Fletoret e shënimeve të Prustit janë shfaqur sërrish në libraritë e Parisit: kësaj rradhe në një botim luksoz të “Editions Saints Perès”, ku janë përfshirë shënime biografike e në mënyrë të veçantë mendime për shkrimet e tij, romanet e autorëve të mëdhenj si Baudelaire, Nerval, Musset, Balzac, mbi esenë e famshme “Kundër Saint-Beuve”, etj, që përfshijnë një periudhë interesante dhe të ethshme të jetës së tij krijuese: 1908-1918. Janë pesë fletore që zonja Straus i kishte blerë në një dyqan pranë Operas për t’ia dhuruar Prustit, i cili nuk mungoi ta falenderonte dhe të shkruante mbi to në apartamentin e tij në Boulevard Haussman apo në hotelin e dashur në Cabourg të Normandisë, ku shëtitorja, vite më pas vdekjes së tij do të quhej “Shëtitorja Poust” dhe ku apartamenti i përzgjedhur i tij do të quhej “Apartamenti Proust”. Fletoret të mësojnë detaje të panjohura, madje që një periudhë, ai kishte menduar që titullin e veprës madhore të tij ta titullonte jo Në kërkim të kohës së humbur, por Të herëpashershmet e zemrës, titull që padyshim del nga koncepti i tij themelor i perceptimit të kohës dhe të shoqërisë. Një nga shënimet më pikante është edhe ajo të gushtit të vitit 1913 kur Proust kishte caktuar një dedektiv për të ndjekur të dashurin e tij që po i ikte nga “duart”, të shtrenjtin dhe të ëmblin Agostinelli…
Padyshim që letërsia e Prustit nuk është letërsi e «kohës së tashme», pra e ngjarjeve që ndodhin dhe që ai i reflekton menjëherë, ashtu siç janë në dorëshkrimet dhe veprat e tij. Jo, gjithçka është e ngjizur në kohën e shkuar. Janë kujtime të largëta, por të fiksuara qartë, në detaje, në dialogje që shfaqen papritur, duke sjellur copëza jete të një kohe të kaluar, janë ngjarje të salloneve letrare, shëtitjet në Champs Elysées dhe Bois de Boulogne, janë portretet e të dashurave të tij që adhuronte nga larg, është Albertina e tij e ëndërruar, është Jeanne Pouquet e fejuara e Gaston de Caillard, të cilën ai do ta mishëronte në personazhin e Gilberte Swann. Kur shkruante romanin Një dashuri e Suanit, ai shkonte sa në një hotel në tjetrin për të pyetur hotelxhinjtë rreth personazheve të dikurshëm, për të parë mjediset ku do të përshkruante jetën e tyre. Pyeste njerëzit, patronet e shtëpive publike, karrocierët, të njohurit e personazheve reale dhe bënte një punë të vërtetë dedektivi për të rikthyer kohën ashtu siç kishte qenë.
Rue Fontaine në Auteil, atëherë ishte në periferi të Parisit, por tashmë pas një shekulli, Auteil është kthyer në një lagje pariziane. Qyteti është zgjeruar, duke e pështjellur atë brenda vetes. Rruga Fontaine është një rrugë e qetë. Një dritë e bardhë diellore binte mbi rrugën pa njerëz. Pikërisht këtu, në shtëpinë e gjyshit të tij, në numurin 96, më 10 korrik 1871 kishte lindur Marsel Prusti, (Valentin Louis Georges Eugène Marcel Proust).
Që i vogël ai kishte shëndet të dobët, çka do ta ndjekë gjithë jetën, edhe pse babai i tij ishte mjek dhe profesor i Fakultetit të Mjeksisë dhe nuk do ta ndihmonte dot. Madje kur ishte 9 vjeç, në shëtitje me familjen në pyllin e Bulonjës (Bois de Boulogne), ai mbeti pa frymë dhe i ati mendoi se fëmija po vdiste. Por një shkundje e fuqishme bëri që fryma t’i rivinte. Që atëherë, ai do të vuante gjithnjë nga astma. Në vitin 1874, familja e tij u vendos në qendër të Parisit, në bulevardin Malesherbes, nr.9, jo larg katedrales Madelaine dhe Operas Garnier. Ajo shtëpi ishte shtëpia e kujtimeve: oborri, hyrja në fund të tij, salloni i madh ku mblidheshin miqtë e që vite më vonë ata do të gjenin vetveten në romanet e djaloshit Marsel. Atje ai njohu «Madame en Rose»; atje ai dëgjoi violinistin që ra në dashuri me «zotin Charlus», i cili bënte elozhe për Sadom e Gomorra te zonja Verdurin. Pikërisht në këtë periudhë të rinisë së tij, ai filloi dhe eksperiencat e para seksuale: masturbimin, për çka tregon dhe në një letër dërguar në moshën 17 vjeçare gjyshit të tij, ku i kërkonte t’i dërgonte me urgjencë 13 franga: «Ja përse: unë kisha nevojë aq shumë për një femër, që të mund të ndaloja praktikën e keqe të masturbimit, saqë im atë më dha 10 franga që të shkoja në një bordello, por nga emocioni theva një vazo që kushtonte tre franga. Për më tepër nga emocionet nuk arrita të mbaroja punë…» Në këtë kohë ai filloi të merrej dhe me botimet e para si Les Plaisirs et les jours, (Kënaqësitë dhe ditët) dhe meqë nënën e kishte me origjinë hrebre, në kohën e «Proçesit Drejfus», ai u bë një nga mbrojtësit më të flaktë të Drejfusit, madje me peticion në dorë, ai shkonte në sallonet letrare që intelektualë në modë ta nënshkruanin në mbrojtje të kapitenit Drejfus, duke marrë kështu dhe firmën e Anatol Fransit.
Prusti e adhuronte nënën e tij që në fëmijëri. Ai ishte e kundërta e Balzakut, që meqë kishte një nënë të ftohtë dhe autoritare, një ditë prej ditësh kishte thënë: «Unë nuk kam nënë!».
Jeta e nënës së Prustit u lidh ngushtë me të birin, pasi ajo kujdesej në mënyrë të veçantë për Marselin e sëmurë. Vite me rradhë Prusti do të jetonte me atë dëshirë të madhe që ishte puthja e nënës së tij para se të flinte. Ajo e puthte gjithnjë dhe më vonë kjo puthje do t’i mungonte. Pas vdekjes së babait të tij, në vitin 1903, ata u vendosën në 45, rue de Courcelles dhe jetuan bashkë. Ajo e ndihmonte në korigjimin e përkthimeve të tij dhe merrej me letrat dhe korrespondencën e të birit.
Nëna e Prustit, Jeanne Wiel, vdiq në vitin 1905, pra dy vjet pas babait të tij. Në fakt ajo nuk e kishte duruar vdekjen e të shoqit edhe pse nuk e bënte veten para dy djemve të saj. Kjo vdekje, Prustin e tronditi tmerrësisht. «Jeta ime tashmë e humbi qëllimin e jetës dhe ëmbëlsinë e saj», – do të shkruante ai. Madje vdekja e nënës së tij i sugjeroi edhe një ese mbi idenë se çdo fëmijë, në një farë mënyre, «vret» gradualisht prindërit e tij… , nga dhimbja, shqetësimi, ndarja e paralajmëruar. Një ditë, shumë vjet pasi ajo kishte vdekur, kur ai dhe guvernantja e tij, Celeste, po kujtonin prindërit e tyre të vdekur, ai i kishte thënë: «Po ta dija se do ta gjeja nënën në botën tjetër, unë do të doja të vdisja që tani». Një tjetër mbrëmje, ai i kishte thënë: «Kur nëna vdiq, ajo e mori me vete dhe Marselin».
Të dashurat e Prustit
Cila vallë kishte qenë e dashura e Prustit, siç kishte qenë Drue për Hygonë, Hanska për Balzakun, Lu për Apolinerin, Gala për Elyar? Në kujtimet e guvernantes së tij Celeste, apo në personazhet e romaneve të tij, gjejmë disa syresh, por më së shumti janë vajza të adhuruara, të cilat i dashuronte dhe pak dihet se cila nga ato e ka dashur vërtet Marsel Prustin dhe sa ka zgjatur kjo dashuri. Disa ditë, disa muaj? Apo vite, në botën e tij imagjinare?
Në kujtimet e saj, Celeste kujtonte se në sirtaret e tij, Prusti ruante shumë fotografi vajzash, që kishin qenë të preferuarat e tij, me leshrat e derdhura mbi supe, duke pozuar si princesha, por ato ishin idilike, vajza që i kishte piktakuar në sallonet letrare të Madame Madaleine le Maire, tek Madame Strauss, vejusha e kompozitorit Bizet apo në sallonin e zonjës Arman de Cavaillet në avenynë Hoche. Ai nuk fliste shumë për polaken De Banardaky, edhe pse thoshte se kishte qenë i dashuruar, kur ishte 15 vjeçar. «Isha i çmendur pas saj», – i kishte thënë një ditë ai Celestes. Megjithatë ai i fliste asaj dhe për Louisa de Mornand, Laure Hayman, princeshën Souzot.
Prusti i pëlqente personazhet e dyzuar, ku burrat kishin diçka nga gratë dhe gratë diçka nga burrat. I tillë ishte dhe personazhi i Albertine-s në romanin e tij, Albertina e humbur, (Albertine disparue), një personazh, që dashuron narratorin apo rrëfyesin (që është vetë shkrimtari); që për hir të dashurisë për të pranon dhe burgun, që nxit xhelozinë e tij me prirjet e saj lezbiene, që më pas e braktis e më së fundi vdes nga rrëzimi i një kali, ashtu siç kishte vdekur duke u rrëzuar nga avioni dhe Agostinelli i bukur, i dashuri i tij. Albertine me fëmijërinë e saj të rikujton zonjushen De Banardaky, e vite më pas, ky personazh ka ngjyrat e mikut të tij Albert Le Cuziat dhe më pas fatin e Agostinelli-it.
Dashuria për djemtë
Që në adoleshencë, e ëma e tij dyshonte për prirjet e tij homoseksuale. Dhe në fakt, Prusti i donte djemtë që në adoleshencën e rininë e tij. Ajo e vëzhgonte se me kë rrinte dhe ku shkonte. Kur u rrit ca, ajo e nxiste të linte shoqërinë e djemve dhe të shkonte me vajza që të merrej me to.
Ai e adhuronte autorin anglez Ruskin, i cili në atë kohë ishte po aq i famshëm sa dhe filozofi gjerman Niçe, dhe në rininë e tij filloi të përkthente dy nga librat e njohur të këtij autori, Bibla e Amiens dhe Sésame et les lys. Ruskin ishte homoseksual, por puna me përkthimin i dha Prustit mundësi të futet në botën e refleksionit dhe të letërsisë.
Një nga dashuritë e njohura të Prustit pas Alfred le Couzet, ishte ajo me Alfred Agostinelin, me origjinë italiane, nga Monaco, një djalosh simpatik, të cilin në fillim e angazhoi si shofer dhe pastaj si sekretar të tij. Madje në ato kohë ai donte ta fshihte këtë fakt, sepse «nuk donte që të tjerët të shihnin në këtë lloj shoqërie diçka homoseksuale», siç i shkruante ai mikut të tij Albert Nahmias. «Njerëzit janë aq budallenj sa mund të shohin në këtë shoqëri diçka pederastike».
Prusti e mori Agostinelin në shtëpi, në 102, bulevardi Haussmann. Ata qëndronin gjithnjë bashkë. Atje dhe flinte. Bashkë shkonin në kafenetë dhe restorantet dhe po bashkë bridhnin nëpër Francë apo shkonin në Normandi, veçanërisht në Cabourg. Ishte pikërisht ai që i shtypte tashmë dorëshkrimet e tij. Por mjerisht, Alfredi shpejt u mërzit nga kjo lloj shoqërie dhe zuri një dashnore, çka ndolli xhelozinë e Prustit. Midis tij dhe Agostinelit tashmë ishte Anna, por gjendja sa vinte e rëndohej gjersa një ditë Alfredi u zhduk nga shtëpia dhe nuk u kthye më.
Drama për Prustin ishte e madhe. Me miqtë e tij ai kërkoi të gjente gjurmët e Agostinelit dhe më së fundi ishte Nahmias që e njoftoi se ai kishte zbritur në jug të Francës, në Antibe, te prindërit e tij. Nahmias do të nisej me mision gjer atje për ta bindur Agostinelin që të kthehej tashmë si sekretar me një rrogë më të mirë. Madje më vonë, Prusti i bleu dhe një avion të vogël, të cilin ai e pagëzoi «Swann», por që mjerisht një ditë prej ditësh, ai do të pësonte aksident me të dhe do të vdiste duke rënë në det.
Ishte 30 maji i vitit 1914. Kjo ngjarje e dhimbëshme do ta vriste shumë shpirtin e Prustit, në një kohë që ata të dy ishin pajtuar tashmë. Prindërit e Agostinelit i kërkuan para për të gjetur trupin e tij në det dhe pas një jave më së fundi, Agostinelin e kishin gjetur. Sigurisht, Prusti i ndihmoi shumë, por tashmë mikun e tij nuk do ta shikonte më. Biografë të tij tregojnë se ndonjëherë, gjatë luftës, Prusti humbte në shtëpi publike për meshkuj, të cilat i njihte mirë dhe madje i kishte ndihmuar me mobiljet e prindërve të tij. Ishte kurioz të zbulonte këtë botë të ndaluar, «puset e Sodomës», siç thoshte ai. Për më tepër, pas lufte ai nisi të shkruante romanin e tij Sodome et Gomorrhe, që i bënte jehonë orgjive të kohës biblike.
Bulevardi Haussmann
Itinerari prustian është pasionant. Nga rue Fontaine në bulevardin Malesherbes, më vonë në Rue Courcelles e më pas në bulevardin Haussmann në vitin 1906. Duke ndjekur jetën dhe itineraret e shkrimtarit të madh të duket sikur përjeton jo vetëm jetën e tij, por dhe një copëz të historisë së vet Francës, «Epokën e Bukur» apo «La Belle Epoque», siç quhej ajo periudhë e fillimit të shekullit XX.
Shkrimtari nuk ka lëvizur shumë nëpër Paris. Kafenetë, hotelet dhe restorantet nuk janë të shumta, siç ishin ato për një Bodler apo Verlen. Në muzeun «Carnavalet» është «ruajtur» apo rikrijuar dhoma e Prustit, ndërsa që të vizitosh apartamentin e tij në Bulevardin Haussmann, ku sot janë zyrat e bankës së dikurshme, duhet të shkosh në një orar të caktuar.
Me kushërirën time ne u gjetëm atë ditë nën dritaret e dikurshme të Prustit, të cilat ai i mbante gjithnjë mbyllur. Ajo vështronte pllakën e ngulitur në hyrjen e ndërtesës ku shkruhej se aty kishte banuar Prusti. Pikërisht nga ajo dhomë, nga ku përtej dritareve Prusti shihte rrjedhën njerëzore, pikërisht atje ishte ngjizur vepra monumentale e këtij shkrimtari, atje, në gjysmë-errësirë, ku përmes kujtimeve të fëmijërisë dhe të adoleshencës, autori ishte vënë në kërkim të «kohës së humbur». Por a kishte humbur vërtet ajo, përderisa ai na e la atë kohë të pikturuar në një afresk të madh? A e fiksoi ai kohën? Kohën e palëvizshme, siç e konceptonte ai, apo siç e cilësonte dhe filozofi Jean-François Revel, «piktor i palëvizshmërisë»? Koha… «Dihet, – thoshte Prusti, – që teorikisht toka rrotullohet, por në fakt ne nuk e ndjejmë atë, pasi edhe pse lëvizim mbi të, ne nuk e ndjejmë këtë lëvizje. Kështu ndodh në jetë dhe me Kohën…» Një ditë, duke lexuar përkthimin në shqip të Edmond Tupes Kur dashuronte Suani,[1] ndalova në një pasazh të këndshëm që më bëri të reflektoj mbi njeriun dhe kohën. Ja ç’shkruante Prust për Suanin: «Në vend të shprehjeve abstrakte «koha kur isha i lumtur», «koha kur më dashuronin» që i kishte shqiptuar deri atëherë pa vuajtur shumë, sepse zgjuarsia e tij kishte mbyllur atje, nga e kaluara, vetëm ca të ashtuquajtura copëza që s’kishin asgjë prej saj, ai gjeti sërrish gjithçka, që, nga ajo lumturi e humbur, e kishte ngulitur përgjithmonë thelbin e saj të veçantë e avullues: çdo gjë i doli përsëri para syve, petëlat borë të bardha e të përdredhura të lulevjeshtës që ajo i kishte hedhur në karrocë e që ai e kishte prekur me buzë – adresa me gërma reliev e «Shtëpisë së praruar» në letrën ku ai kishte lexuar fjalinë: «Dora po më dridhet kaq shumë tek ju shkruaj» – vetullat e saj që ishin afruar kur ajo i kishte thënë me pamje të përgjëruar: «Nuk do të rrini shumë kohë pa u bërë i gjallë?»…Në atë moment, ai po shuante një kërshëri epshndjellëse, duke përjetuar kënaqësinë e njerëzve që jetojnë falë dashurisë…»
Dhoma e Prustit, e ruajtur me fanatizëm, mbart vërtet shenjën e kohës: jo vetëm mobiljet, parketi, dritaret, por dhe atë lloj arome që i përket një kohe të shkuar. Duke kujtuar dhomën e Prustit, që ishte njëkohësisht dhe kabineti i punës, miku i tij, shkrimtari Lucien Daudet, shkruante: «Pikërisht në bulevardin Haussmann, ai filloi të jetojë si një bletë në kosheren e vet dhe ku fjala e zakonshme «të bësh mjalt», pra «të krijosh një vepër», i shkonte për shtat atij më shumë se kujtdo tjetër. Nga bleta ai kishte syrin e ëmbël pa pikën e shndritshme, syrin me vështrimin e thellë dhe të shumanshëm (ai vështronte nga të gjitha anët, jashtë dhe brenda); nga bleta kishte vigjilencën, palodhshmërinë në të punuar pa e vënë këtë në dukje (asnjëherë nuk e dëgjuam se e shqetësonim në punë); si bleta ai shkonte të kërkonte polenin tek bimët e tjera të helmatisura (por bleta ka antidotat e saj të fshehta); dhoma e tij, ajo e pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit të jetës, me ngrohtësinë e shijes së tij, me gjysmëerrësirën dhe aromën e dyllit të shkrirë, ajo dhomë e çrregullt për dikë, por e rregullt për sytë e bletës, ishte vërtetë një hoje ku sipas një kimie të panjohur, përpunohej ajo prodhimtari e shumëllojtë që kthehej në një lloj lëngu të kthjellët dhe ku shija e një peme apo e një luleje mbetej e gjallë… »[2]
Duke rrëmuar mbi jetën e Prustit, diçka më kishte befasuar. Ajo qënie aq e sjellëshme, delikate, e tërhequr, ajo qenie që jetonte aq shumë me një botë të largët, me një të kaluar nostalgjike dhe aroma të çuditëshme, kishte arritur një ditë të bënte një duel. Të duket e pabesueshme por është reale. Kjo gjë i kishte ndodhur me shkrimtarin Jean Lorrain për shkak të një artikulli fyes që ai kishte shkruar. – «A e mori vesh nëna juaj?» – e kishte pyetur një ditë shërbëtorja Celeste. – «Po! E shkreta nënë. Nuk donte të më linte të shkoja. Por isha unë ai që e kisha kërkuar këtë duel. Ne i qëlluam njëri-tjetrit me revole në pyllin e Meudon-it”.
Lumturisht plumbat kishin fluturuar në ajër. Pas duelit, nga dhimbja, ai kishte qarë. Kishte mbetur gjallë. Ndryshe, Në kërkim të kohës së humbur nuk do të ishte shkruar…
Deri në moshën 38 vjeçare, as botuesit dhe as shkrimtarët e tjerë nuk e kuptonin Prustin. Ai ndjehej i vetmuar, por megjithatë kishte besim e kurajo. Kur romanin e tij Mbi Suanët e dorëzoi në shtëpinë botuese franceze NRF, (Nouvelle Revue Française), i nxitur nga André Gide, i cili nuk e donte Prustin, botuesi e refuzoi botimin e tij disa herë. Por kur shtëpia botuese Grasset e botoi më 1913 dhe romani u prit me sukses, Gallimard nxitoi ta fitonte këtë shkrimtar premtues, të cilin padrejtësisht e kishte shpërfillur. Më së fundi rruga për Prustin ishte hapur dhe tashmë të shkruarit ishte kthyer si i vetmi pasion i tij. Por kur shkruante, në fletët e tij ai zakonisht vizatonte anash dhe personazhet e tij, siç e vë në dukje dhe shkrimtari Philippe Sollers (Filip Solers) në librin e tij Syri i Prustit.[3] Në disa botime mbi Prustin isha habitur me këtë pasion të këtij shkrimtari-vizatues, ku në qindra “croquis” ai kishte vizatuar mjedise, skena e personazhe, siç ishin portretet e Gilberte-s, të zonjës De Villeparisis, zonjës Swann apo dukeshës de Guermantes, që siç shkruante anash fletores me stilografin e tij, ajo është “një zonjë bjonde me hundë të madhe, me dy sy zhbirues blu, me një kravatë të fryrë mëndafshi në ngjyrë mavi…”. Ai vizatonte katedralen, të cilën pastaj e përshkruante, ashtu si dhe plot skena të tjera romani, si të ishte një regjisor filmi, i cili vizatonte skenat para se ato t’i xhironte ato.
Celeste
Shkrimtarët e mëdhenj kanë patur gjithnjë një personazh të preferuar që kanë dashur gjithnjë ta kenë pranë tyre. Disa kishin gratë e tyre, të tjerë të dashura apo miq të vjetër, disa të tjerë, shërbyesit e tyre. I tillë ishte Prusti, i cili një pjesë të mirë të jetës së tij e lidhi me guvernanten Celeste, e cila do ta ndiqte gjer në vdekjen e tij.
Celeste ishte nga Lozere dhe kishte qenë gruaja e një shoferi të rastit tek Prusti, i cili herë pas here e çonte në hotelet dhe restorantet pariziane. Në fillim, ai e angazhoi atë për të shpërndarë librat e tij nëpër Paris, te miqtë e tij. Atëherë, ai sapo kishte botuar Du coté de chez Swann, (Andej nga Suanët), dhe librat me një dedikim të veçantë i shpërndante përmes Celestes. Më pas, e tërhequr nga kjo grua e pafjalë, ai e ngarkoi të merrej me guzhinën dhe me problemet e shtëpisë, gjer te përkujdesjet më të vogla për të.
Për tetë vjet rresht, Celeste Albaret do të ishte dëshmitarja e vetme e botës së atij njeriu që jetonte vetëm për artin e të shkruarit. Ai bënte një jetë murgu dhe Celeste ishte “konfidentja” e tij, ajo që i njihte të gjitha fshehtësitë e shkrimtarit. «Në thellësi, – do të shkruajë në kujtimet e saj Celeste, – ne ishim si dy jetimë. Ai me prindërit e vdekur, ndërsa unë me burrin në luftë dhe po me prindër të vdekur. Ai më zgjonte me zilen e tij, edhe nëse sapo kisha rënë të flija. Me nxitim, me flokët e lëshuara, shkoja drejt tij. – Ah, ja Xhakonda! – thoshte ai. – E shtrenjta Celeste. Ti s’ke pushuar, por meqë pate mirësinë të vish…». [4]
Vite me rradhë, pasi Prusti vdiq, atëherë kur të gjithë gazetarët dhe biografët u turrën drejt Celeste që të merrnin kujtimet dhe përshtypjet e saj, ajo nuk foli. Kishte dhimbje për Marselin e «gjorë». Më së fundi, në moshën 82 vjeçare, ajo pranoi të flasë dhe që kujtimet e saj të botoheshin. Dhe kështu ajo solli të vërtetën “unike” midis shumë legjendave që ishin shkruar për shkrimtarin enigmatik që dilte vetëm mbrëmjeve të vona.
Disa vite pasi Celeste kishte punuar në shtëpinë e Marselit, në 102, bulevardi Haussman, një ditë Prusti i kishte thënë: “Atëherë Celeste, kur do ta fillosh ditarin tënd? – Ju bëni shaka Monsieur! – i a kishte kthyer ajo. – Jo, e kam seriozisht. Kush më njeh më mirë sesa ju? Pas vdekjes time, libri juaj do të shitet më shtrenjtë sesa veprat e mia».
Ishte ajo që i bënte kafenë, ishte po ajo që kujdesej për ushqimin e tij, për ilaçet dhe sëmundjen e tij. Prusti e donte kafenë e freskët dhe gjithnjë me aromë. Ai ishte i vështirë në shijet e tij. Siç kujton në kujtimet e saj Celeste, Prusti hante pak, sa pickonte diçka në pjatën ku ajo i shërbente dhe gjërat shpesh i linte. I pëlqente qumështi dhe pinte një litër në ditë. Po kështu levreku apo barbunjët e Marsejës; nga frutat, rrushi dhe dardhat dhe në mbrëmje kishte qef një akullore, ndërsa vonë, shumë vonë, një birrë të ftohtë që e merrte në hotel «Ritz». Por edhe pse nuk i deklaronte Celestes mirënjohjen e tij, ai e ndjente se njeriu më i afërt i tij, pas vdekjes së prindërve, ishte pikërisht ajo, ajo grua e vetmuar që përgjonte çdo dhimbje dhe shqetësim të tij, madje dhe frymëmarrjen e tij. Ndodhte që Prusti nuk lëvizte edhe dy ditë të tëra nga dhoma e tij, duke e mbajtur derën mbyllur. Por ai e dinte se Celeste duhej të ishte atje, pas derës, diku pranë tij.
“Vallë është gjallë?” – pyeste veten ajo, duke pritur një shenjë të tij.
Në fundin e jetës së tij, kur për kohë të tëra ai lëngonte në shtrat dhe në errësirën e dhomës, Celeste ishte kthyer si një sekretare e tij. Ajo i merrte letrat dhe i hapte, po kështu dhe librat që i dërgonin Prustit, gazetat, etj. Madje vitet e fundit i lexonte ato para tij dhe jepte mendimet e saj. Ishte po ajo që kopjonte në “të pastërt” faqet e korigjuara të Prustit dhe korigjimet e tij ishin të panumurta, frazat të gjata pambarim, aq sa, në romanin e fundit La Prisonière, (E burgosura), në tridhjetë faqe të romanit (dorëshkrimit) nuk kishte asnjë shenjë pikësimi. Por megjithatë nuk ishte e vështirë të lexohej: thjesht kjo kërkonte një mënyrë tjetër të lexuari, disi recitative….
Celeste ishte aq e zënë me Prustin, saqë tashmë detyrohej të mos shkonte më të djelave në meshën e kishës. Celeste ishte gjithçka për të. Prusti asnjëherë nuk mbante çelës me vete. Kurdo kur të vinte, dhe në orën 3 të mëngjesit, Celeste e priste syzgjuar. Ajo ia hapte derën dhe me një shikim Celeste e kuptonte nëse Zotëria, «Monsieur», siç e thërriste ajo, ishte në formë apo jo, nëse mbrëmja që kishte kaluar i kishte pëlqyer apo ishte mërzitur nga personazhet që kishte takuar. Dhe kur ishte në qef, atëherë ai fillonte t’i tregonte Celestes për histori të personazheve që kishte takuar. Dhe kjo zgjaste me orë. Celeste kujtonte gjithashtu se nga frika se mos ftohej, Prusti, i cili vishej me shumë triko e mbulohej me batanije, së fundi nuk lahej më. Ajo i sillte ujin e ngrohtë dhe me një leckë të lagur ai fërkohej
Një herë ajo e kishte pyetur se përse nuk ishte martuar. – «Si mund të martohesha? – i ishte përgjigjur ai. – Do më duhej të bridhja pas gruas nëpër dyqane, të shkoja tek rrobaqepësit e andej-këndej. Jo, unë jam martuar me veprën time. Kjo është gjithçka për mua”.
Gjatë javës, për ditë të tëra, bashkëbiseduesi i vetëm për të ishte Celeste. Madje gjëra që kishte ndërmend t’i shkruante apo që sapo i kishte shkruar, ai ia tregonte Celestes, duke pritur reagimin e parë, sikur testi i parë i tij me publikun të ishte Celeste. Pastaj ai e pyeste për jetën e saj, historinë e prindërve, fëmijërinë, e pyeste për detaje të holla dhe në fillim ajo habitej se përse i interesonin atij ato vogëlsira që ishin diçka e kaluar dhe personale. Por në detajet e saj, Prusti gjente gjëra që zhvilloheshin në imagjinatën e tij.
Prusti ishte një njeri tepër i djeshëm, dhe jo vetëm një mizantrop apo një “dandy mondan”, siç konsiderohej Oskar Wilde në Paris disa vite më parë. Ndoshta sëmundja dhe kjo jetë e mbyllur e kishte bërë të tillë. Një ditë, kujtonte Celeste, kur dikush erdhi në bulevardin Haussmann për t’i thënë asaj se duhej të nisej në jug, sepse nëna e saj ishte shumë e sëmurë, Prusti kishte lexuar pusullën për të dhe pa menduar se do ta lëndonte, menjëherë i kishte thënë: “E mjera Celeste! Të ka vdekur nëna!”… – dhe ishte mbytur në lot, sikur të kishte vdekur nëna e tij. Pastaj menjëherë organizoi nisjen e saj sa më parë që të mund ta shihte për herë të fundit nënën e saj edhe pse të vdekur.
Vitet e lavdisë
Vitet e Luftës së Parë Botërore ishin të rënda për Prustin. Ai nuk e donte luftën. Në stacionin e trenave në «Gare de l’Est», ai kishte përcjellë të vëllain e tij mjek, që shkonte në spitalin e Verdunit heroik, ku ishte bërë kërdia dhe ku gjermanë e francezë do të vriteshin më shumë se 700 mijë ushtarë. Një ditë, të vëllain e kishin sjellë të plagosur në Paris. Por një tmerr të vërtetë ai provoi kur dhe atë e kërkuan që të shkonte në front. E si mund të shkonte në front i sëmurë siç ishte, kur azma e mbërthente gjithnjë e më shpesh në grykë dhe e linte pa frymë. Ai paraqiti raport pas raporti, por në kohë betejash të mëdha, ku luhet me fatin e kombit, askush nuk pyeste për sëmundjet e tij. Fatmirësisht, një kolonel që kishte qef letërsinë, kur ai i dhuroi librat e tij me një dedikim joshës, më së fundi u bë i dhimbshëm dhe Prusti i shpëtoi frontit. Shkrimtari mund të vazhdonte të shkruante dhe kur avionët gjermanë i shfaqeshin gjer në qiellin e Parisit.
Ai e dinte se shpejt do të largohej nga kjo botë, prandaj dhe i duhej të nxitonte që të mbaronte gjithë veprën e tij, t’a korigjonte dhe të mbaronte ato që s’kishte përfunduar ende. Pasi dorëzoi për shtyp Andej nga Gurmantët, (Côté des Gurmantes), shtëpia botuese Gallimard i propozoi të botonte A l’ombre de jeunnes filles en fleurs. Por a do mundej ta korigjonte dorëshkrimin e tij?
Një lodhje e madhe fizike dhe nervore e kishte pushtuar. I mbyllur në dhomën e errët, me muret e mbuluar me një rrobë që të mos ndiheshin zhurmat e bulevardit nga jashtë, Prusti, që flinte gjatë ditës, natën ndizte qirinjtë e tij për të shkruar gjer në orët e vona. Tashmë nuk ishte më ai borgjezi që kishte para. Kohët ishin të vështira dhe duhej jetuar. Por Prusti ishte mësuar me kafenetë lluksoze si në «Hôtel Ritz» dhe të hante në restorantin «Laure», në cep të Place de Madeleine, apo në «Chez Maxim’s», në cep të sheshit të Concorde-s. “Jam rrënuar dhe kam humbur gjithçka, – i kishte thënë ai një gazetari suedez, që kishte pranuar t’a intervistonte në shtëpinë e tij – Më duhet të shkruaj diçka për të jetuar”… Megjithatë ai ishte i lumtur. Tashmë vepra e tij kishte bërë udhë. Të gjithë i lexonin esetë e tij mbi artin, librat. “Çmimi Gouncourt” në dhjetor të vitit 1919, për romanin e tij të sapo botuar Rrotull vajzave të njoma, (A l’ombre des jeunnes filles en fleurs), i kurorëzoi më së fundi shpresat dhe punën e tij shumëvjeçare. Një vit më vonë ai u nderua me «Legjionin e Nderit» dhe po atë vit u botua Andej nga Gurmantët.
Rruga Hamelin
Prusti nuk donte ta linte apartamentin e tij në bulevardin Haussmann, me të cilin ishte mësuar, por pronarja, kushërira e tij, në atë kohë lufte u detyrua t’ia shiste një banke. Tashmë ai duhej të largohej. Për pak kohë ai u vendos në një apartament provizor jo larg ndërtesës së vjetër, por shumë shpejt gjeti një apartament në afërsi të Trocadero-së. Ai mendonte se apartamenti i tij në katin e pestë të Rue Hamelin, midis Trocadero dhe Harkut të Triumfit do të ishte provizore dhe se më pas mund të vendosej në një apartament më të qetë. Prusti nxitonte për të përfunduar korigjimet e botimeve të reja dhe përfundimisht të gjithë korpusit letrar të veprës së tij Në kërkim të kohës së humbur. Shtëpia botuese Gallimard priste çdo ditë dorëshkrimin e tij.
Një nga fotografitë e pakta të Prustit, e fundit në të gjallë të tij, është dhe ajo kur në maj të vitit 1921, ai shkoi për të parë ekspozitën e mjeshtërve të mëdhenj flamandë e mbi të gjitha Pamje nga Delf të piktorit hollandez Wermeer, në muzeun «Jeu de Paume», në cep të sheshit të Concorde-s. Prusti i donte shumë flamandët, veçanërisht Memling, Weyden, Rubens dhe Rembrandt. Ishte fotografia e tij e fundit, me flokë të shkurtëra, mustaqet e përherëshme, kapelen në dorë dhe me shkopin e tij të zakonshëm. Ishte veçse 50 vjeçar. Një javë më parë, ai ishte takuar në Ritz për herë të parë me Xhejms Xhois, (Joyce), i cili rrethohej atë ditë nga Stravinsky, Diagilev dhe Picasso. Në pranverë të vitit 1922, një mbrëmje të vonët, më së fundi ai shkroi fjalën fund. Ishte hera e parë që kishte shkruar në fund të dorëshkrimeve të tij këtë fjalë, «Fin». E megjithatë një nga veprat e tij, Jean Seteuil, me historinë e një djaloshi që iu kushtua letërsisë, kishte mbetur e pa përfunduar.
Ai tashmë ishte bërë mjaft i njohur. Për të flitej në New York, në Romë, Madrid… Rreth tij ishte grumbulluar një gjeneratë e re shkrimtarësh si, François Mauriac, Paul Morand, Jean Giraudoux, Jean Cocteau… E dinte se shumë shpejt do të vdiste. Një mbrëmje, më së fundi ai i tha Celestes se «tani mund të vdiste». “Akoma e dëgjoj zërin e tij që mbarte shpërthimin e një gëzimi të madh”, – do të kujtonte më vonë Celeste. – Atëherë nuk dilte më nga shtëpia. Kohët e fundit ai ishte abonuar në “theatrephone”, një lidhje telefonike ku transmetoheshin koncertet muzikore dhe operat drejtpërdrejt nga teatrot. Vetëm kjo gjë e përhumbte në magjinë e muzikës. E pëlqente shumë dhe mbi të gjithë Debussy.”
Një grua në të zeza…
Në nëntor të atij viti gjendja e tij u përkeqësua shumë nga bronshiti. Herë pas here i jepnin oksigjen se nuk mbushej me frymë. E megjithatë, e vetmja gjë që kërkonte ishte një birrë e ftohtë nga Hôtel Ritz. Shoferi nisej me të shpejtë dhe e sillte birrën edhe po të ishte ora 2 e mëngjesit.
Ditë e natë Celeste përgjonte zotërinë e saj me frikë në zemër. Për ta ngrohur, i jepte qumësht të ngrohtë. Meqë e folura e lodhte së tepërmi, tani ai komunikonte me të me pusulla, ku jepte porositë e tij. Kur ishte mirë, merrte dorëshkrimin e romanit Albertine disparue për të parë korrigjimet e bëra. Një ditë ai i kishte thënë: «Dua që duart e tua të më mbyllin qepallat». Madje disa ditë, para se të vdiste, ai i ishte lutur tu dërgonte lule miqve të tij, të cilët kishin shkruar disa artikuj për veprën e tij kohët e fundit. Ishte një lloj përshëndetje e tij. Celesten e kishte porositur të shkonte të takonte dhe abatin Mugnier, të cilin ai e njihte dhe t’i fliste atij për vdekjen e afërt dhe përshpirtjen që donte t’i bënte.
Më 17 nëntor, ai i bëri shenjë Celeste-s, e cila iu afrua dhe dëgjoi zërin e dobët të tij që i thoshte: «Nëse e hedh dhe këtë natë, kjo do të thotë se jam më i fortë sesa mjekët. Por duhet t’ia dal mbanë. Si thua ti, a do t’ia arrij?»…
Në datën 18 nëntor, pasi kërkoi të pinte një kafe dhe mbeti një çast vetëm, ai i bëri përsëri shenjë Celeste-s t’i afrohej: “Në dhomë është një grua e shëndoshë, – i pëshpëriti ai me sytë e shqyer… – Një grua e tmerrëshme në të zeza».
Ishte në delir. Pasi i dhanë përsëri oksigjen, Celeste, që nuk linte askënd të hynte në dhomë, madje as mjekët, të cilët Prusti i kishte refuzuar, thirri më së fundi Robertin, të vëllain e tij. Ishin momentet e fundit. “Prusti nuk po na i shqiste sytë. Ishte diçka e tmerrëshme. Pas pak Roberti iu afrua dhe i mbylli qepallat, ndërkohë që ai ende vështronte nga ne.
– Ka vdekur? – e pyeta.
– Po Celeste. Ai ka mbaruar!…
Ishte ora gjashtë e pasdites. Të nesërmen, gazeta Le Figaro do të njoftonte vdekjen e shkrimtarit të madh Marsel Prust, edhe pse dy të tretat e veprës së tij, të kësaj katedraleje gjigande, siç do ta krahasonin kritikët, ende nuk ishte botuar. Fotografi Man Ray që erdhi me të shpejtë, fiksoi fotografinë e tij post-mortum. Ishte portreti i qetë i shkrimtarit me mjekrën e zezë që i mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës.
Një ditë më vonë, trupi i tij u preh në varrezat e Père Lachaise.
Gjatë dy ditëve me kushërirën time, ne brodhëm nëpër rrugët e Parisit në kërkim të Marcel Prustit. Sigurisht, që dikush ta bëjë këtë «udhëtim» në vendet e përjetuara të Prustit, duhet të ketë lexuar diçka nga vepra e tij, në mënyrë që të ngjizë në një autorin dhe veprën, dhimbjet dhe dehjet e tij, dashuritë e tij të munguara, adhurimin për nënën dhe guvernanten besnike, personazhe të një kohe që u bënë heronjtë e romaneve të tij. Eshtë e habitshme sesi për disa dekada pas vdekjes së tij, Prusti nuk u vlerësua nga bashkëkohësit dhe kolegët e vet letrarë. E habitshme sepse për të nuk thotë asnjë fjalë Bretoni, i cili e urrente, ose Aragoni, Malroja, madje as Sartri apo Kamyja. Vonë, duke filluar me Barthes-in, siç kujton dhe shkrimtari Philippe Solers, vepra e Prustit filloi të marrë vlerën e vet të vërtetë. Në një anketë të botuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, në disa nga organet e shtypit letrar evropian si revista Lire, gazetat El Pais, The Times, Die Zeit, apo La Stampa, krijimtaria e Prustit preferohej pas Shekspirit, Gëtes, Servantesit, Dantes dhe Kafkës, duke lënë mbrapa shumë autorë të njohur dhe nobelistë. Madje si francez, ai ishte vendosur para Molierit, Volterit, Balzakut, etj.
Veç veprës së tij, Prusti na ka lënë dhe një detaj të vogël, i cili çuditërisht ka mbetur ende në jetën moderne: Pyetsori i Prustit. Një pyetsor që shpesh kritikët dhe gazetarët në intervistat e tyre ua bëjnë artistëve të shquar. Legjenda thotë se kjo është e formuluar nga Prusti, por ndoshta ajo mund të jetë e huazuar dhe nga sallonet letrare angleze të asaj kohe. Sidoqoftë, një gjë është e njohur, se Prust kishte dhënë atëherë përgjigjet më interesante dhe që atëherë, të gjithë e quanin Pyetsori i Marsel Prustit…
Luan Rama

[1] Kur dashuronte Suani, Marcel Proust, Shtëpia Botuese Fan Noli Tiranë, 1996.

[2] Les écrivains français par les écrivains connus, Ed. Les Belles Lettres, 1995, Paris.

[3] L’œil de Proust, Philippe Sollers, Ed. Stock, Paris, 1999.

[4] Monsieur Proust, Cèleste Albaret Ed. Robert Lafont, 1973.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.