Shenjat e një guximi letrar autori Mark Lucgjonaj i ka shfaqur qysh në romanin e tij të parë “Fshati i heshtjes”; e tani kemi përpara një vepër, që të provokon intelektin, jo më me analizat e procedimeve klasike, mbështetur në aftësitë riprodhuese të realitetit e pse jo edhe në teknikat tipizuese të skenave dhe të personazheve, të pamjeve mbresëlënëse dhe melodramave të jetës, të kthyera në melodrama artistike; por me rrymën e fyqishme të fiksionit dhe të elementëve konvencionalë që krijon shkrimtari i guximshëm për lexuesin e guximshëm. Para veprave dhe kuturisjeve të tilla analistët dhe estetët vrasin mendjen dhe torturohen në sprova taksonomike, gjasme për t’i klasifikuar e kanalizuar në rryma e zhanre, në moderne apo postmoderne, në reale apo surreale etj. Mendoj se përpjekja për të standardizuar artin, për ta kthyer mendimin kritik në shkencë ekzakte, është një përpjekje pa fryt, që çon në keqkuptime, në mbingarkesa terminologjike, në klishe që thajnë dhe paralizojnë origjinalitetin dhe perceptimin vetanak të veprës. Vetë Umberto Eko, një nga eruditët planetarë më të spikatur thoshte: “Unë nuk e kuptoj termin ‘postmodern’”. Së këtejmi mendoj se lexuesi është një entitet po aq i rëndësishëm sa edhe krijuesi. Në procesin e çdo komunikimi, qoftë ky edhe artistik dhënësi (romancieri) dhe marrësi (lexuesi) kanë të njëjtën rëndësi, pasi nuk mund të imagjinohet njëri pa tjetrin. Në rastin tonë të këtij romani me titull “Ligji i maskave”, lexuesi futet vetë në lexim dhe meditim. Dhe hyrja në këtë galeri është në fillim e thjeshtë, e lehtë. Rruga për të hyrë është ajo e zakonshmja, e njohura, tradicionalja. Thuajse lineare. Nyjëza të vogla narrative që ndjekin hapat apatikë të protagonistit Aleksandër (alterego e autorit) në një hapësirë ku ndodhin gjëra fare të vogla, nën diktatin e një kotësie ekzistenciale afër spleen-it bodlerian. Jetë province, njerëz të vegjël, probleme të vogla, statueta njerëzore të projektuara qysh në kohëra të hershme, nën një dekor po aq të hershëm e stereotipik. “Aroma e kotësisë po i mbyste të gjithë, ndërsa një amulli ndihej kudo.” Fq.12.  Në këto pasazhe të veprës autori Lucgjonaj ia ka dalë të vizatojë jo vetëm atmosferën inerte, si prelud i gjërave që nuk shkojnë në kahjen e duhur, por edhe të realizojë përmes digresioneve të impostuara në monologun e brendshëm të personazhit, shprehur në letërkëmbimin e tij drejtuar shokut, Agronit, gjykime dhe përsiatje meditative e filozofike për jetën në një kapitull të tërë eseistik të shkrirë në sharmin e një parashtrimi të hijshëm letrar: “Sa shumë gënjeshtra paska jeta (…) Fillimisht kujton se të kanë gënjyer ata që të kanë krijuar, pasi përballesh me vetveten real ashtu siç është në të vërtetë dhe jo ashto siç të kanë thënë të tjerët. (…) Po gabove do të vuash secilin gabim që ke bërë dhe pastaj duhet të jesh i fortë që të guxosh përsëri të synosh diçka të njëjtë. (…) Rinia të mëson të jesh revolucionar, t’i rrish në krah të vërtetsë dhe të drejtës.”

Në dinamikën narrative që është mjaft e ngjashme me ritmin e një jete monotone fillojnë ca spikama dhe tallazitje në fillim dhe në dukje të thjeshta, por që më vonë marrin trajta të thella dhe plazmojnë një realitet me nota absurdi. Këto “zhurma jete”, herë si thashethemnaja, herë si sekuenca të shpejta filmike me portrete që humbasin e shfaqen, me ngjarje që sajohen e marrin forma irreale, janë kapur me mjeshtëri nga autori Lucgjonaj dhe janë përpunuar me intuitë në mekanizmin artistik të një lloj realizmi magjik. Kjo veshje artistike; kjo alegori e guximshme- pra alegoria e maskave është gjetja kryesore dhe elementi determinues ideor dhe stilistik e kompozicional i veprës. Pas kësaj gjetjeje, që kthehet në element kryesor, gjithçka bëhet dytësore dhe vihet në funksion të saj. Edhe vargu i ngjarjeve, edhe monologjet, edhe përshkrimet, edhe dialogjet apo digresionet, gjithçka është dominuar nga ky element i fuqishëm- maska– dhe marrëveshja me lexuesin është vendosur menjëherë, si në teatër. Natyrisht që arketipi maskë është i njohur dhe mjaft i pëlqyer nga arti dhe letërsia si dhe nga elementët periferikë e qendrorë të ontologjisë njerëzore. Mjafton të kujtojmë veprën e famshme të Pirandelos “Maschere nude.” Në historinë e vet njeriu e ka shpikur e përdorur maskën si strehë për t’u mbrojtur, por edhe si pritë apo pusi për të sulmuar. Si vuajtje, por më së shumti si djallëzi. Maska është frikë nga realiteti, është frikë nga vetja, por edhe të fut frikën me pamjen e saj të gënjeshtërt e të pazakontë. Por këtu autori Lucgjonaj e ka stilizuar maskën me efektin e mashtrimit, të gënjeshtrës, të djallëzisë, të falsitetit. Dhe ka luajtur bukur me paradoksin e gënjeshtrës dhe të së vërtetës. Maska është kthyer në ligj, këtë autori na e gdhend qysh në titull. Është domethënëse ajo që ndodh në ditën e karnavaleve. Ligji ka vendosur që atë ditë të hiqen maskat. Por vetëm atë ditë. Së këtejmi raporti moral mes së mirës dhe së keqes është përmbysur. Nëse një herë në vit shoqëria njerëzore kishte të drejtë të vinte maskën, pra vetëm për karnavale, ky ligji i ri me të cilin punon shoqëria e sotme urdhëron njerëzimin që vetëm një ditë në vit të ishte i ndershëm. Dhe paradoksalisht, bash në ditën tradicionale të fshehjes së fytyrës. Gjetje mjeshtërore! Autori nuk ka harruar të evidentojë se këshilli i ka anëtarët e vjetër, se loja e falsitetit nuk është shpikur sot dhe mekanizmat e fuqishëm që e kanë mbajtur dhe ruajtur prepotencën e këtij ligji kërkojnë ta forcojnë e ta bëjnë të trashëgueshme. Por jo vetëm kaq! Ta bëjnë ligjin e vetëm të jetës; ta bëjnë kushtetutë. Dhe efektet e saj të marrin trajtat e një apokalipsi të kulturës shpirtërore e materiale që kanë ndërtuar brezat. Së këtejmi paraqitet edhe rezistenca që elementët pozitivë, përparimtarë e patriotë i kanë bërë rrezikut të kësaj lozhe masonike me efekte asgjësuese të kulturës dhe të trashëgimisë së brezave. E gjitha kjo, mishëruar më së miri në figurën e personazhit Kol. Autori Lucgjonaj e ka veçuar një çikë nga rreshti i personazheve fiktivë plakun Kol. Ky individ ka një aureolë misterioze. Ngjan si një copë shkëmbi, si një kockë e fortë e sekretit të mbijetesës e të rezistencës së genit të të parëve. Rrëfimet e tij kufizojnë me sekuenca bëmash konspirative, por simbolika mbetet e qartë artistikisht. Këtu nuk kemi templarë, por Kullarë. Përfaqësuesit gjenetikë të vazhdimësisë; ruajtësit e sekretit të asaj që autori e quan bukur Ëndërr jete. “Kështu këta Kullarët, sepse kështu quheshin, krijuan një zinxhir njerëzor aq të fortë, të bazuar më së shumti në mbajtjen e sekretit dhe veten e quajtën Të parët.” (Fq.111) Këtu jemi në një luftë që në fillim paraqitet si okulte, si një rrjet rekrutues me maniera djallëzore me qëllim që të gllabërojë brenda qerthullit së saj elementin e ri e të vyer, mishëruar tek protagonisti, por më pas ashpërsohet duke u kthyer thuajse në përplasje mes ndërtimit dhe shkatërrimit të vlerave. “Për të ruajtur diçka– shprehet autori – duhet prishur diçka tjetër, ndërsa Aleksandri ndjente frikë të madhe se po shkatrrëoheshin ato që duheshin ruajtur. (…) Projektet e shkatërrimit janë gjithmonë më të shpejta se ato të ndërtimit.” (Fq.104)

Ligji i maskave që po vendos hegjemoninë është simbolika e një asimilimi kulturor dhe gjithë hipotipoza e gjetjeve artistike në formën e detajeve që interferojnë me elemente giallo, si ai i çelësit të plakut Kol, i baulës, i hartës, i tekstit në formën e një testamenti me shije biblike përforcojnë idenë e domosdoshmërisë së ruajtjes së trashëgimisë dhe në një shikim përsijatës na kujtojnë neve, lexuesve, dramat që pësoi populli ynë në trashëgiminë e vet nga mungesa e gjuhës së shkruar ose nga shkrimi i saj i vonë. Ëndërr jete– do të parafrazoja autorin në atmosferën e një duble coding-u. Por përtej këtyre, nga arsenali simbolik i Ligjit të maskave mund të veçojmë edhe zakonet e përbotshme të hipokrizisë njerëzore të instaluara në realitete të virgjëra humane, si stade moderne zhvillimi. Në një maskaradë të vogël që luhet në pallatin e kulturës nën ndriçime skenike infernale, me emra të stilizuar e arketipalë personazhesh, zbulohet akoma më mirë struktura e organizatës së Ligjit të maskave, si demaskim total i ndërtuesve dhe predikuesve të moralit fals. Lufta kundër rrymës së Ligjit të maskave peshon e tëra mbi supet e Aleksandrit dhe finalja e romanit përforcon idenë e qëndresës dhe të rezistencës si alternativë e vetme ku individi gjen kuptimin e ekzistencës së vet.

Përfundimisht mendoj se ky roman përbën një stad zhvillimor në veprimtarinë e autorit, një rritje artistike, që pasqyrohet në gjetjet e guximshme, në përzgjedhje dhe përdorim mjeshtëror të teknikave letrare dhe në një forcë shprehëse, sintetizim mendimi dhe përvijime situatash e personazhesh si realitete dhe fiksione artistike. I uroj autorit suksese të tjera në rrugëtimin e vet me dinjitet në fushën e artit të bukur të fjalës.

Zija Vukaj

Tuz, më 08. 10. 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.