150 vite më parë vdiq Sharl Bodler (1821-1867), qe poet, shkrimtar, kritik arti, gazetar, filozof, eseist dhe përkthyes francez. Vlerësohet si një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit XIX; vepra e tij kryesore “Lulet e së keqes” është njëra nga më klasiket e letërsisë fraceze dhe botërore…pa e zgjatur më tej po ju sjell një prej shqipërimeve të mia që kam prej Tij:

LARTËSIM (Élévation)
Charles BAUDELAIRE

Mbi luginat, përmbi pellgjet moçalorë,
Malet, pyjet, përmbi re dhe dete ç’janë,
Përmbi diellin e qiejt e paanë,
Përtej kufirit të rruzujve yjorë,

Lëviz shpirti im me shkathtësi si duhet,
Si notar i mirë nëpër dallgë s’mbytet,
Pastaj plot gaz thellësive shkon e zhytet
Me vullnet burrnor që nuk përshkruhet.

Larg fluturo nga këto duhma të ndyra,
Shko dlirësohu lartësive qiellore;
Thëthije si të jetë pije hyjnore,
Të qashtrin zjarr që mbush ato hapësira.

Lëri pas brengat e rënda, shqetësimet,
Nga to nxihet e rënkon e lodhet jeta,
Lum ai që fort e me flatra të lehta
Lëshohet në hapësirat plot shkëlqime;

Ai që mendimet çdo ditë i qeshur,
Si laureshat lëshon fluturim sa gdhin,
Që mbi jetën pluskon e kupton pa mundim
Gjuhën e luleve’ gjithçkaje të heshtur!

© shqipëroi Maksim Rakipaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.