Shenjtëri i ditës:05. 09. 2017: Shën Nëna Tereza – Anjeza Gonxhe Bojaxhiu virgjëreshë dhe rregulltarë (1910 -1997)

Sot më 5 shtator Kisha e përkujton Anjezën Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup, të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famullitari i atëhershëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania se mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali, kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 në bazë të traktatit të Versajës. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike e asaj kohe, vdes në 1919 kur ajo ishte 8 vjeçe. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj:
“Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri,qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.
Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm Shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj ne Shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në Shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës me 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çaj bërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyesi si dhe lëngë shtrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa. IN/OUT”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Kur ishte e re jo vetëm ka folur, por ka shkruar edhe poezi ne gjuhen Shqipe. Për shembull poezinë e mëposhtme e ka shkruar kur ishte 22 vjeçe gjate udhës për ne Indi. Sot kemi një dëshmi të Nënë Terezës që flet shqip më 1988, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.
Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja se si e shpjegon Loja letrën e te madhes Nena Terezë dërguar Presidentit te Republikës ne vitin 1989, te cilit i theksonte se: “për 60 vjet kam vizituar shume e shume vende jashtë atdheut tim”, qe është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Me ne fund, e para pasaporte (për ketë rast ishte diplomatike) e dhëne për nënshtetas te huaj me origjine shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë me 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaporte nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thane për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam Nënën dhe motrën, atje kam miq e te njohur, atje shume shpejt do te hapim misionin tone e unë do te jem vete aty”. Kur mori çmimin Nobel ne vitin 1979, amerikanet i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyre morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”. Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qene shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guaska etnike do ta kufizonte. Gonxhja u be qytetarja e botes, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Ne vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj te murgeshave te quajtur Misionaret e Bamirësisë qe i shërbejnë tërësisht te varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer ne një legjende te gjalle. Vetëm sipas te dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve ne 60 shkolla, mjekonte 960 000 te sëmure ne 213 spitale, ishte e vetmja ne bote qe trajtonte 47 000 viktima te lebrozes ne 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq te braktisur e te lëne rrugëve ne 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetime.
Nder titujt qe i janë dhëne Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, te cilën ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mire, ne Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, ne Uashington; Nena e te Gjitha Nenave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi me i larte amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi me i larte i Rusisë; etj.
Me 5 shtator 1997 : bota mësoi se Nënë Tereza ( Angel of Mersy) vdiq ne moshën 87 vjeçare duke lëne pas dashuri. Kurse papa Gjon Pali II me 19 tetor 2003 në Bazilikën e Shën Pjetrit e shpallë për të lumtur me titullin zyrtar të Kishës: E Lumja Tereza e Kalkutës. Kurse papa Françesku I e shpalli shenjtëreshë me 4 shtator 2016 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë në ora 10,45. Kurse festa liturgjike e përkujtimit mbete 5 shtatori./ Dom Nosh Gjolaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.