Kisha e vjetër katolike në Draç – Podgoricë – nga Dom Nosh Gjolaj

0
560

Komuna e Podgoricës, përkatësisht, Titogradi, e nacionalizon kishën dhe tokën e kishës, dhe në fund ja jep ushtrisë jugosllave, ku rrënohet kisha dhe qela e kishës, gjatë vitit 1957, dhe në vend ndërtohet Shtëpia e ushtrisë (1962).

Për të shkruar një histori, siç është famullia e Podgoricës, nuk është lehtë, është një djerrinë e papërpunuar deri më sot. Rrënjët e kësaj famullie janë, që nga argjipeshkvia e hershme e Duklës, me fjalë tjera, paleokrishterimi i hershëm, e vazhdojnë në Mesjetë pastaj Mesjeta koha e Perandorisë Osmane. Ideologjia e propaganda e pansllavizmit, ideologjia moniste e komunizmit, janë faktorë dëmtues në historinë e famullisë, përkatësisht katolicizmit etj. Duhet që historianet të shkunden nga paragjykimet dhe ideologjitë si dhe bindjet shoviniste, që nuk janë në të mirën e historisë, si shkencë.

Vendbanimet parahistorike i gjejmë në këto treva, që nga koha e Gurit. Në periudhën Ilire, këto treva ishin të banuara nga fiset ilire, Labeate dhe Dokleate.
Ipeshkvi i parë i njohur Dioklejës ishte me emrin (Evander) Euander (450). Organizimin e kishës përkatësisht bashkësisë krishterë në Diokle, në gjysmën e shekullit VI, dëshmon një mbishkrim i gdhendur në gur, që gjendet në kapelën e varrezave. Sipas mbishkrimit, kapela është ndërtuar prej DIAKONISES AUSONIA EX VOTO. Siç shihet, bashkësia e krishterë kishte edhe rregullin e diakonisave.
Një apo dy kilometra nga Dioklea në veri të fusha e Zllaticës (Podgoricë) janë gjetur rrënojat e një bazilike. Në pjesën e epërme është një sarkofag. Llogaritet se ky objekt është ndërtuar në periudhën romake, sipas ekspertëve ka qenë e veshur me pllaka mermerit dhe dekoruar me mozaik (Përveç rrënojave arkeologjike sot është edhe lokaliteti i quajtur lugina e ipeshkvit).
Jo larg këtij lokaliteti, gjenden rrënojat e nji ure, që është ndërtuar, sipas disave në shekullin e VII, për mbi Moraç, e cila ka lidh Dioklen me Zllaticën. Disa historian, mëndojnë, se ura u ka shërbyer besimtarëve që të vinin në manastirin, përkatësisht kuvendin e benediktinëve në Zllaticë. Fatkeqsisht rrënojat e qytetit të Diokles i shfrytëzuan gurët e latuar për të ndërtuar kullën e turqve Depedegen, si edhe shumë shtëpia tjera në qytetin e vjetër të Podgoricës, po ashtu edhe Xhamia e Gllavatit. Jo vetëm se, e kanë demtuar, duke plaçkitur thesaret e qytetit të Diokles gjatë shekujve, por gjatë komunizmit ndërtohet hekurudha nëpërmes qytetit të Diokles që lidh Podgoricën me Nikshiq.
Qyteti i vjetër merr emrin Ribnica. Sipas traditës, këtu ishte i lindur edhe Stefan Nemanja, i cili pagëzohet sipas ritit latin apo katolik (sipas disave në Kuvendin e Benediktinëve Shën Mhilli në Dinosh apo në Zllaticë, a sipas tjerëve në kishën e Shën Gjergjit në Podgoricë.
Sipas Bogumil Hrabak, në hapësirën e ngushtë të Podgoricës ka pasur shumë lagje, si dhe kisha. Në pjesën e Dojanit, quajtur Lontodokla, kishte fortesë me disa kisha.
Podgorica kishte disa kisha dhe kuvende. Gojëdhënat e të vjetërve, tregojnë për kuvendin e rregulltarëve në Pobrezhje, pastaj kishën në Draç, sot te shtëpia e Gjeçeviqëve janë rrënojat e kuvendit dhe kishës. Pastaj, ishte te Ribnica, quajtur mëhalla e kishës (Kish mahall), rruga që çon te Sahat Kulla, në stacionin e autobusëve. Po ashtu, edhe në lagjen e Çepurkës nën Luboviq ishte një kishë.
Në një tekst të vitit 1886, “Glas Crnogorca”, nga dr.Petar Miljaniq, përkujton, se në shtëpinë e Ujkasheviqëve në Pobrezhje, mund të shihen dhjetra gur të mëdhenj, që dëshmojnë se burojnë nga kisha e dikurshme, ku ishin gravura e ikona.
Nga kishat para periudhës osmane, është ruajtur vetëm kisha e Shën Gjergjit, nën Goricë që duket se është ndërtuar nga shek. X ose XI. Sipas Aleksandar Deroko, thekson, se kisha e Shën Gjergjit, përmban stilin e kishave katolike Mesjetare, që ishte karakteristik e kishave në Dalmaci.
Sipas gojëdhënës, e kemi edhe një kishë të vogël katolike në Draç, quajtur edhe “Cvjetni Breg”, pranë shtëpisë së Kol Gjyshit Pecaj dhe kjo kish ishte në varrezat e vjetra katolike të Podgoricës.
Më 17 prill 1906, kërkohet të blejnë tokën e varreve. Blihet në Kryedraç (pranë kishës së sotme). Por sa janë të vjetra këto varreza ende nuk dihet, sipas një mbishkrimi të një varri ku shkruhet: “BJESHKE BACJA – nëna e Zef Dodës Ivanaj 1833 – 1893. Në këto, apo pranë varrezave katolike të Podgoricës, përveç besimtarëve të famullisë janë edhe ushtarët e luftës Ballkanike, kryesisht shqiptarët katolikë nga Shqipëria e Veriut (1911 – 1913), mes tyre ishte edhe Zef Prek Ujka (Gjolaj) nga Kësheva i cili u plagos rëndë në luftën e Deçiqit dhe vdiq në Podgoricë.
Këtu pushojnë ushtarë të rënë në Luftën e Parë e të Dytë Botërore.
Gjatë vitit 1971, në mënyrë barbare i thyjnë rrasat e varrezave pas një pamfleti. Deri më sot kurrkush nuk ka marrë përgjegjësin, dhe drejtësia nuk ka shkuar në vendin e duhur!

Famullitari i fundit françeskanë që do të shërbejë në Podgoricë është p. Ëngjëll Vjerdha i cili gjatë bombardimeve të Podgoricës, përkatësisht më 5 maj 1944, ku dëmtohet kisha. Para bombardimeve p. Ëngjëlli e çoi arkivin, që ishte mjaft i pasur si dhe librat e amzave, dhe bibliotekën në famullinë Bajzës – Shqipëri.

Sipas historianit Pjetër Ivezaj, banorët e Podgoricës kryesisht ishin nga fiset në fjalë, si fjala vjen Omerbozhaj ishte Lama e Grudës dhe Ivezajt e kishin Draçin deri te ura e Ribnicës, Gjolaj dhe tjeret Grudas e kishin Kryedraçin dhe Konikun, Trieshi dhe Koja e kishin Zagoriçin etj.
Me ardhjen e malazezve në Podgoricë, shumica e banorëve të Podgoricës shpërngulen në Shkodër ose në Tuz, dhe në vend tyre vijnë malazeztë, që e ndërruan strukturën e banorëve dhe etnive të kësaj qyteze.

Famullia e Zemrës Krishtit – Podgoricë…. Fillon si qendër e Misionit Françeskan që nga viti 1867 me të njëjtin pajtor, themelohet më 1903, dhe rikonfirmohet më 1966, në lokalet e reja – Konik ku shërbejnë Salezjanët.
Gjuha: Shqipe 80% dhe gjuha kroate (20%).
Besimtarë: më se 2000.

Shkruan: Dom Nosh Gjolaj SDB (kapelan në Podgoricë), në “MONOGRAFIA E ARGJIPESHKVISË SË TIVARIT”, Tivar 2017./Anton Pllumaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.