Krishterimi ndër Shqiptarë – Simpozium Ndërkombëtar – Tiranë, 16-19 Nëntor 1999 – Seksioni i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës

Është tashmë e njohur “rastësia” e fillimit të gjuhës se shkruar shqipe me një formulë pagëzimi, një formulë që veç fëmijëve të lindur aso kohe, pagëzon dhe mbarë letërsinë shqipe që do niste prej atij çasti. Por, e shikuar prej gati pesë shekujsh, natyrisht që mund të mendojmë se nuk ka qenë rastësi. Letërsia shqipe, si shume letërsi të kombeve evropiane, do të nisë me shkrimet e shenjta. Është koha kur monopoli i kulturës dhe i civilizimit është eskluzivisht në duart e Kishës.

Por çështja e frymëzimit kristian në mbarë letërsinë shqipe është një argument që mund të vështrohet dhe formulohet, nisur nga kënde të ndryshme shikimi.

Frymëzimi apo fryma që përshkon anë e tej një shkrimtar dhe një tekst letrar është aq e padukshme dhe aq e pranishme njëherësh, sa që e hap shumë problemin. Eshtë ndryshe të flasësh për letersi biblike, ndryshe për letersi klerikale, ndryshe për letersi të shkruar nga anëtaret e komunitetit kristian të një vendi dhe, krejt ndryshe, për letërsi të shkruar nga kushdo dhe kurdo që merr si bazë frymëzimin kristian. Kjo e fundit është padyshim dhe objekti më i vështirë i studimit. Simbas idesë së të gjithë atyre që janë marrë eskluzivisht apo tërthorazi me këtë argument, duke studiuar letërsitë e vendeve të veta, koncepti i sotëm i letersisë me frymëzim kristian mund të përkufizohet shumë thjesht. Letërsi me frymëzim kristian ka atëherë kur një vepër është në gjendje të realizojë dy obligime të mëdha: të mbrojë të vertetën e amshuar dhe, nëpërmjet kësaj, të dalë në krah të të varfërve. Këtu është e nevojshme të sqarojmë se termin letërsi po e përdorim në kuptimin e saj më të gjerë dhe jo vetëm në sensin e fiction-it, si dhe kur themi të mbrojë të vërtetën, duhet sqaruar se letërsia nuk e ka si detyrë të qënësishme atë. Por, përsakohë ajo bën lëndë të vetën mitin, historinë, bashkëkohësinë, apo të ardhmen, duhet ta përdorë atë në shërbim të së vërtetës. Dhe nga ana tjetër, kur themi për një letërsi se u del në krah të varfërve, nuk duhet të kuptojmë me këtë fjalë vetëm të varfërit materialë, por gjithsesi edhe ata moralë e intelektualë. Pra, kërkimet historiko-letrare mbi letërsinë me frymëzim kristian nuk e shohin si të detyruar as tematiken biblike, as përkatësinë fetaree të autorit, por kontributin në përhapjen e së mirës, rendit dhe paqes.

Por në tërësi, kjo do thotë se të gjitha elementet e sistemit që quhet letërsi: autori, vepra, lexuesi, duhet të shikohen të lidhura e të ndërvarura, përsakohë që asnjë prej elementeve nuk ka identitet jashtë sistemit.

E vetmja rrugë hëpërhë është ta shohim problemin në diakroni. Pra të vërejmë sesi ka lëvizur teksti letrar shqiptar dhe sociologjia e kësaj letërsie nga shekulli në shekull.

Shekujt e parë letrarë shqiptarë apo e thënë ndryshe, faza pararendese e kultures së shkruar shqipe, dallohet për një prani të gjithëpushtetshme të autorëve klerikë shqiptarë: Gjon Gazulli, Mikel Maruli, Marin Barleti, Marin Becikemi, Gjon Buzuku, Dhimiter Frangu, Lukë Matranga, Leonik Tomeu, të cilët, me veprat, e tyre vërtetojnë vazhdën e natyrshme të kulturës humaniste evropiane nëpër Shqipëri.

Shekulli XVII apo shekulli i tretë letrar shqiptar, vazhdon të sundohet nga kleri i krishterë. Bardhi, Bogdani, Bogomili, Budi. Catalano, Gaspri, Mazreku, Segoni janë që të gjithë klerikë. Ky është shekulli i letërsisë katolike dhe i gegnishtes, i zhvilluar në Veri të Shqipërisë, në kohën kur në Jug të vendit vazhdonte procesi i islamizimit dhe i helenizimit të kulturës. Në këtë kohë Kisha katolike, si i vetmi institucion shqiptar, i mbetur ende në këmbë, vazhdonte të përkrahte mësimin në gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Kleri katolik kishte filluar punën për hapjen e shkollave, si ato në Kurbin më 1632, në Pllanë të Matit më 1638, në Blinisht më 1639, brënda në Shkodër më 1698 etj. Kështu, duke folur për lëvizjen kulturore në Veri të viseve shqiptare, prof. Namik Resuli ka vërejtur se “për klerikët katolikë shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit”. Kështu, në këtë shekull, shfaqen edhe veprat ngushtësisht letrare (fiction) si në prozë ashtu dhe në poezi, çka realisht shënon se me penat e këtyre klerikëve, letërsia shqiptare ka shfaqur standardet e para estetike. Në këtë shekull sundon kodi biblik, i cili është i drejtpërdrejtë dhe nuk i nënshtrohet transformimeve.

Shekulli XVIII sundohet kryesisht prej tri drejtimesh kryesore:

1.Zhvillimit të trashëgimisë letrare bizantino-ortodokse, me alfabet grek (Voskopojarët).

2.Fillimit të institucionalizimit të letërsisë shqipe, me alfabet latin në Italinë e Jugut (Arbëreshët).

3.Lindja e letërsisë orientalo-myslimane, me alfabet arab (Bejtexhinjtë).

Nga 21 shkrimtarët e ketij shekulli, 16 prej tyre janë klerikë të krishterë apo laikë të konfesionit kristian. Këta autorë i pasuruan kodet tematike dhe ato ligjërimore me nuanca të letërsise popullore, duke zbritur ligjërimin letrar biblik në nivele më të pranueshme për auditorin e kohës.

Shekulli XIX, është shekulli që përfundimisht shënon lindjen e letërsisë kombëtare shqiptare. Dhe pa dyshim, një ndër faktorët më të rëndësishëm socialë, që përgatit fluksin e shkrimtarëve dhe librave shqip në shekullin XIX, ështe veç tjerash, riinstitucionalizimi i klerit kristian shqiptar në kolegje, shkolla, qendra kulture, pas barbarise së kaluar. Vetë klerikët, që ishin 26 nga 72 shkrimtarë që kishte i gjithë shekulli, filluan të transformonin kodet biblike të letërsisë dhe të krijonin ato historike e heroike, duke e pasuruar letërsinë shqipe me tekste metaforike dhe metonimike.

Sa i takon këtij shekulli, diskutimi duhet ndarë patjetër në dy pjesë: në pjesën e parë të tij dhe të dytën, përsa kohë që kushtet social-ekonomike paraqiten thellësisht të kundërta. Në gjysmën e parë të shekullit, nga 294 autorë që botuan të paktën një libër, 205 prej tyre ishin pjesëtarë të komunitetit të krishterë shqiptar. Mjaft prej këtyre autorëve duhen konsideruar si themelues të letërsisë moderne shqiptare, përsa kohë që u bënë pionierët e një letërsie, që, duke lënë mënjanësh temat heroike, romantike, referimet historike, iu kthyen njeriut si bërthamë e esencave historike e bashkëkohore. Fishta, Prennushi, Koliqi, Harapi etj., janë shembuj realë në ndihmë të arsyetimit. Te mjaft autorë, pothuajse u kthye në modë transformimi i kodit biblik, duke e përdorur herë si alegori, herë si metaforë për një adresim më të saktë e të vertetë ndaj realiteteve bashkëkohëse.

Sigurisht, që diskutimi për gjysmën e dytë të këtij shekulli bëhet edhe më i vështirë. Të flasësh për inspirime kristiane në letërsinë e zhvilluar brenda kufijve të Shqipërisë zyrtare, gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve, është absurde. Shenjat duhet t’i kërkojmë jashtë Shqipërie. Camaj, Pashku, Pipa e ndonjë tjetër mund të na shërbejnë për këtë.

Por sigurisht, duke qenë se kemi të bëjmë me tekste të një letërsie me struktura të komplikuara, ky argument meriton një vëmendje tjetër, jashtë kontekstit të kësaj kumtese.

E shikuar çështja, kështu në diakroni, vërehet qartas se elementi i krishterë shqiptar, sa më shumë është rrudhur dhe sa më shumë ka zgjatur agjërimin e tij në jetën politike dhe ekonomike shqiptare, aq më shumë ka qenë i pranishëm në këtë pasqyrë të madhe të shpirtit të kombit siç është letërsia. Nga ana tjetër, është shumë e vertetë ajo çfarë na kujton George Shtadmuller në librin e vet se “shqiptarët e islamizuem ruejten aq shumë pikëpamje dhe zakone të krishtera, sa qi nuk e ndjejshin veten të qetë n’islamin zyrtar dhe kështu u futen ne sektat e ndryshme islame, të cilat paraqitshin nji kompromis ndermjet islamit dhe krishterimit.” Duke e kuptuar religjionin si një orientim kulturor, duhet shënuar se mjaft prej shkrimtarëve myslimanë shqiptarë, të romantizmit dhe të gjysmës së parë të këtij shekulli, kanë treguar prirje të qarta afrimi me kulturën Perëndimore. Motoja e Naimit:

“Jak’ o ditë e uruar

Që lind kah përëndon,”

duhet kuptuar si flamur i këtij frymëzimi.

Nga sa thamë shkurtimisht më sipër, ndjehet se roli i klerit të krishterë, elementit të krishterë në përgjithësi, është i jashtzakonshëm. Prej fillimeve e deri në Luftën e Dytë Botërore ky element zë 70 % të shkrimtarëve shqiptarë që kanë jetuar brenda apo jashtë Shqipërie. Por jo vetëm të dhënat numerike për autorët, po edhe në pikëpamje të përmbajtjes së kësaj letërsie mund të themi pa drojë se, veç letërsisë së zhvilluar përgjatë aksidenteve historike, siç ishte për shembull komunizmi, letërsia shqipe përshkohet nga frymëzimi kristian. Kjo do të thotë se prodhimi ynë më tradicional kulturor, na paraqet të gatshëm në proceset integruese kulturore evropiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here