Gjithmonë rastis diçka – nga Ndue Ukaj

0
36

Nga Ndue Ukaj

Gjithmonë rastis të shohësh një ëndërr dhe të ëndërrosh diçka tjetër.
Të jesh i magjepsur pas një ikone dhe ta ëndërrosh një ikonë tjetër.
Të rastisë të jesh diku dhe të mendosh për një vend tjetër.
Për shembull: të jesh në Romë dhe papritur ta kuptosh
Se jo të gjitha rrugët të çojnë nga lumturia.

Apo të jesh në Prishtinë dhe të ëndërrosh një vend të largët ku liria s’ka duhmë politike.
Ose të jesh në një vend të largët dhe ta ëndërrosh Prishtinën me duhmë politike.
Gjithmonë rastis të sajosh ide dhe të ngresh piramidën e fjalëve
Me labirinte të bukura e ikona madhështore.

Gjithmonë rastis të realizosh diçka dhe të kërkosh diçka tjetër;
Të jesh me dikë dhe të kërkosh dikë tjetër.

Gjithmonë rastis të kërkosh piramidën e lumturisë
Dhe të përmbysesh në trekëndëshin e pikëllimit
Kufiri i të cilit rastësisht qëllon të jetë i padukshëm
Ku ti pështjellësh si i dehuri kur s’e mban drejtpeshimin.
Dhe sheh si ravijëzohen njerëz që mbajnë letra të bardha në duart e tyre të zeza.
Ata shikojnë qiellin blu,
E nga xhepat e tyre nxjerrin poezi që bëhen të lexueshme
Veç kur ka rrezatim diellor.
Në një mbrëmje kur formësohet koha magjike për mu e për ty.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, 2017)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here