“Në mes të ditës” Poezi nga Rrok Berishaj

Për poezinë si art dhe “lexuesin si kritik”!

0
207

Poezia është art i fjalës së gdhendur, art i fjalës së shkurtë por të thellë, fjalës që depërton në brendësi por që buron nga brendësia. Pra, ai që shkruan vargje, di t’i gërshetojë të gjitha këto teknika, ai do të mund të quhet poet, në kuptimin e plotë të fjalës. Bazuar në ato që thamë më lartë, mund të konstatojmë se: jo të gjithë ata që shkruajnë vargje, bëjnë poezi. Mirëpo nuk duhet harruar edhe një gjë shumë me rëndësi, niveli i lexuesit, ai që e konsumon poezinë dhe njohuritë e lexuesit për artin poetik. Kështu, shpesh lindin keqkuptime e reagime të ndryshme që vijnë si pasojë e mosnjohjes së poezisë, teknikave të saj dhe botës së thellë poetike e cila për disa persona edhe pse të shkolluar në drejtime që do të duhej të njihnin bazat e Teorisë së Letërsisë, përsëri, nga leximi i pakët që bëjnë, nga mos-leximi e ndoshta fare në fund nga përzgjedhja për të lexuar pseudo poet/ shkrimtarë, poezinë e nënçmojnë si një zhanër të lehtë.

As ky shkrim, e as poezitë që trajton kjo përmbledhje poetike, nuk synojnë që të lexohen e vlerësohen nga kjo “kastë” njerëzish. Arti ka për qellim ta paraqesë të bukurën dhe kërkon mendje të bukur për tu kuptuar drejtë. Ndryshe, arti është vetëm një shkarravinë në sytë e një mendje përplot shkarravina.

 

Në mes të ditës”: Poezi që fton për reflektim!

Përmbledhja poetike me titull  interesant : “Në mes të ditës”,  të fton të mendosh gjatë, që në kopërtinë, është botuar nga shoqata Illyricum, në vitin 2001 dhe përbëhet nga rreth shtatëdhjetë poezi, të ndara në katër grupime të ndryshme: ëndrra gogishte, kur shkruaj, jeta pa ty dhe gërsheto ëndrrat gërsheto.

Nisur nga vetë titulli, “në mes të ditës”, që është një varg në vete, një vazhdim i procesit të filluar më parë, autori paralajmëron shumë. Paralajmëron se ato që shkruhen këtu, nuk janë të fshehta, por janë ngjarje që zhvillohen në mes të ditës, ose janë zhvilluar në mes të ditës. Ndërsa poshtë titullit, lexojmë viti 2001?! Një vit mjaft i njohur për ne, një vit i cili  shënon decenien e dytë të tranzicionit. Koha kur të gjithë njerëzit ishin të shqetësuar, të çuar peshë në një farë mënyre nga jeta e re që po trokiste në derë, nga sistemet e reja politike e shoqërore, nga mundësitë e reja apo dëshpërimi i asaj që kanë pritur se do të vinte por që në fakt nuk ka arritur as sot. Këtu poeti është një nuhatës i mirë i situatës, një njeri si gjithë të tjerët, që ec me të gjithë, nëpër gjithë këtë tollovi fatesh, por me një ndryshim të madh nga ata, ai i vrojton më i qetë këto zhvillime duke i qitur në letër përshtypjet e në disa raste në formë profetike. Mund ta them hapur se poeti ka shumë dëshirë që ta parashikojë të ardhmen dhe jo në pak raste ia ka qëlluar.

 

Menjëherë pas titullit, një varg i vetëm tregon për lidhjen e poetit me fjalën: më iku një varg…

Poeti sikur do të thotë se atij por edhe vendit i kanë ikur shumë sekonda, shumë minuta, shumë vite, shumë mundësi në jetë e që nuk kthehen më. Sikur porositë që të bëjmë kujdes për jetën, për gjërat e sajë të bukura që ikin lehtë dhe shpejt, pa u vënë re. Dhe për këto, normal se një ditë do të pendohemi.

Poeti e do shumë drejtësinë dhe e vuan padrejtësinë që ka sjellë koha e re, koha që premtonte diçka më të bukur, realen dhe jo maskën. Gjithashtu ai ve ne dukje se njeriut i ka rënë vlera, jetës i ka rënë vlera deri në atë nivel sa që edhe peshku ka filluar të ushqehet me njerëz.

 

Figuracioni në këto poezi është shumë i fortë, mirëpo ajo që ndoshta i bën të veçanta këto poezi është gjuha e thjeshtë me të cilën poeti ka krijuar kode të komplikuara. Leximi i këtyre poezive nuk është një hartë që të tregon terrenin nëpër të cilin do të kalosh pa të hyrë therrë në këmbë. Jo! Në një poezi që ndoshta ka vetëm katër vargje, poeti, nga deti që paraqitet në një varg, kalon nëpër liqen, mal e deri në fushë. Harta e botës poetike të Berishaj-t nuk është ajo harta reale por harta metaforike. Me qënë se poeti preferon që poezinë ta shkruaj shkurt, nga dy vargje deri në njëzet vargje maksimumi, ai e gdhend mirë fjalën dhe e mpreh shumë duke prodhuar një metaforë sa therëse aq edhe prekëse.

Poezitë e këtij vëllimi, kërkojnë një lexim të kujdesshëm, pasi të detyrojnë që të mendosh, të meditosh drejt asaj bote kaotike që autori paraqet. Ikje, humbje, shuarje ëndrrash, egërsi, prapambetje, moral të ulët, botë që po zhvishet nga gjithçka e gjithkush.

Nëpër këtë botë, autori paraqet shpirtra të trazuar dhe perëndi ose Zota që qajnë.

Ndërsa, në shumicën e poezive, mbretëron një qajtje për një dashuri të humbur, një mundësi që vjen vetë një herë në jetë dhe sikur autori nuk do ta thotë hapur por e ka koduar shumë mirë. Ai e rrëfen përmes shpresës në shpresë, pritjes së kotë dhe rrotullimit në një vend pa gjetur shteg për të dalë. Por nuk është se ka ngecur e dështuar vetëm dashuria. Kjo është vetëm një pjesë e jetës e cila në fakt, për poetin dhe ata që vrojton ai përreth, tërhiqet zvarrë nga gjendja kaotike që mbretëron.

Gjatë leximit të poezive, vërehet se ato nuk kanë shenja pikësimi dhe nuk fillohet asnjëherë me shkronjë të madhe, mirëpo ajo që më duket tejet interesante është se poezitë e Berishaj-t, komunikojnë njëra me tjetrën, plotësojnë njëra tjetrën dhe qarkullojnë nëpër kohë pa kufi.

Edhe pse nuk ka shenja pikësimi, pyetja retorike paraqitet shumë shpesh, si një pyetje që na fton që të reflektojmë. Në fakt, unë këtë përmbledhje me poezi e kam cilësuar si poezitë që na ftojnë të reflektojmë dhe se edhe sot, gjashtëmbëdhjetë vjet pas botimit, në shumë çka, ne kemi ngelur në kohët e katallanëve dhe Oso Kukës, ashtu siç e paraqet edhe poeti.

Msc. Mark Lucgjonaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.