Nga Gani MEHMETAJ

Sikur ta përdhoste kryebashkiaku i cilësdo metropole evropiane heroin kombëtar për hatër të shteteve që e luftuan dikur, të nesërmen votuesit do t’ia kërkonin dorëheqjen, do ta çmendnin mediet me kritika e fyerje, dhe shteti do ta ndiqte penalisht mu si ndiqet vrasësi.
Sikur ta përdhoste heroin kombëtar kryebashkiaku i Beogradit a Zagrebit për hatër të turqve a arabëve, serbët a kroatët kryebashkiakun do ta nxirrnin zvarrë nga zyra, do ta pështynin dhe nëse s’do të ndërhynte policia do të mbaronte si një qen rrugësh.
Në Turqi po ta përdhoste kryebashkiaku i Ankarasë a Stambollit Ataturkun, për hatër të grekëve, sepse duan të bëjnë meshë mu në sheshin e tij, të nesërmen kryebashkiakun do ta arrestonin dhe do ta dënonin me burgim të gjatë për tradhti kombëtare.
Po sikur kryebashkiaku i ndonjë qyteti të Arabisë Saudite apo Iranit ta përdhoste figurën e Muhameti për hatër të shqiptarëve, bie fjala, çfarë do të ndodhte? Kryebashkiakut arab a iranian do t’ia hiqnin kokën, do t’ua hiqnin kokat edhe atyre që ia kanë kërkuar përdhosjen.
Çfarë i ndodhi kryebashkiakut të Tiranës kur e përdhosi Gjergj Kastriotin, sepse këtë ia kërkuan turqit e arabët. Asgjë. Nëpër trotuare disa mund ta quajnë maskara se u shit ke Erdogani, të tjerët e lavdërojnë sepse, sipas tyre ua hodhi paq turqve e arabëve, i futi lekët e beduinëve në xhep dhe prapë nuk ia hoqi copë Skënderbeu. Beduinët nuk falen çdo ditë në shesh, vetëm bajram e n’bajram. Vetëm atëherë do t’ia kërkojnë bashkiakut të Tiranës ta përdhos heroin kombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.