At Zef Pllumi për Prëk Calin

0
976

Prijësi kelmêndas, Prêk Cali, bashkë me malsorë luftoi sundimin osman, iu kundervu zgjerimit malazez, mbrojti integritetin territorial të Shqiprisë dhe kundërshtoi komunizmin sovjetik. Nënshtrimin e Malësisë, çka krajl as sulltan nuk arriten, arriti bolshevizmi enverist nën flamur jugosllav. Shumë atdhetarë, intelektualë dhe klerikë që kontribuan për kauzën kombëtare u likuiduan dhe dokumente te vlefshme historike që gjendeshin veçmas në arkivat e klerit katolik u dërguan për Beograd.

“N’ dérë të kullës ai ka bâ bé,
dèr’sa t’shkoi ky qiell mbi dhé,
Krajl as Mrêt nuk kam mè i lânë,
mè m’i mâtë bjeshkët me pllâmë…”

«Po të kqyrni hartën gjeografike të Shqipnisë, atje në pjesën mâ veriore të saj depërton si nji pykë në tokën jugosllave, nji pjesë e Malsisë së Madhe që quhet Kelmênd.

Luftat e Kelmêndit kundra pushtimit turk janë të njoftuna edhe në historinë arkivale. Kelmêndasi âsht prototipi i atij shqiptari që nuk don me iu nënshtrue kurrkúj. Kelmêndi përfshîn bajrakët e Selcës, Vuklit e Nikçit, me shumë katunde tjera, si Tamara, Broja, Vermoshi, Lëpusha etj. Në kohë të vjetra këta kishin luftue me turq, ndërsa në gjysën e dytë të shekullit të kaluem edhe në fillim të këtij u gjet gjoks për gjoks me Malin e Zí.

Në kohën për të cilën po flas, Kelmêndi kishte shumë burra të mirë e të fortë, por mbi të gjithë përmêndej Prêk Cali, nji burrë i gjatë 2.16m, e i pashëm. Edhe se Kelmêndi kishte 3-4 bajraktarë, në kohën e vet Prêk Cali i kishte prî popullit të Kelmêndit si kundra malazezve, ashtu edhe në opozitë me Zogun: kërkonte që Kelmêndi të ishte Kelmênd, që nuk i nënshtrohej kurrkúj.
Pranoi burgime e internime gjatë regjimit zogist, por ishte kryenaltë e i papërkulun, siç e thirrshin: “shtizë e bajrakut”.

Sjelljet e partizanëve në Shkodër e Malsí u muerën vesh menjiherë në Kelmênd. Kelmêndasit kishin ndigjue se në vallet partizane, sa herë shtrojshin ndokênd në hû të torturave, këndohej:
“luaje, luaje , goce këmbënë,
t’ia ………. Gegës mëmënë”.

A mund e duronte këtë turp Kelmêndi? Vendosën mos me e lëshue vêndin pa gják. E dijshin mirë se dikur do të nënshtroheshin, por jo kurrë me vullnet si krahinat tjera…»

At Zef Pllumi – “Rrno vetëm për me tregue” (f. 28)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.