Po detyrohem ta rishkruaj, pas sa vjetësh, esenë me titullin FILOZOFIA E SIMETRISË SË TË KEQES, pikërisht për shkak se assesi të ndodhë një çlirim nga kjo mendësi.
Është e habitshme se si përqafohet FILOZOFIA E SIMETRISË ndër ne.
Nëse ka qenë pushtuese Perandoria otomane, atëherë pushtuese është edhe BE e SHBA (kështu kam dëgjuar dhe lexuar gjatë tërë këtyre viteve). Dhe kjo filozofi e çoroditur e SIMETRISË së të keqes, është trashëguar nga mentaliteti bizantin sllav, sepse edukimi (sllavisht) i shkollave tona ka prodhuar dhe këtë specie të mentaliteteve të tilla të çoroditura për një komb që pretendon të jetë i civilizuar. Sepse prodhojnë faj edhe aty ku nuk ka (si kësaj radhe, për të tërhequr një paralelizëm mes ngjarjes në Tiranë, duhet prodhuar domosdo edhe atë në Prishtinë, dhe ku: Në katedrale!!!).
Po qe se do t’i kishim radhitur këtu flamur-përdhosjet ndër shekuj, nga ana e vetë shqiptarëve apo e të ashtuquajturve luftëtarë patriotë, që u pajtuan me pushtimet otomane, lista do të shkonte tepër e gjatë dhe paraqet një pamje fatale e të shëmtuar të vetvetes…

1.
Më parë, në emër të rrafshimit të vlerave dhe të së keqes, barazohej krimi me vlerat (“Evropa kurvë”, Vëllezërit turq”, “vëllezërit kinezë etj. etj.) Unë nuk dëshiroj t’i barazoj besimet fetare me krimin. Por të kërkosh faje e krime, për ta rehabilituar e justifikuar “një krah”, atëherë ti e dyfishon krimin dhe të keqen! Gjithsesi kjo ngjet sipas FILOZOFISË SË SIMETRISË. Kjo simetri tragjike e mendësisë së tillë të trashëguar nga sllavët, MË TUTJE NA THOTË: Nëse ka terrorizëm fetar nga islamistët në Azi, atëherë të tillë janë edhe të krishterët qofshin dhe katolikët shqiptarë!!! Nëse janë sulmues terroristë “islamistët”, atëherë sulmues të tillë e të këqij njësoj, na janë edhe “katolikët”! Nëse një religjion ka ardhë me anë të shpatës, atëherë i tillë na qenka edhe AI TJETRI!!! Sado që PËRFUNDIMISHT I PËRSOSUR nuk është askush. Nëse Perandoria Otomane ka qenë pushtuese dhe na ka sjellë fatkeqësi për 500 vjet, atëherë e tillë u dashka të shpallet edhe Evropa Perëndimore, me njëmijë të këqija të shpifura, ani se asnjënjerë nuk ka bërë pushtime a gjenocide këndej! Nëse themi që origjinarisht ne i takojmë IDENTITETIT EVROPIAN, atëherë duhet të gjenden njëmijë arsye për t’i ikur këtij identiteti, si të dëmshëm, për shkak se njësoj qenka i dëmshëm me identitetin oriental! E nëse pranohet ky fakt, atëherë domosdo u dashka të theksohet se kemi edhe IDENTITET ORIENTAL! Pra: qenkemi KOMB ME DY IDENTITETE! Në këtë rast, le të dihet: mund të deklarohesh sa të duash që je ME ATO parti të profilit demokratik, kombëtar apo evropian (si janë partitë më të mëdha ndër ne), dhe të veprosh krejtësisht kundër këtyre parimeve: evropianizimit, demokratizimit dhe kombëtares! Bizantinizmi në vepër.

2.
Flamurin e ka ruajtur e bekuar Kisha shqiptare (madje dhe Vatikani ) dhe jo Stambolli …
Disa, të vetëquajturve luftëtarë e patriotë, u pëlqen (tragjikisht) të tërheqin paralele Vatikan-Stamboll. Serbi Vojislav Sheshel është i akuzuar në Hagë për krime lufte e gjenocid ndaj kombeve tjeran nën ish Jugosllavi. Në gjykimin e Sheshelit në Hagë; vetë Sheshel atje ka thënë që në bankën e të akuzuzarve duhet të jetë kreu i Vatikanit, sepse e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe Serbinë; Sheshel ka shkruar këto vepra kundër Vartikanit, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër gjermanëve e kroatëve etj: “Vatikan, glavno Satanino gnezdo” (“Vatikani- çerdhja kryesore e Satanës” – 2006, në 1000 faqe), ku e akuzon Vatikanin për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë), “Rimska kurija vecito cedna srpske krvi” (“Kuria e Romës, përjetësisht e etshme për gjakun serb”), “Evropska unija, satanisticka tvorevina” (“Bashkimi Evropian, krijesë satanike”), “Vatikanski antisrpski instrument Franjo Tudjman” (“Instrumenti vatikanas antiserb Franjo Tugjman”) dhe “Hitlerovi najverniji sledbenici Helmut Kol i Hans Genser” (“Trashëgimtarët më besnikë të Hitlerit, Helmut Kol e Hans Gensher”).
Nuk ka askush nevojë të bëhet sheshelian në emër të një uniteti mohues e fiktiv kombëtar, të bëhet sheshelian me rroba që nuk i shkojnë. Nuk i kemi parë, të tillët, të reagojnë kur në varrime a protesta përdoret flamuri i ISIS-it, as kur me flamuj mbulohen dëshmorë a të vdekur…
Kurrë nuk është parë e as dëshmuar që Kisha shqiptare ndonjëherë në jetë të jetëve, ka mohuar Flamurin apo Skënderbeun, kombin apo etninë! Madje, që nga Marin Barleti, Marin Beçikemi, Buzuku, Budi, Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi…e deri te Fishta me lagjen e madhe të françeskanëve e domikanëve shqiptarë, – që të gjithë, janë klerikë dhe kombndëtues, histori-bërës, njerëz të letrave, të Flamurit e të Atdheut. As Vatikani kurrë nuk ka qenë mohues i kombit shqiptar, as i simboleve tona kombëtare, përkundrazi, na i ka nderuar e na e ka ruajtur dëshminë tonë, simbolet tona dhe historinë tonë…
Në ngjarjen e fundit (në shugurimin e Katedrales), kishte përplot të rinj a të ardhur nga Evropa e SHBa (të huaj) që erdhën të na nderojnë… kurse ne duam të ngremë edhe njëherë një filozofi të simetrisë së të keqes: unë jam i keq, prandaj edhe ti dosmosdo je i keq e kriminel! Apo komb-mohues! Flamur-përdhosës! Aty ku ka shenjtërim e bekim, nderim e përulje par a Flamurit, aty të mtillët duan të shohim përdhosje!
Çfarë mentaliteti barbar!

3.
Dhe, shih ti, as nuk pushojnë të tillët, të instalojnë një filozofi që barazon krimin me viktimën (si serbët), barazon vlerat me antivlerat (si të aziatizuarit) dhe barazon MOSDIJEN E VET me DIJEN E TË TJERËVE (si bëjnë dogmatikët), barazon besimtarin e sinqertë me terroristin “shkencor”… Unë nuk jam ithtar i sharjeve, por i argumenteve. Imagjinata e sëmurë prodhon edhe sharje, edhe ëndrra të çoroditura… që e çorodisin dhe pamjen mbi realitetin tejet të qartë.
Por, larg këtyre stereotipave, besimi është besim: qoftë ai islam apo i krishterë.
Islamizimi nuk është fajtor për terrorizmin në Lindje të mesme e gjetiu, por janë DOGMAT POLITIKE të ngritura në emër të fesë.
Qytetërimi europerëndimor ka të tjera vlera (deshëm a nuk deshëm ne)…sepse aty e kemi hisen tonë. Hisja jonë nuk është në ORIENT… Dhe është një qorrsokak e gabim tragjik, nëse i kërkojmë të drejtat orientale për t’u realizuar në integrimet europerëndimore si IDENTITET YNI oriental!!! Këso të drejtash orientale mund të kërkohen në ORIENT, por atje kërkohen vetëm si komb i copëzuar…
Paralelizmi i tillë na shpie në rrugë qorre! Dhe është tepër tragjik…
Për te mos i kundërshtuar rrugët qorre, mund t’i gjejmë njëmijë arsye!
Ky paralelizëm përbën një mendësi tragjikisht regresive…
Le të dihet: heqja e paraleleve të tilla, e copëzon (dhe nuk e unifikon) kombin as shtetin… dhe na largon sa më shumë edhe nga identiteti evroperëndimor, edhe nga vetvetja!

4.
Kurrë, asnjëherë, asnjë shtet shqiptar nuk është formuar me ndihmën e Perandorisë Otomane (a Turqisë) e të shteteve ortodokse sllave! Ndërsa pa Evropën Perëndimore nuk do të pavarësoheshin e as formoheshin as Shqipëria e as Kosova! Madje, kur u largua Perandoria otomane, dihet se shqiptarët (dhe Evropa) e trashëguan nga Perandoria Otomane copëtimin e trojeve shqiptare në vilajete e në disa besime… Shtetet sllave mësynë për t’i pushtuar, si thoshin ata “tokat otomane” (sepse, sipas tyre nuk kishte shqiptarë, por turq që e duan kthimin e Turqisë)…
Po na kushton shumë shtrenjtë mendësia e vënies së SIMETRISË a paralelizmave midis Orientit dhe Oksidentit! Dhe kjo ndër ne ka mbjellë një mendësi tragjike! Është mirë të shihet se ku ka ndodhë shkatërrimi ynë e ku bëhej ruajtja e kujtesës sonë kombëtare, kulturore, gjuhësore e historike… Nëse MIQËSIA ME ORIENTIN (Turqia, bie fjala), kërkon me kushtëzime miqësi (ndërrimi i historisë, privilegjet tjera ekonomike …etj), euro-amerikanët e as Vatikani nuk kanë kërkuar të na e ndërrojnë identitetin shqiptar…
Ka edhe një dallim tjetër: deri sa Evropa Perëndimore gjithmonë na ka strehuar (dhe na ka dhënë punë) na e ka mbrojtur qenien tonë, ka lejuar formimin e lëvizjeve kombëtare, botimin e shtypit, librave, arsimimit, zhvillimit të kulturës në shtetet e tyre, NË DIASPORË, KA LEJUAR DHE ZHVILLUAR IDENTITETIN TONË, krejt e kundërta ka ndodhë në Turqi… Prandaj paralelizmat nuk qëndrojnë!

5.
Vlerat orientale duhet t’i funksionalizojmë BRENDA NESH e në dobi të vetvetes, e jo t’i dogmatizojmë, apo t’i bëjmë program për veprime antikombëtare apo për veprime anti-amerikane a anti-evropiane.
Rrënjët hiqen nga regjimi komunist për shkak të urrejtjes ideologjike ndaj Perëndimit. Vazhdoi me ideologjitë orientale (pra: jo me vlerat orientale, por me ideologjinë si të tillë) dhe, kur kjo nuk bëri punë tash, u shpikën DEKONSTRUKCIONISTËT “për t’i çmitizuar” historinë dhe figurat kombëtare me proveniencë europerëndimore! Çfarë bëjmë, vetëm e vetëm të mos jemi europerëndimorë?! Njëherë bëhemi ”vëlla me turkun”, përqafojmë ideologjitë neo-otomane; u ngjamë atyre antikapitalistëve më të mëdhenj në kohën e diktaturës e këto nostalgji na vrasin edhe sot; mandej bëhemi filoamerikanët më të thekur, vetëm të ikim prej Evropës dhe prej vetvetes… dikur na teket të bëhemi antiamerikanë (me anë të kritikës a ndaj “magnatëve të kapitalizmit amerikan” e mandej, përqafojmë ideologji ekstreme terroriste orientale që predikohen nëpër mjediset tona të shenjta)… Këto janë shenja të një LUHATJEJE IDENTITARE…
Migjeni do të thoshte: Hiçi brageshat!

(Prend Buzhala)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.