Át Zef Pllumi tregon se si partizanët hoqën flamurin “pa yll” prej kumbonares se Kishës Françeskane në Gjuhadol

0
762

Át Zef Pllumi tregon se si partizanët hoqën flamurin “pa yll” prej kumbonares se Kishës Françeskane në Gjuhadol, të cilin e kishte vû aty Át Gjergj Fishta qysh me 12 qershor 1913. Me ketë akt filloi rrënimi i Shqipnisë prej pushtetit komunist. B.F.

Shkruen Át Zef Pllumi:

Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan:
“Duam të hipim në këmbanare.”
Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këte detyrë ishte i ngarkuem Át Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta Át Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.
“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shêj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!”
“Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, – thanë ata, – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!”
“Eh, po nuk kemi tjetër.”
“I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.”
“Dy flamuj? – pveta un. – Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!”
“Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?”
“Kurrë.”
“As atë të Vatikanit?”
“Jo, kurrë.”
“E si t’ia bëjmë?”
“Si të doni.”
“Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi.”
Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull.
“Uaaa! Sa bukur!”
Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tê flamurin e rí me hyllin partizan.
M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.
“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?”
“Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të ketë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.”
“Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?”
“As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.”
“Rri këtu, se do të biem një usta.”
Zdrypën e shkuen.
Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj.
Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e ré të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikuj atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atê vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës.
Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës Át Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:
“Ti i ke çilsat e kumbonares?”
“Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin.”
“Ti e vune flamurin jugosllav?”
“Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë.”
“A e din ti, – më tha, – se aty n’atê vend me 12 qershor 1913 asht vû për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atê flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atê flamur? A e din ti…”
“Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të derguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?”
“Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!… Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?”
“Thanë se zbatojshin urdhnin e komandës, për mâ tepër ata folën mes vedit që atje nalt në kumbonare të vendosej nji mitraloz.”
“Mitraloz?”
“Po, nji mitraloz, sepse thanë që kumbonari kontrollon gjithë qytetin.”
“Na e kemi dijtë gjithmonë se çfarë lirije na bien serbët! Po çfarë shqiptarësh janë këta partizanë që luftojnë për sllavët? Kanë çue edhe djelmët tanë me i mbytë atje!… Mjerë Shqipnia n’dorë të kujt ka ra!”

(Át Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, vëllimi I, Botime Françeskane, Shkodër 2015, fq. 18-21)/ Botimet Françeskane

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.