“Të dashtun miq në shtator mbushen 10 vite nga vdekja e Át Zef Pllumit. Për ketë rasë kemi mendue të botojmë veprën e tij të plotë dhe disa shkrime të pabotueme.

Më datën 16 shtator 2017 ora 09.30 pranë Kuvendit Françeskan – Shkodër, do të organizojmë nji aktivitet shkencor, tue vu në dukje vlerat morale, idealet shpirtnore dhe kulturore të Át Zef Pllumit dhe të veprës së tij.

Vepra e fratit që rrnoi vetëm për me tregue dhe që depërtoi mes dhimbjeve dhe vuejtjeve të shqiptarëve, tue prekë ai dhimbjet ma të skajshme, paraqitet shumë e randësishme e nevojshme dhe aktuale për kujtesën historike të kombit tonë. Kujtimet e Át Zefit që janë pjesë e trashëgimisë së çmueshme të letërsisë së kujtesës, përmes shprehisë së nji gjuhe të pastër dhe të bukur, kallxojnë nji udhëtim vuejtjesh dhe mjerimi të pamerituem të popullit tonë. Me rrëfimin e tij Át Zef Pllumit lidhi dy kohë bashkë, të cilat i ndau nji kohë e çmendun ajo e komunizmit.
Në kolanën e botimeve françeskane do të shoh dritën e botimit vepra e tij e plotë, ku në mes vëllimeve për herë të parë botohet vepra e papërfundueme “Dhetë vjet liri”. Vepra ka mbetë e papërfundueme për arsye të vështirësive shëndetësore të autorit. Mesazhi edukativ, formues dhe politik asht shumë aktual për shoqninë tonë. Gjithashtu në shkrimet publicistike me titull Siç thonim dje do të përfshihen punime të Át Zef Pllumit të pabotueme asnjiherë në Shqipni, siç asht shkrimi në prozë Demokracia shqiptare me dy diktarorë. Në ketë shkrim paraqitet zanafilla e pluralizmit politik në Shqipni dhe zhvillimet e mavonëshme në politikën shqiptare.
Kësisoj, do të botojmë pjesë të përzgjedhuna prej letërshkëmbimeve të Át Zef Pllumit me personalitete të kulturës dhe të politikës shqiptare. Përmes letërshkëmbimeve lexuesi do të kuptoj vemendjen e veçantë të Át Zef Pllumit për të gjitha çeshtjet kulturore dhe politike të viteve të tranzicionit politik dhe shoqnor në Shqipni. Letrat e fratit të kujtimeve edhe sot janë profetike për kohën që po jetojmë si në pikëpamje politike, shoqnore dhe kulturore.
Qellimi i veprës së Át Zef Pllumit nuk qe hakmarrja, urrejtja dhe inadi, por vlerësimi dhe naltimi i të gjithë atyne njerzve që paten veprue për liri dhe demokraci, për të drejtat njerzore dhe për lirinë e mendimit dhe të fesë në vendin tonë. Lirinë e mbante si vlerë themelore të njeriut, sepse asht kenësia dhe dinjiteti i qenies njerzore. Át Zef Pllumi nuk bani kurrë kompromise të ulta në dam të lirisë së tij. “Unë tanë jeten e kam kalue në burg, por mendimtár i lír…Ta mendojmë vedin zogj të lirë e fluturojmë ku të duem” do të pohonte Pater Zefi, mes të tjerash në letërshkëmbimin me sivëllun e tij.
Dhe sot si asnjiherë tjetër, vepra e Át Zef Pllumit asht aktuale, shërben për të mos harrue 47 vite çmendunie të nji diktature të pashpirt që shembi gjithçka të mirë dhe të bukur në vendit tonë. Fundosi në terrin e pafund të nji barbarizmi të papame çdo mendim të mirë, çdo ide përparimtare dhe kështi e bukura humbi kuptimin dhe shkëlqimin e saj. Harresa e vullnetshme dhe e qellimeshme e ngjarjve historike, të cilat kanë lanë gjurmë të thella dhe shumë të dhimbshme në shpirtin e nji populli, në kujtesën e tij, e kthen atë komb në nji çetë fëmijsh ku gjithkush luen me të. Për shumë arsye, veprën Át Zef Pllumi e ka shkrue që të mos harrohet, ose të mos tjetërsohet e verteta, por të ndërgjegjësohemi për të keqën që mund t’i a shkaktojmë njani-tjetrit.
Kujtimet e Át Zef Pllumit, orientojnë mendimet dhe veprimet tona për respektimin dhe nderimin e qenies njerzore dhe sidomos, vepra e tij na fton që të udhëhiqemi nga ligji i dashnisë për njani-tjetrin dhe për vendin tonë.
Përfundojmë me disa mendime të vlefshme të Faik Konices botue në faqet e Hyllit të Dritës në vjetin 1913, dhe që Át Zef Pllumi u mundue për me i realizue gjatë jetës së tij: “E pa dyshim fretent (të cilët kanë ba aq shumë për popull edhe ndërmjet të cilve ndodhen disa prej ma të naltave karaktere të Shqipnisë së sotme) kanë me kenë ndër ma të parët puntorë. Shqiptari, para se me u ba atdhetar, ka nevojë të bahet nieri i zbutun. Kush ka me kenë ma i zoti me e krye ketë mrekulli posë bijve t’atij Serafinit t’Asizit”. (Shih. Problemi i madh, në: Hylli i Dritës, nr. 1, vj. 1913, fq. 14).

BOTIMI I PLOTË I VEPRËS SË ÁT ZEF PLLUMIT

I. Rrno vetëm për me tregue, Vëll. 1 (botue vj. 2015)
II. Rrno vetëm për me tregue, Vëll. 2 (botue, vj. 2015)
III. Rrno vetëm për me tregue, Vëll. 3 (botue, vj. 2015)
IV. Françeskanët e mëdhaj, (botue në vj. 2001)
V. Ut heri dicebamus – Siç thonim dje, (botue në vj. 2002)
VI. Para nji mijë vjetve, (botue në vj. 2003).
VII. Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës, (botue në vj. 2004)
VIII. Saga e fëmijnisë; Dhetë vjet liri. Botohet për herë të parë në vitin 2017.” – Botimet Françeskane

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.