Bie deborë!

Dëbora nuk bie përse stina u ftoh;
Dimri i qerosur nuk ka fjolla,
Akullin e ka të zi koks;
Por nuk e di çfarë faji bënë rrugët që befas u zunë,
Dëborë po bie e po bie,
Ty zemra të rrah e çmendur në gjoks?!

Dielli iu shmang planetit tonë nga mërzia;
Si rebel rravgon më gjatë nëpër gjithësi;
Ai s’mund të kalojë kah porta jote Hyjneshë,
I bie duke u përkulur më rrotull tutje,
Lëmshi i kallur ka rënë thellë në dashuri!

Ah, çfarë puthje të të marrë syri
Nga dritë e kristaltë e fjollave në vallëzim?!
Mos ju beso flokëve të bardha kur të bien në bebëz,
Hyjnesha ime,
Ato të rrëmbejnë duke të puthur me afsh
E poshtë barkut me ëndjen i ndjen fluturat;
Më pas të rikthehen tek të mbijnë përbrenda;
Të vjellë e vjellë si dëbora,
Me të qeshura gjithë ligështim!

Ah, fjollat bien bukur, si bien!
Të kafshojnë vëngër në skajin e buzës,
Janë shkronjat e diellit përplot epsh ato,
Të mbjella nëpër gacat e përflakuara të muzës!

Po bie dëbora, po bie!
Toka po vjen më ngadalë gjatë kthimit;
Ti e mban fort të shtrënguar zjarrin e lëmshit në përqafim,
Gjersa muzika e krishtlindjeve derdhet nëpër bredh,
Vera gurgullon prej shishe për në gotë,
Në tryezën e bereqetit përplot me qirinj
Kthehet buka!

Mos i thuaj të lutem askujt për flirtin tonë!
Sonte është festë!
Pa të çmendurin poet,
Aty në tryezën e shpirtit
Nuk do të kishte Gëzuar!
Pa të
Nuk shijon dot
As fjala,
As dëbora,
As puthja!
Pa të Hyjneshë,
Stina, toka e dielli bashkë,
Do të ndiheshin të vetmuara!

Prishtinë, pranë Dimrit, 2017

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.