’i shtyjnë nxënësit dhe që nxënësit e sotëm ta ndryshojnë njëherë e mirë këtë vend duke e nxjerrë nga errësira në dritë.

-Mark Lucgjonaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.