Kontributi i Urdhërit Françeskan në Shqipëri – nga Jerina Rasha

0
589

Nga Jerina RASHA

5 Nëntori ishte përvjetori i ditës së Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Ne fakt duhet të ishte festë zyrtare dhe të zhvilloheshin aktivitete në kujtim të tyre me qëllim për të sjellë në kujtesë apo për të hedhur dritë sado pak mbi atë çfarë ato ishin dhe çfarë gjurmësht kishin lënë në këtë jetë kalimtarësh në dobi të Shqipërisë…
Personalisht, ka disa kohë që i studioj me qëllim që të bëj diçka apo ti shërbej disi për t’i kthyer sado pak një borxh që në fakt çdo shqiptar i ka… Por, më shumë hulumtoj, më shumë lexoj, më impenjative bëhet çështja! Kjo sigurisht nuk më frikson, por më shton masën e përgjegjsisë, pasi të shkruash apo të flasësh për jetën dhe veprën e tyre, në gjykimin tim, duhet të jesh në “lartësinë e duhur” dhe mbase unë akoma nuk e kam fituar këtë vetbesim. Por, dua të rrëfej se këto kohë “mes tyre” trishtohem, por edhe lumturohem pafund…Më ligështon vdekja e tyre, vuajtjet, por me gëzon pamasë jeta që kanë jetuar plot dije e ndriçim… Sa shumë ka për të rrëfyer…, por sot do të shkruaj dy fjalë për një pjesë prej tyre! Do të shkruaj për komunitetin e Françeskanëve Shqiptar.
Kush ishin Françeskanët dhe çfarë kanë bërë përgjatë shekujve njerëzit e këtij urdhëri në dobi të zhvillimit të shoqërisë shqiptare?
Në fakt nuk janë të vetmit, por edhe Françeskanët kontribuan fort në ruajtjen e identitetit, traditave, zakoneve, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ata, shpesh e bënë këtë në kushte shumë të vështira, historike e politike dhe në periudha të caktuara kjo, i kushtoi jetën.
Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 dhe pushtimit të gjithë Shqipërisë nga osmanët, manastiret françeskane ose u shkatërruan krejtësisht ose pësuan dëmtime të mëdha. Gjatë kësaj periudhe e patën shumë të vështirë komunikimin me vëllezërit e tyre jashtë trojeve shqiptare. Kështu lindi nevoja të bëhej një riorganizim dhe në vitin 1585 Pader Francis Gonzaga, Superiori i këtij Urdhëri, krijoi një administrim të ri me vulë të vetën që ruhet edhe sot e kësaj dite. Pas këtij organizimi të ri, në shekullin e XVI-të, edhe pse nën pushtimin osman, Provinca e Françeskane Shqiptare, kishte 28 manastire dhe shtëpi strehimi.
Një rëndësi të veçantë ka patur edhe kontributi i fretërve të huaj në Shqipëri, i cili ka ndikuar në pasurimin e vlerave dhe trashëgimisë tonë kulturore e fetare. Më 13 janar 1634, një grup françeskanësh arritën në Shqipëri nga Venecia e Raguza. Dy vjet më vonë erdhën edhe nga Roma e qytete të tjera të Italisë. Ata nuk ishin vetëm priftërinj, ishin mjekë, mësues apo me zanate të tjera nga më ndryshmet dhe punuan kudo nëpër Shqipëri. Mësuan gjuhën, traditat dhe zakonet tona. Hapën shkollat e para në Blinisht (Zadrimë) në vitin 1629, në Pëdhanë në 1638 dhe më vonë, po atë vit, edhe në Shkodër. Në këto shkolla fëmijët mësonin lexim, shkrim dhe katekizëm.
Nuk qe një mision i lehtë, pasi ato u përballën me persekutimet e vitit 1634 e më pas ato të viteve 1639 – 1644. Persekutimi i klerit të Kishës Katolike ishte më i ashpër veçanërisht gjatë mosmarrëveshjeve politike apo luftërave mes Osmanëve dhe Republikës së Venecias (1646 – 1649). Ishin simbol i identitetit shqiptar dhe jo rastësisht viktimat e para ishin ato të urdhërit françeskan. Persekutimet vazhduan edhe në shekullin që vijoi (1718). Turqit i varnin ata para popullit të Shkodrës për t’i bërë shembull për të gjithë të tjerët që bënin rezistencë.
Kur stuhia e persekutimit u qetësua, Z. Francis Boliko i Kotorrit, mik i pashës turk në Shqipëri, ndihmoi misionarët të riktheheshin në trojet e tyre. Kështu filluan rindërtimet e çelave, kapelave dhe kishave të dëmtuara. Që nga vitin 1882 Françeskanët, hapën kolegjin për të rinjtë që dëshironin të bëheshin fretër dhe në vitin 1905 shkolla bëhej totalisht në gjuhën shqipe.
Me gjithë kushtet e vështira, tensionin politik dhe instabilitetin e gjithanshëm ky komunitet u rrit dhe u forcua më shumë se kurrë. Ata nxitën ndjenjën e bashkimit të mbarë shqiptarëve, zgjuan ndërgjegjen e popullit për të ruajtur pavarësinë dhe integritetin kombëtar. Këtë e arritën veçanërisht përmes hovit që i dhanë edukimit serioz në shkollat shumë forta që ata ngritën. Si fillim, vetë disa prej tyre si Atë Gjergj Fishta, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Pashko Bardhi dhe Atë Lorenc Mitroviçi perfunduan studimet në Bosnje Hercegovinë. Më vonë, do bëheshin drejtues të provincës, mësues, shkrimtarë, studiues, poetë dhe udhëheqësa shpirtëror të kombit të tyre.
Edhe pas Luftës së Parë Botërore, të tjerë françeskanë u dërguan jashtë vendit për studime më të avancuara. U shkolluan në Austri, Itali, Belgjikë, Holandë dhe Francë. Fretërit shqiptarë kur përfunduan studimet e tyre u kthyen në Shqipëri me zellin për t’iu futur punës dhe për të rifituar traditën, zakonet dhe kulturën e të parëve, të dobësuar gjatë shekujve të fundit për shkak të luftrave, pushtimeve dhe politikave të gabuara. Motoja, që u bë edhe programi i veprimit, ishte: “Per Atme e Fé” (për Atdhe e Fe). Këtë detyrë që i kishin vënë vetes si qëllim, e kryenin si nëpër malësi, ashtu edhe nëpër fshatra e qytete. U bënë të njohur në të gjithë trevat shqiptare… Përveç Fishtës dhe Gjeçovit, shumë të dashur për njerëzit ishin Pader Vinçenc Prennushi, Pader Anton Harapi, Pader Justin Rrota, Pader Gjon Shllaku, Pader Bernardin Palaj, Pader Donat Kurti, Pader Martin Gjoka e të tjerë.
Drejtuesit e Urdhërit, në fillim të shekullit të njëzet-ë, menduan t’ua lënë në dorë fretërve të rinj të gjitha punët e nisura e të mbajtura ndër shekuj, shpesh herë me sakrifica ekstreme. Atë Enrik Girardi, drejtori i shkollës, në vjeshtën e vitit 1902 i dorëzoi drejtorit shqiptar, Atë Gjergj Fishtës vulën e shkollës fillore, regjistrat dhe amzën.
Atë Gjergj Fishta kishte filluar të njihej për poezitë e shkrimet e tij, oratorinë dhe zotësitë për çëshjet fetare, gjuhësore, letrare e kombëtare. Sapo mori detyrën si drejtues i shkollës, Fishta menjëherë vuri gjuhën shqipe si gjuhë mësimi ndër të gjitha lëndët dhe afroi mësues shqiptar të cilët ishin grupi i parë i edukatorëve civil. Mes tyre ishin vëllezërit Marushiq nga Zara: Mjeshtër Kola e Mjeshtër Marku si dhe Mati Logoreci e Gaspër Beltoja. Lëndët në këto klasa ishin të zhvilluara sipas programeve të shkollave austriake. Përveç lëndëve të përgjithshme mësohej gjuha gjermane dhe ajo turke. Të gjithë studentët që dolën nga kjo shkollë arritën me sukses të ndiqnin studimet më të avancuara në vendet e huaja që ata dëshironin, qoftë në lindje apo në perëndim.
Rreth vitit 1905 – 1906 hapën shkollën e natës për personat që punonin gjatë ditës në mënyrë që çdokujt t’i krijohej mundësia për t’u shkolluar. Shkolla françeskane gjithashtu u jepte mundësi që të edukoheshin edhe të varfrit duke i ofruar jo vetëm dije, por dhe ushqim e veshmbathje.
Një kontribut që sot e kësaj dite të gjithë shqiptarët anë e kënd gëzojnë falë tyre është Çështja e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Fishta në vitin 1908 ishte pjesë e Kongresit të Manastirit si përfaqësues i Shoqërisë Letrare “Bashkimi” dhe mbas performancës së denjë që pati u zgjodh kryetar i komisionit për Trajtimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Porta e Lartë e Stambollit, duke marrë në konsideratë dhe duke vlerësuar veprimtarinë e Shkollës Françeskane, në vitin 1909 i dërgoi drejtorisë së shkollës njoftimin se e njihte atë zyrtarisht.
Duke patur parasysh ecurinë e punës dhe përvojën që krijoi ky staf akademik në më pak se dy dekada, në shtator të 1921 u hap gjimnazi, për të gjithë të rinjtë që dëshironin të studionin në këtë cikël shkollor. Atë Gjergj Fishta ishte njëherësh drejtor i gjimnazit dhe drejtor i shkollës fillore. Gjimnazi fillimisht nuk kishte tekste të botuara, por vetëm dispensa në formate dorëshkrimesh. Me kalimin e viteve të gjithë dorëshkrimet që shërbenin si tekste shkollore u botuan e disa prej tyre u zëvendësuan me tekste të tjera më të përshtatshme për kohën. Vitet e fundit të jetës së kësaj shkolle, gjimnazi françeskan do të quhej Liceu Illyricum.
Në vitin 1938 – 1939, shkolla, pas drejtimit të Pader Gjon Shllakut, pati si drejtor Pader Donat Kurtin. Kjo periudhë përkoi me kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në këtë moment qeveria e re e kuptoi qëndrimin e qartë të Françeskanëve të cilët nuk e miratuan pushtimin italian dhe vazhdonin të ruanin të njëjtat ndjesi kombëtare. Si ent moral kërkonin që Shqipëria të ishte e pavarur dhe të kishte të drejtat e veta. Për këtë motiv Shkolla Françeskane u përball me jo pak probleme, por i rezistoi kohës dhe pavarësisht peripecive nuk u arrit që të mbyllej.
Në nëntor të vitit 1944, kohë politikisht kritike për Shqipërinë, ushtria gjermane zaptoi për nevoja ushtarake ndërtesën e shkollës fillore dhe atë të gjimnazit, kështu në dhjetor të po atij viti, shkolla u mbyll. Pas largimit të ushtrisë gjermane, në prill të vitit 1945 Shkolla Françeskane u mbyll përfundimisht në të gjitha ciklet e saj për të mos u hapur më kurrë…
Gjurmët e sandaleve të Fretërve janë në shumë fusha të zhvillimit shoqëror të kombit tonë. Përveç kontributit në fushën e arsimit, françeskanët ndikuan edhe në fusha të tjera të jetës së shqiptarëve. Në vitin 1916 ata sollën në Shkodër shtypshkronjën, në të cilën u botuan 112 vepra të ndryshme në gjuhën shqipe. Atë Gjergj Fishta është autori i 17 veprave letrare. Atë Shtjefën Gjeçovi, mbodhi nga gojëdhënat popullore atë çfarë ishte më e bukur nga gjuha dhe doket tona dhe la të shkruara 7 vepra të ndryshme, mes tyre “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Atë Vinçenc Prennushi, i quajtur “poeti i amelcisë”, ka disa botime letrare kryesisht me poezi. Atë Marin Sirdani ishte një historian që botoi vepra të ndryshme historike. Atë Anton Harapi u mor me studimin dhe botimin e veprave filozofike dhe sociologjike. Atë Justin Rrota ishte linguisti shqiptar, veprat e të cilit janë edhe sot e kësaj dite ylli polar për studjuesit e kësaj fushe. Atë Bernardin Palaj dhe Atë Donat Kurti janë dy mbledhësit e folklorit shqiptar, të këngëve dhe rapsodive më të bukura të Veriut të Shqipërisë.
Të përkohshmet dhe fletoret që u botuan për një periudhë jo të vogël kohe ishin një tjetër mjet për të përhapur kulturën, për të informuar qytetarët dhe për t’i edukuar ata. Në vitin 1913 në drejtimin e Atë Gjergj Fishtës doli e përkohshmja letrare – kulturore “Hylli i Dritës” që ishte “vendi” ku ndër vite u mbodhën shumë penda të rëndësishme nga e gjithë Shqipëria. Gjithashtu u botuan edhe revista të tjera që patën impaktin e tyre pozitiv në shoqëri, por Hylli mbetet me e rëndësishmja ndër to.
Françeskanët i kushtuan vëmendje të veçantë edhe fushës së arkeologjisë. Ata hapën muzeun me objekte të vjetra dhe pinakotekën me piktura me vlerë. Ai që e pati më shumë për zemër arkeologjinë ishte Atë Shtjefën Gjeçovi i cili u mundua vetë, por nxiti edhe të tjerët të mblidhnin e të ruanin objekte të vendit dhe të popullit shqiptar. Gjeçovi shkroi disa herë mbi këtë subjekt dhe shtyu funksionarë të lartë të shtetit të formonin komisione të posaçme për këtë qëllim duke treguar ndjeshmëri madhe dhe duke e konsideruar këtë një çështje delikate dhe të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Gjithashtu një meritë të pamohueshme ata e kishin për arsimin e gruas shqiptare, të cilët përmes Motrave Stigmatine (murgeshat e Urdhërit të Shën Françeskut) arritën të hapnin foshnjoren, shkollën fillore dhe më pas Normalen Femërore.
Veprimtarisë së këtij komuniteti filloi t’i vinte fundi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe me instalimin e Diktaturës Komuniste në Shqipëri. Provincës të motshme të fretërve shqiptar, të pranishëm në vendin tonë për shekuj me radhë iu dha goditja e fundit… I konfiskuan pronat, i mbyllën shkollat, i burgosën, i dënuan pa faj, i vranë, i internuan sëbashku edhe me meshtarë të tjerë e jo vetëm, por mbi të gjitha, iu nëpërkëmb e iu zhduk vepra…
Ndër të paktët që shpëtuan gjallë nga një kalvar i gjatë vuajtjesh ishte Atë Donat Kurti, njëri nga autorët e Visareve të Kombit. Kishte studiuar në Romë, autor i studimeve mbi historinë e artit në Shqipëri, njeri me një kulturë shumë të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe kishte talentin e pikturës. Ai ishte mbledhësi dhe botuesi i përrallave të moçme shqiptare. U arrestua në 1946, u torturua në burg ku kaloi plot 17 vite. Pas vdekjes i janë gjetur 19 dorëshkrime, kryesisht mbi folklorin. Këto dorëshkrime do t’i shërbejnë studjuesve të ardhshëm të kësaj fushe…edhe pse Padër Donat Kurti kishte vetëm një merak: “Gegënishtja jonë po harrohet dhe pa të nuk mund të kuptohet trashigimia e çmueshme letrare shumëshekullore e saj…”
Një kontribut krejtësisht ndryshe, por jo me pak rëndësi ishte ai që dha një frat tjetër, frati i dëshmive të dhimbshme. Kjo ka lidhje me memorjen tonë historike e mbarë kombëtare dhe ka të bëjë me një periudhë shumë të trishtë të historisë sonë. Ai ishte Padër Zef Pllumi. Shkruajti trilogjinë “Rrno per me tregue” që mbeti si testament për brezat e ardhshëm.
Nëntori mbyllet me Festën e Pavarësisë, një festë e shenjtë për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe përtej, në çdo vend të botës… një ditë që edhe pse ka zbehur entuziazmin e saj, falë Zotit, festohet!
Ndoshta, nëntori, për shqiptarët është muaji që mban brenda vetes lidhjet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pak melankolik, me shumë dimensione e me përjetime nga më të ndryshmet…!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.