In memoriam – Dr Lukë Gjokaj

0
395

Nga Nokë Sinishtaj

Duke kaluar në këtë pelegrinazh tokësor që quhet jetë, gjatë këtij rrugëtimi nëpër fshatra e qytete, metropole e shtete, takova mes tjerëve edhe njerëz shumë të mirë. Një ndër ta ishte edhe Dr. Lukë Nika Gjokaj.

Fatkeqësisht vendi i huaj i ka gërshërët e njerkës që pa mëshirë e shkurtojnë kërthizën nga Âma e quajtur Mëmëdhe.

Kështu, për herë të parë dëgjova për Dr. Lukë Gjokaj nga biseda me Dr. Ukë Berishën nga Ujëmira e Klinës.

“Ai është një malësor i denjë me e dashtë dhe me e repsektua, përmes tij kam njohur një pjesë të Malësisë” – më pat thënë Uka.

Ikja e Dr.Lukës,edhe për mua larg Kshevës sime të dashur, më mbushi plotë trishtim. Me pas kontakt me një NJERI që e takova vetëm dy-tre herë e me lënë në mua përshtypje aq të madhe, është rast i rrallë.

Më shkoi mendja te psalmi 115: “Non nobis Domine,non nobis,sed nomini tuo da gloriam” (Jo neve,o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi).

Me fjalë tjera: jo neve që po ikim e po ia kthejm shpinën Malësisë; jo neve që po lypim Eldorado dhe Tokën e Premtuar,larg truallit tonë; jo neve të narkotizuarve me “ubi bene ibi patria” (ku është mire, aty është atdheu); jo neve të dehur me “bene vivere dhe carpe diem” (me jetua mirë dhe me grabitë ditën),por, Dr.LUKËS GJOKAJ jepja lavdinë dhe nderin. Ai i mbeti besnik Malësisë dhe i iku “baci-lit” të Dr.Gjilpëres, paluhatshëm me punua për të huajin. Komunikativ dhe modest, atij pra jepja PAQËN,lavdinë,nderin dhe palmën humanitare të merituar.

Gjyshet dhe nënat tona ,motrat dhe gratë tona, të mira si buka që na e mban shpirtin,ishin të edukuara, më konservative,me sa e sa komplekse dhe respekt ndaj shpirtit dhe trupit para mjekut dhe syve të tjetërkuj.

Dr.Luka e kishte në lule të ballit, të tetovuar mirësinë,besën,seriozitetin,pjekurin dhe moralin.

Betimi i tij, edhe ma i thellë se ai i Hipokratit,ishte BESA shënjte si me “cum ferro” e cementuar në dashurin altruiste të tij.

Mund të them si Romakët antik: “Sub rosa dictum”, duke e përshtatur në gjuhën tonë të bukur: SUB BESA DICTUM. Ky detyrim shenjtë i heshtjes profesionale, detyrim për ruejtjen e së fshehtës ishin në të sakrosante. Ai bëhej “vesh” kur dëgjonte dikën, fjalëpak, i qartë,i kontrolluar në shprehje të bindura sa që vetvetiu vinte ajo “Exempla trahunt” (Shembujt tërheqin).

Njohjen e parë me Dr.Lukën e pata përmes telefonit. Ai ishte mjeku i Nënës sime dhe i vëllaut tim, besnik i Malësisë,. Situata politike ishte e veshtirë. Shpërbërja e Jugosllavisë si dhe një lloj stresi,konfuzioni e pasigurie rritej dita ditës.

Ju paraqita me një: mundem me ndihmue me ndonji send,timen?

Po tha,- me nji Vademecum. Latinisht vademecum- eja me mua ,ose në gjuhën antike greke enchiridon- diçka që ka njeriu në dorë, pra shqip, doracak. Një manual ku janë të regjistruara barërat e dalura së fundmi. Një kompedium medikal.

Dr.Luka ishte i interesuar vetëm me u ndihmua malësorëve, të gjithëve pa dallim, fenë, kombin apo politikën.

Pas dy dekadave, ende ishin Serbia dhe Mali i Zi të pa ndara ,e bleva një orë dore me ia falë si dhuratë Dr.Lukës, në shenjë të dashurisë që natë e ditë, me vite, ia fali Malësisë sonë. Nuk po e tregoj këtë gjest me u lavdërua, as me e ngrit “lashën” time, por e kam pas,e kam dhe do ta kem edhe matanë, respektin dhe nderën në shenjë falenderimi për ata që i mbeten besnik Trollit të Katër Fiseve.

Dhe, papritur u takova dhe u përqafova me Dr.Lukën e MIRË në Aeroportin Nikolla Teslla të Belgradit.

Bisedova me të gjatë fluturimit. Ia tregova dhuratën, këtij burri nga fisi i Gjokajve, që i ngeli besnik Malësisë, e, jo tradhëtar si unë! ( Këto ia tregova edhe Lukës)

Pasi i dëgjoj fjalët e mia, qetë, si dinte vetëm ai më tha: Si të ka ra ndërmend vogëlija ime?

Të dytën herë e takova Dr.Lukën në një kafene. Me të ishin edhe Dr.Sreten Peroviq dhe piktori Gjelosh Gjokaj.

Shetita atë ditë në Kshevën time, qajta te Kulla e Shytajve, në mbrëmje bisedova me shokun e shkollës, Zef Gojçaj, gjithashtu u shfryva bisedë me Pjetër Markun Nikaj të cilin e kisha takuar herën e fundit në Lisiçje të Shkupit në vitin 1966.

Dhe..posa u theva me djalë të vllaut tim Lucës,me Viktorin,më kapi embolia e mushkërinjëve.Shkova te Dr.Luka i cili,vetëm mos me më frikësua as mos me krijua panik,më pyeti se kur do të nisësha për Zvicër.

Si i thash se të nesërmen udhëtoja, mi dha do ilaçe,e pastaj mi tregoj në biblotekën e tij private të gjitha veprat e mia poetike.

Ta takosh një burrë Malësie, mjekë, elitë, njeri komplet dhe kjo vetëm dy herë e me më mbetë portreti i tij kaq qartë në kornizë, është diçka fenomenale.

Mbetet i pavdekshëm vetëm ai që jeton në popull.

Ai ishte një altruist i vërtetë me vepra dhe më jetë, një humanist, mjek besnik i vendit të vet, pa lakmi ndaj pasurisë dhe prestigjit personal.

Respekt!

Dr. Luka i Mirë!/Malesia.org

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.