Gjithmonë diçka mungon

Njerëz me fytyra të zbehta shtrëngojnë paqartësinë.
Ata kërkojnë diçka, sepse gjithmonë diçka u mungon.

Pas këtij shiu të zymtë si pikëllimi, ka mundësi që nesër dielli kthen shikimin,
Dhe ne vazhdojmë mosmarrëveshjet tona. Kërkimet tona.

E sheh: dielli sërish thyhet nëpër kodra dhe lind diku tjetër si një rrëfim i ri shprese.
Megjithatë ti heshtur si paqja qiellore kërkon rrugëve të botës:
Itakën apo Penelopën e shtrirë me dëshira të paqarta,
Kujtime të trishta e net pa gjumë. Një tokë të premtuar
Ku do ta vendosësh kokën tënde e dhimbjet e tua.

Dhe çka gjen!
Rrugë të mjegullta,
Tokën e Premtuar mbushur me gjarpërinj.
Ku s’ka tambël, mjaltë e as vend për këmbën tënde.

Gjen shtëpinë e pagjumësisë ku shoshiten ëndrrat,
Ku hahen ëndrrat dhe shpjegohet lumturia.

Ti gjithmonë kërkon diçka,
Dhe harron se gjithmonë diçka të mungon;
Të mungon rruga drejt cakut apo Itaka ku do të kthehesh.
Atje ku pret e trishtuar një grua
Dhe një qen që fle i trazuar pranë këmbëve të saj.

Ti gjithmonë pret diçka,
Dhe harron se gjithmonë diçka të mungon:
Shtëpia e ëndrrave dhe treguesit e lumturisë.

Ti kërkon rrugën drejt cakut,
E të duket vetja leckaman i gjuajtur me gurë.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka ndryshe,
Për shembull: një njeri pa syza të urrejtjes.

Por gjen një rrugë dhe një kryq.
Ta japin kryqin e gozhdat t’i dorëzojnë,
E me to duan të mbysin miq e armiq.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka
Dhe harron se gjithmonë diçka mungon.

Kopertina e librit “Gjithmonë diçka mungon”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.