“Fshati i Heshtjes” – Shënime dhe reflekse leximi nga Zija Vukaj

0
341

Leximi i një vepre letrare, qoftë prozë, qoftë poezi është një veprim intelektual që ndiqet nga mbresa dhe përjetime të ndryshme, të cilat të shoqërojnë edhe gjatë leximit, por edhe pasi e ke përfunduar atë. Kjo është sa veçori e lexuesit aq edhe vlerë dhe meritë e veprës.  Ky roman i shkrimtarit Mark Lucgjonaj, më ka dhënë para së gjithash dëshirën për meditim dhe një lloj nxitjeje të dashurisë për jetën, për traditën, për vendlindjen dhe për larminë e karaktereve njerëzore të vendosura në sfondin e një fshati shqiptar dhe të kundruara nga syri i paanshëm i një udhëtari të huaj. Po të sjellim parasysh elementët që përbëjnë një vepër të prozës së gjatë, pra të romanit dhe po të duam të bëjmë një analizë të plotë e të thellë të veprës, natyrisht që do të flisnim për ndërtimin e saj kompozicional, për narracionin me linjat e tij, për fiksionin dhe realitetin, për gjuhën dhe stilin, për personazhet dhe skenat apo mjediset. Dhe përgjatë këtij procesi analizues do të identifikonim arritjet dhe vendet ku duhej përsosur diçka më shumë në vepër etj. Por unë do të identifikoja si elementin më të fortë të veprës rrëfimin, pra narracionin, linjën kryesore dhe nyjëzat e nevojshme apo të domosdoshme të subjektit, që autori ia ka sjellë lexuesit me një gjuhë të kthjellët, të çiltër, gati të brishtë, duke dhënë me një forcë rrëmbyese tablo të gjalla dhe tipare e veti mbresëlënëse të tipave të jetës. Natyrisht që rrëfimi ekziston dhe mbahet gjallë nga personazhet, një pjesë të të cilëve autori, si për t’i ngjyer me një tipar dominues u ka dhënë emra që tashmë janë kthyer në arketipe, si Nopça dhe Jungu, por edhe fshati, ky fshat i heshtjes, pa emër, anonim, një ferrparajsë e vogël, ku duket sikur eposi i kreshnikëve është fosilizuar në toponime dhe patronime, si: Konaku i Mujit, Shpella e dëshirave, Vija e zezë, ( jo lugjet e verdha), Gjonishi, Jerina etj., i plotëson kushtet më së miri për të qenë një teatër veprimesh i një drame që përzihet e shkrihet natyrshëm me drama të tjera personale e kolektive dhe varion e alternohet mes reales e sureales në një habitat që duket më shumë si një fshat i parë ëndërr. Vepra është strukturuar mbi një narracion linear, linja e të cilit përshkon dhjetë kapituj. Sipari i veprës hapet me skenën tragjike të vdekjes së Ilonës, që krijon një impresion të fortë tek lexuesi e pastaj imazhi i saj që nderfutet në shumë skena e sekuenca të romanit dhe rri pezull përgjatë gjithë jetës së protagonistit dhe skenave të veprës, duke u bërë shpesh element determinues që përcakton në mjaft raste sjelljen, reflektimet e deri edhe vendimet e Nopçës. E gjithë ngjarja, me nyjëzat e vogla narrative konsiston në inkursionin e personazhit Ludvig Nopça, nga mjediset metropolitane të Evropës dhe aroma e bibliotekave, drejt një bote të panjohur e thuajse ekzotike, gati si paraardhësit e tij të dikurshëm me të njëjtin mbiemër; por me qëllime sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme prej tyre. Të ngjashme për shkak të etjes për fosile të kulturës shpirtërore që mund të jenë konservuar në zona të ndryshme të Ballkanit, nën etjen romantike për të zbuluar vende dhe popuj,por të ndryshme për shkak të efekteve të kohës dhe gjurmëve të globalizmit kulturor që Nopçës së ri i rezervohen në epokën e tij moderne. Siç pritet, ky udhëtim kulturor shndërrohet në një përvojë shumë interesante, jo edhe aq nga ajo çfarë fshati i heshtjes i ofron një udhëtari studjues për qëllimet e tij kulturore, se sa për skenat dhe peripecitë që i rezervohen Nopçës në këtë mjedis nga njerëzit e tij të pazakontë e gati të çuditshëm, me profilet historitë, sjelljet, pasionet dhe makthet e tyre. Përmes personazheve, që janë edhe banorët e këtij vendi gjysmë të egër, shpalosët edhe shpirti i një popullit që jeton sipas traditave dhe ligjeve të veta, të ngulitura që prej kohëve që nuk mbahen mend dhe qe hera-herës parqiten në trajta tribale, të egra e gati armiqësore, nën heshtjen hermetike që kohët e vuajtjeve kan stampuar në shpirtrat e këtyre njerëzve që dashurinë dhe urrejtjen i kan të natyrshme e të pavetëdijshme. Autori Lucgjonaj e ka realizuar dinamiken e kohës, rriedhjen e ngjarjeve dhe veprimet në një natyrshmëri të admirueshme. Ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe mëngjeset, drekat, pasditet, netët vijnë e sendërtohen nga përjetimet e personazheve. Profilet e personazheve janë mjaft të spikatura dhe historitë e tyre që në fillim ngjajnë me pjesët e një pazëlli, vijnë e harmonizohen në një sfond të përgjithshëm të një tabloje që merr dora-dorës trajtën e qartë të një telajoje të përfunduar. Të realizuar janë monologët e brendshëm të personazheve, ku autori ka shpalosur edhe fraza mjaft të zgjuara që hera herës marrin trajta aforistike dhe mishërojnë edhe sintezën e mençurisë popullore, por edhe aftësinë meditative të shkrimtarit. Përmes gojës së personazhit kryesor, autori pohon: “ Mos tento të ikësh, sepse ikja vetëm të merr kohë dhe nuk të shëron nga e keqja”, (fq.58).

Përshkrimet, sidomos ato të mjediseve të fshatit e të natyrës, janë mjaft të freskëta dhe interesante, gati idilike. Në sfondin e të gjitha përshkrimeve të këtij vendi misterioz, spikat liqeni, si elementi më relevant, por edhe si arketip epik dhe memorie historike. Marrëdhënjet e autorit me fjalën janë mjaft të mira; stili i zhdërvjellët dhe gjuha e thjeshtë dhe e shkathët i kanë dhënë në mjaft vende kësaj proze një ritëm poetik.

Zija Vukaj, Shkodër

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.