Nga Luan RAMA

Të pohosh në mënyrë absolute se shqiptarët nuk janë konvertuar me dhunë, siç pohohet në librin Pax Albanica, më duket disi e ekzagjeruar. Po ju sjell një nga shembujt që shkon në kundërshtim me tezën që mbrohet.

Jean-Claude Faveyrial (1817 – 1893), është i njohur tashmë nga bota shqiptare përmes librit të tij “Historia e Shqipërisë”. Ai ishte një nga personazhet spikatëse në Gadishullin Ballkanik si një nga përfaqësuesit më në zë të Kishës lazariste të shenjtit Saint Vincent de Paul. Një personazh që iu kushtua popujve të këtij rajoni me tërë humanizmin që mund të mbartë një zemër, një jetë. Por ajo që përbënte dhe karakteristikën e tij themelore ishte se kudo që shkonte, edhe pse në emër të fesë, ai ishte një mbrojtës i së drejtës dhe së pari i lirisë, i gjuhës dhe kulturës së popujve dhe komuniteteve. Ai ishte kundër shovinizmave kudo që ato shfaqeshin, çka e bënte këtë figurë një personazh humanist. Mik i madh i shqiptarëve, ai ishte njëkohësisht dhe i vllehëve, i bullgarëve, etj, duke i bërë thirrje gjithnjë tolerancës dhe mirëkuptimit të popujve. Faveyrial ka mbajtur një lidhje të vazhdueshme me shqiptarët dhe ishte pikërisht udhëtimi i tij në jug-lindjen e Shqipërisë, në Korçë e Voskopojë, që e nxiti ta shkruante historinë e vjetër të shqiptarëve.

Ja si e kujton ai në dorëshkrimet e veta këtë udhëtim, shënime që i gjetëm në arkivin e Misionit Lazarist në Paris, (Congrégation des Missions Lazariste): «Ka dy vjet që shkova dhe unë në Shqipëri. Gjatë tetë orëve ne ishim nëpër pyje, midis shkurreve, në pjerrësira dhe në mes të maleve. Në sajë të Zotit, ne nuk na ndodhi ndonjë gjë. Përse? Sepse ne ishim nisur papritur, pa i thënë askujt dhe pastaj, me siguri që ishte Zoti ai që na mbronte. Por tetë ditë më pas, një shqiptar që protestonte kundër qeverisë ishte kapur në mes të pyllit që ne sapo kishim kaluar dhe e kishin çuar në Shqipëri, nga ku nuk u kthye, veç, siç më tregoi më pas ai, duke paguar 1000 livra turke, d.m.th. 12.000 franga, të cilat ia kishin dërguar që nga Amerika. Megjithatë, gruan, siç thoshte dhe feja, e kishin respektuar. Duke qënë në Korçë, (Gortcha – Dardha), nga dritarja e dhomës ku isha, ndiqja lëvizjet e njerëzve në tregun e qytetit. Ç’tipa të ndryshëm burrash e grash dhe çfarë atmosfere e rëndë. Ata shkonin, vinin, e blinin pa e ngritur shumë zërin. Ç’kontrast me ata që kisha parë në Greqi. Më së fundi, nga mbrëmja, dola dhe shëtita nëpër treg. Ngado më vështronin, meqë kisha një veshje të veçantë me rrobën dhe kapelen e priftit katolik, veshje e kapele që ata s’i kishin parë që prej shumë shekujsh. Me siguri që në vende të tjera më kanë sharë për këtë, por në Korçë aspak. Dhe nëse më vështronin gjatë, ata më shikonin me një vështrim të matur e hijerëndë. Tri ditë më pas unë u nisa dhe guvernatori «par interim», një shqiptar, na shoqëroi me dy xhandarë gjer përtej atyre maleve jo aq të sigurta, të cilat i kishim kapërcyer kur kishim ardhur. Në një vizitë që i bëra në konakun e tij, ai u habit që unë e njihja aq mirë historinë shqiptare. «Ne kemi urdhër, – më thoshte ai, – të ngrejmë këtu një shkollë të përbashkët për mësimin e gjuhës turke e franceze, ku këtë shkollë ta frekuentojnë të gjithë…» Të krishterët, nga ana e tyre më pohuan dëshirën e tyre që të hapnin në Korçë një shkollë, ku të mësohej gjuha franceze dhe shqipe…»

Së pari gjuha

Faveyrial e kujtonte me një kënaqësi të veçantë udhëtimin e tij në Korçë e Voskopojë, çka dhe e shtyu t’i kushtohej vite të tëra historisë shqiptare e ballkanike në përgjithësi, ku një seri botimesh i referohen vllehëve dhe bullgarëve. «Që nga ajo kohë, – shtonte ai rreth udhëtimit në Shqipëri, – një nga priftërinjtë tanë e hapi një shkollë për vllehët. Ish-peshkopi fanarist nuk kishte thënë gjë për këtë, edhe pse ndjente një lloj pakënaqësie të cilën e fshihte, por pasuesi i tij në krye të kishës ishte shumë i irrituar. «Ti duhet ta mbyllësh patjetër atë shkollë! – i thoshte Harallambi priftit tonë. – Po ç’e keqe u gjen nga kjo? Ju grekët, keni të tilla shkolla në Greqi. – Po, kemi, por unë nuk dua shkolla të tilla në dioqezën time. – Jo, nuk mund ta mbyll, sepse me këtë shkollë ha bukë! – Po u jap unë një kishëz… – Jo, nuk dua, aspak. – Atëherë do tu drejtohem autoriteteve të këtushme. – Kjo nuk bëhet. Unë shpesh e kam takuar guvernatorin dhe ai s’më ka thënë asgjë për shkollën. – Atë që ai s’ka bërë deri tani, do ta bëjë! – Të shohim! – dhe ai doli.

Kur e la peshkopin, popi Harallamb shkoi të takonte bejlerët muslimanë, mikun e tij, dhe i tregoi për gjithçka. – Mos kini frikë, vazhdoni detyrën tuaj, – i kishte thënë Belul Beu.

Pas disa kohësh, një shqiptar i krishterë, një beqar i pasur në Bukuresht, propozoi të linte si trashëgimi një shumë prej 25.000 napolonash për qytetin e Korçës, por me tri kushte : që të hapej një shkollë shqipe; të caktohej një mjek për të ndihmuar falas të varfrit dhe të paguheshin martesat e të varfërve. Si përgjigje, peshkopi dhe grupi i tij u mblodhën në arqipeshkvi dhe falënderuan shqiptarin e pasur, duke thënë se qyteti s’kishte nevojë për paratë e tij. Por 250 familje të krishtere, të mbështetur nga bejlerët myslimanë e pranuan trashëgiminë dhe i adresuan atij falënderimet e tyre. Kur morri letrën e tyre, shqiptari hapi një llogari jo në emër të peshkopatës, por të një personi të veçantë. Ata që kishin kërkuar do të kishin 25.000 napolonat dhe të tjerët asgjë. Atëherë Harallambi u nis me ca instruksione për qëndrimin që duhej të mbanin vllehët e Korçës dhe pjesën që do u takonte në këtë veprimtari shkollore.

Nga ana ime u dhashë vllehëve nja 50 medalione. Më kërkuan dhe të tjera…

Duke folur rreth këtij udhëtimi dhe përshtypjeve që kishte pasur, sipas dhe relacionit që i dërgonte superiorit të tij fetar në Paris, pesë vjet më vonë, Faveyrial i kujtonte atij se «Nga shkollat vllehe ne kaluam tek shkollat shqiptare. Në Korçë nuk kishte shkolla aty ku kishim kaluar pesë vjet më pare, (viti 1884), ndërsa tani kishte një të tillë.[1] Eshtë ende e vogël dhe pa peshë, por ajo gjendet në duar të mira dhe na duket e shkëlqyer idea e shqiptarëve për të pasur sulltanin si mbrojtës të tyre. Peticioni i votuar në Bukuresht më 26 maj të vitit 1889, jo vetëm që është një shprehje e besnikërisë kombëtare, por ishte dhe një protestë solemne kundër përpjekjeve të Greqisë dhe sistemit antikristian, të cilin kleri fanariot vë në praktikë në Shqipëri. Por po aq sa dëshirojmë përparimin shkencor të shkollave shqiptare, qoftë në Korçë apo diku gjetkë, po aq dëshirojmë që toskët të krijojnë njerëz filantropë, ashtu siç kanë bërë dhe gegët në Prizren, (viti 1888). Nuk mjafton vetëm të ndriçosh shpirtin nëpërmjet një arsimimi të mirë, por duhet të lehtësosh dhe mangësitë e trupit. Ndërsa në shkollat greke të Korçës, formohen vajza tekanjoze e jo me shpirt të dhembshur…»

Voskopoja e shenjtorëve

Vizita në Voskopojë ka për At Faveyrial imazhe tronditëse: shtëpi të rrënuara dhe kisha të shkatërruara me kambanore të shembura. Një stuhi e tërbuar fanatizmi dhe fondamentalizmi kishte kaluar mbi atë qytet që dikur ishte një nga qendrat më të lulëzuara të Shqipërisë së jugut. Lumturisht, shumë nga afresket në muret e kishave nuk ishin dëmtuar. Ai e njihte mirë historinë e kësaj qendre të madhe të kulturës në të gjithë zonën e jugut shqiptar. «Moskopoli dhe Voskopoja, – do të shkruante më pas ai, – ishte për vllehët e Pindit të lartë, ashtu siç kishte qenë Meçova për vllehët e Pindit të poshtëm. Por këto dy qytete nuk patën të njëjtin fat dhe të njëjtën rëndësi. Meçova ekziston ende, ndërkohë që Voskopoja është shkatërruar. Voskopoja kishte tri kisha të mëdha: ajo e Shën Mërisë, e Karallambit dhe e Shën Nikollës. Ajo kishte më se 45.000 banorë. Shkollat e saj ishin të shumta dhe në lulëzim. Ato frekuentoheshin jo vetëm nga fëmijët e qytetit, por dhe nga të ardhur të tjerë nga Nikolica, Lipoteni dhe nganjëherë edhe shumë larg. Nga Voskopoja, ashtu si nga Janina, për të përfunduar studimet, shkohej më pas në shkollat e Italisë … Plaku Nikarush më thoshte për Voskopojën se ky qytet i lulëzuar u plaçkit për herë të parë në vitin 1753 ose më 1754. «Hordhitë osmane të Dangëllisë dhe Kolonjës, – shkruan Pouqueville, – qenë fillimi i këtyre fatkeqësive. Ata plaçkitnin karvanët dhe vrisnin ata që vinin në tregun e këtij qyteti. Për Shqipërinë e Epërme, pasuria e Voskopojës dhe Vithkuqit ishte një burim begatie. T’i shkatërroje ato, ishte si të shkatërroje vendin. Por a është parë ndonjëherë që banditët të arsyetojnë?…”

Megjithatë Voskopoja do të plaçkitej përsëri më vonë dhe këtë At Faveyrial e kishte mësuar nga dëshmitë e shumë prej voskopojarëve që i kishte takuar dhe që ende banonin atje.

«Voskopojarët, – më thoshte një ditë Potliu plak i Ohrit, – ia vunë fajin luksit të tepruar të femrave të tyre. Kjo është aq e vërtetë, saqë vetë Perëndia vuri në punë duart e njerëzve të ligj për të çuar në udhë të drejtë ata që kanë dalë nga udha e Zotit. Duke e parë të pamundur të qëndrojnë në një vend të mbushur me armiq, voskopojarët kërkuan një garnizon. Por garnizoni përfundoi atë çfarë kishin filluar kaçakët e tjerë. Dhe atëherë, të gjithë të pasurit e braktisën këtë vënd të mallkuar, njëri pas tjetrit, (v. 1780).

Ka të ngjarë që të emigruarit nga Voskopoja krijuan atë kohë komunën e madhe Peçera në Rodop, atë të Rogotinës, pranë Manastirit  dhe të tjerët, komunën e Arvanitohorit, gjysmë ore në perëndim të Tërnovës së madhe. Kur “kersalët” erdhën për të plaçkitur fshatin e tyre, këta të fundit kaluan në Vllahi…»

Kujtimet e Faveyrial janë të shumta. Një interes të veçantë ai tregoi për letërsinë e shkruar nga vetë shqiptarët dhe nuk mungon të shkruaj për disa nga rilindasit shqiptarë që iu kushtuan letërsisë dhe shkrimit të shkronjave shqipe. «Një dibran i krishterë, – shkruante ai në shënimet e tij, – më tregoi, në vitin 1866, ngjarjen e mëposhtme që kishte ndodhur në Dibër. Një mysliman plak kishte gjetur një libër të krishterë në shtëpinë e tij. Nga kureshtja, ai e kishte lexuar atë libër dhe në fund, kishte kuptuar kotësinë e myslimanizmit, siç thoshte ai. Duke mos mundur ta mbajë të fshehtë këtë bindje të tij, ai e bisedoi këtë me fqinjët. Fjala e tij zuri vend, për më tepër ngaqë ishte një burrë i nderuar nga të gjithë. Sa për librin, të cilin ai e shikonte si shkak të konvertimit të tij, mendoj se ishte Cuneus Prophetarum[2] i imzot Bogdanit, arqipeshkvit të Shkupit, libër për të cilin unë kam folur. Por sidoqoftë, të nxehur nga idetë e plakut, myslimanët e tjerë e kallëzuan atë tek pushteti. Çështja iu dërgua Portës së Lartë dhe përgjigja ishte që ose ai duhej të ndërronte mëndje, ose duhej të vdiste. Meqë ai nuk deshi të heqë dorë, atëherë atij i prenë kokën. Kjo ndodhi më 1854 apo 1855… Më 15 mars të vitit 1887, gjendesha në Shkup dhe imzot Carev më tregoi një libër të Imzot Bogdanit që e kishte titullin «E vërteta e pagabueshme e Besimit Katolik», libër që ishte shtypur në Venedik në 1691, tek shtëpia botuese «Albrizzi». Imzot Carev më thotë se letërkëmbimi i Imzot Bogdanit me Romën ekziston ende. Hirësia e tij më pohoi se Pjetër Bogdani, i kthyer në dioqezën e tij pas dështimit të ushtrive austriake, vdiq në Janjevë, ku gjendet po ashtu dhe varri i Imzot Mazrekut…»

Faveyrial tregon dhe një histori tjetër që kishte ndodhur në vitet 60’-70’ të shekullit XIX, kur në Prizren e Gjakovë kishin ndodhur trazira të mëdha dhe ku dy grupe shqiptarësh po vriteshin mes tyre. «Kjo përplasje e ethshme, – shkruan Faveyrial, – ndodhi për shkak të një vajze myslimane nga Zadrima, e cila kishte qenë edukuar në një familje katolike, përballë shtëpisë së saj. Meqë i kishte mësuar shumë mirë lutjet, dhe pasi kishte mësuar mirë fenë katolike, kjo vajzë deshi të bëhej katolike dhe të martohej me një katolik. Në të vërtetë ajo u martua dhe u dërgua te një i afërm i djalit, në Gjakovë. Më pas në Prizren, ajo deklaroi në «mexhlis», pra në të popullit, se ishte katolike dhe se donte të mbetej katolike. Me të marrë lajmin se çfarë po ndodhte në Prizren, mirditorët, me në krye Bib Dodën, morën armët. Fatmirësisht, trupat e ardhura me nxitim nga Manastiri arritën para mirditorëve, përndryshe do të kishte plasur lufta. Gjithsesi, që të qetësoheshin shpirtrat, autoritetet kërkuan që vajza me burrin e saj të largoheshin nga Prizreni. Fakti është se ata nuk vonuan të kthehen në Shqipëri dhe se tashmë, (viti 1884), mesa duket, gjenden në rrethinat e Zadrimës…»

Historia e mirditorëve bëhet një temë e parapëlqyer e Faveyrial dhe kjo kuptohet. Ishin mirditorët në ato shkrepa të humbur që mbanin ende gjallë frymën dhe flamurin e katolicizmit. Princi i mirditasve Bib Doda, kishte vdekur më 28 korrik të vitit 1868, por siç flitej në popull, ai nuk kishte vdekur nga një vdekje natyrale, por ishte helmuar, meqë kishte patur konflikte me Portën e Lartë të Stambollit. Thuhej se ai kishte qënë ftuar në një drekë të madhe nga një «mirallai» shqiptar i quajtur Salik, por ai dhe trimat që e shoqëronin kishin vdekur njëri pas tjetrit pas tri javësh. «Dhjetë ditë pas varrimit të Bib Dodës, – shkruan Faveyrial, – varri i tij ishte hapur dhe kufoma ishte gjymtuar. Atij i ishin nxjerrë sytë, i kishin prerë hundën, veshët, buzët, duart e këmbët, i ishte hequr zemra dhe i ishin shkëputur pjesët burrërore. Me marrjen e këtij lajmi, gjithë Mirdita u ngrit e tëra në këmbë si një trup i vetëm dhe gjaku do të derdhej lumë. Këtë priste dhe Ismail Pasha, sepse ai donte të bënte një masakër mbi këta të ashtuquajtur rebelë. Por konsujt e Francës dhe të Austrisë, z. Obaret dhe Duçizi e kuptuan qëllimin e guvernatorit. Ata ndërhynë dhe iu bënë mirditorëve premtime, por që më pas nuk u mbajtën… Disa shkodranë më tregojnë një ditë, se duke e parë që po vdiste, Princi i mirditorëve kërkoi të thirrej konsulli i Francës dhe i tha: «Ja im bir, ja dhe paratë e mia. Po t’i besoj ty. Gjithçka që më takon është nën kujdesin tënd. Sa për mua ka mbaruar gjithçka. Unë s’do të merrem më dot me ato». Faveyrial kishte gjetur dhe një korrespondencë nga Shkodra, botuar nga gazeta La Turquie, e Konstantinopojës, ku shkruhej për funeralet e Princit. Në të shkruhej se konsulli i Francës mbante për dore djalin e Bib Dodës (i cili kishte lënë dhe një vajzë 16 vjeçare), duke i paraprirë kortezhit dhe se katër anët e arkivolit mbaheshin nga konsujt e Austrisë, Rusisë, Italisë dhe sekretari i konsullatës së Rusisë…” Padyshim një ndërmarrje e jashtëzakonshme për një prijës shqiptar.

Në analet e Misionit Lazarist të Parisit janë dhe një sërë letrash e korrespondencash të Faveyrial me familjen e Princit të Mirditës Bib Doda, (Prenk Bib Doda, Davidika Bib Doda, Margela Bib Doda, Primo Doçi apo «monsinjorë» të tjerë), çka tregojnë lidhjen e fortë të Faveyrial me shqiptarët. “Ne e shohim Bib Dodën për herë të parë në Konstantinopojë para Luftës së Krimesë dhe pastaj pas kësaj lufte, – shkruante Faveyrial. – Meqë perandori Nicola I i kishte shpallur luftë Turqisë, sulltan Abdyl Mexhidi kërkoi ndihmën e mirditorëve dhe Bib Doda udhëhoqi drejt kësaj lufte 500-600 luftëtarë. Kur disa prej tyre u vranë, Bib Doda shkoi të rekrutonte të tjerë dhe meqë ai mungoi në front, Omer Pasha i çarmatosi trimat e tij: një pjesë i futi nizamë në radhët e ushtrisë së tij dhe të tjerëve u tha të kthehen. Princi kërkoi pushkët që Omer Pasha u kishte marrë mirditorëve. Por ai u mbajt në Konstantinopojë, meqë Turqia donte ta fuqizonte Mirditën për t’ia kundërvënë Malit të Zi. Për këtë arsye, donte t’i bashkëngjiste asaj Dibrën dhe trevat malore të Cernagorës…”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.