Ai që shkruante “si i thonte shpirti pa pyetur për pasojat”, larg shgarravitjeve letrare të kohës; me një guxim politik prej intelektuali që plotësohej me guximin artistik të shkrimtarit, mungonte në Panairin e 9-të të Librit.  Ndër 100 Shtëpi Botuese pjesëmarrëse në Panairin e Tiranës vetëm dy prej tyre dukej se i kishin kushtuar një vëmendje minimale këtij autori që një pjesë të madhe të veprës së tij vijon ende ta ketë dorëshkrim.

Kasëm Trebeshina, jo vetëm nën tutelën komuniste me të cilën nuk u pajtua aspak, por edhe sot kur stenda e letërsisë është e hapur edhe për poetët 16-vjecarë, mbetet në raporte të vështira me botuesit, saqë kemi frikë se ka mbetur ende i palexuar dhe pakuptuar nga letërsidashësit.

70 vjet krijimtari e tij duket se është pak për të bindur botuesit që ta konsiderojnë Trebeshinën. Vepra e tij që ka filluar të shkruhet që në vitet ‘40, të habit për fuqinë realiste dhe epizmin e brendshëm, elementët psikologjikë, vashdimësinë historike që u bën brezave dhe morinë e madhe të përplasjeve, konfliktualiteve që i ndodhin njeriut të gjorë shqiptar.

***

Tek “Odin Mondvalsen” kur një nga oficerët e Sigurimit të shtetit i thotë Odinit se do t’i rrjepë lëkurën, ai i përgjigjet: “Shumë keq, me sa di unë lëkura e njerëzve nuk është e mirë për këpucë…”. Sic duket lëkura e regjur e Trebeshinës ju vjen e ashpër botuesve apo njerëzve të kulturës. Në një letërsi që duket se politika ende i përcakton fatin, Trebeshina duket se nuk ka gjetur vend. Hierarkia e molepsur e vlerave duket se e ka mbuluar me heshtje këtë shkrimtar, zëri i të cilit vazhdon të mbetet në trajtën e një monologu të trishtë që për dëshmitar ka vetëm muret e shtëpisë në të cilën banon. Pena e tij edhe pas 70 vjet krijimtarie vazhdon të qëndisë para një auditori të munguar.

Me të drejtë shtrojmë pyetjen, a ekziston “Çështja Trebeshina”? A është dëgjuar ndonjëherë klithja e tij e brendshme që është më tepër se një këmbanë alarmi për hierarkinë e sotme të vlerave në letërsi? Komercialiteti i letërsisë, mbushja e faqeve të zvetënuara të gazetave me batuta dhe “sugjerime psikoterapike” e largojnë letërsinë nga e vërteta.

Për shkrimtarin nga Kosova Nazmi Rrahmani edhe sot e kësaj ditë mungon respekti dhe vendi i merituar për Trebeshinën. Ai shton se “prezantimi i veprës së tij është vlerë kulturore që e ka borxh edhe shteti”. Ndërsa për kritikun Adriatik Kallulli Trebeshina është një tragjedi e madhe e letërsisë shqiptare. “Ai mposhti diktaturën dhe nuk po boton dot veprat e tij”, shprehet ai.
Por sipas drejtorit të Shoqatës së Botuesve shqiptarë Fatmir Toçi, “çështja Trebeshina” ka të bëjë me raportin kërkesë-ofertë. Sipas tij “panairi është i hapur për cdo shkrimtar që do të promovojë krijimtarinë e tij”. Kjo duket e parealizueshme financiarisht për Trebeshinën. Botuesi i “Globus R”,Petraq Risto shprehet se Trebeshina ka mundur të dalë në treg vetëm me ndihmën e Shoqatave Kulturore.

***

“Çështja Trebeshina” bëhet më tragjike po të shohësh njohjen e dobët që gëzon sot ky shkrimtar. Në një anketë të realizuar me studentët e Letërsisë dhe të Gazetarisë, ky emër ishte i panjohur për një pjesë të madhe të tyre. Në anketimin tonë modest rioshët njihnin më mirë se si “gjuhen” të mëdhenjtë, thashethemet familjare të tyre, por jo veprën e një njeriu që i vetëm i doli në ballë luftës për një letërsi larg ndikimit të Realizmit Socialist. Nuk e dinin që Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e “letërsisë së kuqe” dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij. Ata nuk e njihnin as “Promemorien” e guximshme drejtuar “Luigjit tonë të XIV & kakofonisë”.

Ndodh shumë herë që të lakohen shumë shkrimtarë, ndoshta ndonjëherë edhe të akuzohen, të hidhet baltë, për disa të tjerë edhe të fshihet ai farë “pluhuri i kuqerremtë” që ka mbushur figurat e tyre; por ende nuk është denjuar për të kaluar limitin Trebeshina. Ka ardhur koha për të nxjerrë në dritë të vërtetën e tij, të cilën edhe erresira komuniste nuk mundi ta fshehe dot, përveçëse ta gjymtojë mizorisht (më tepër se personin Trebeshina, letërsinë shqiptare). Ndërsa për kritikën “borxhet që i kanë këtij shkrimtari, kritikët, letrarët dhe lexuesit do t’ia shlyejnë një ditë me siguri”.

***

Mbas kësaj analize dhe ballafaqimi faktesh, i mbyllim këto radhë duke shtuar pyetjen: përse sapo mundohet njeri të kritikojë shkrimtarët tanë të shquar, që shkëlqimin e morën me veprat e tyre gjatë periudhës se Realizmit Socialist, me vrap do të gjuajnë me baltë e lënë në hije viganin Trebeshinë? Sepse nxjerrja në dritë e kollosit  ua evidenton “zbehtësinë” do shkrimtarëve e ua nxjerr zbuluar hijet. E vërteta kërkon që drita dhe hijet e secilit jo vetëm të nxirren në shesh por edhe të krahasohen. Ky, i vetmi kriter sipas të cilit do të shquhet kush është titan e kush pigmè.

***

Nazmi Rrahmani: Mungon respekti për veprën e Trebeshinës

Si e gjykoni veprën e Trebeshinës?
Vetë jeta e Trebeshinës duhet të ishte interesante dhe plot kureshtje jo vetëm për lexuesit, por dhe për njerëzit e politikës dhe të kulturës. Përvec të tjerave dhe veprimtaria krijuese e Trebeshinës që ka vijuar që në 37-ën, në internime dhe në liri, i ka dhënë shumë letërsisë sonë. Duhet përmendur romani i parë “Këngë shqiptare”, një prej veprave më të rëndësishme në një kohë që letërsia shqiptare kishte shumë pak prozë. Edhe dramat e tij kanë një rëndësi të veçantë në dramaturgjinë shqiptare. Gjithashtu poezia e tij që me kohë nuk ka arritur t’i jepet lexuesit dhe të bëhet pronë e tyre, por ka mbetur dorëshkrim që edhe sot e kësaj dite i mungon respekti dhe vendi i merituar.

Veprën e tij e ka mbuluar një heshtje që nga koha e diktaturëes deri sot. Cilat mendoni se janë arsyet?
Interesimi i munguar i botuesëve për t’i dhënë lexuesve të librit veprat e Trebeshinës, që janë të rëndësishme për kulturën shqiptare dhe për fazat e zhvillimit të saj, është faj i madh. Dorëshkrimet e tij nuk duhet të shikohen si çështje ekonomike me të cilat mund të nxjerrë përfitime botuesi. Prezantimi i veprës së tij është vlerë kulturore që e ka borxh edhe shteti.

Sa është tërhequr nga lexuesi vepra e Trebeshinës?
Trebeshina nga natyra nuk është insistues. Ai pranon një realitet, nuk i imponohet askujt dhe nuk pranon të jetë i nënçmuar ose i nënshtruar. Për arsye që dihen proza e tij nuk është në tirazhe të mëdha, por libri i Trebeshinës që u nxor në panairin e Prishtinës në maj të këtij viti ishte ndër më të shiturit e Shtëpisë Botuese “Faik Konica”. Edhe drama që sapo pa dritën e botimit ka pasur interes të veçantë në panairin e Tiranës.

Çfarë vendi zë Trebeshina në hierarkinë e vlerave në letërsi?
Mendoj se botimi i disa veprave të tij i ka bërë nder Shtepisë Botuese dhe mua si botues. Atij i takon të jetë në mesin e shkrimtarëve më të mirë shqiptarë.

Xhafer RAKIPLLARI – Gerti ISALLARI
Publikuar në GazetaStart.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here