Intervistë me Nokë Sinishtaj : KAM LINDUR POET DHE POEZIA MË KA SHPËTUAR JETËN

0
66
  • Na thuaj pak se si erdhi deshira për të qitur në letër vargjet dhe inspirimet që kishit?

Noka:- Unë e kam pa dritën e jetës,nji të enjte,si poet. Si fëmijë, isha vetëm bari qengjash.I kam la në Cem aq shumë i dashuroja. I kam mrizua  Grykëllukë, vetëm me i pa të ndihen mirë.Kam shkruar poezitë e para nëpër rrasa të gjalla, kam vizatur kryqa e zemra nëpër lëvore të lisave. Deri në moshen 33 vjeçare jam turpërua ti  them kujt se kam lindur poet. Ana e majt e Cemit,maja e Deçiqit,Brija e Zhernit e

Ana e Paspllartit mbetën për mua viset ku i  kam lënë gjurmët e moshës fantastike.

Me u çue para dritet me pre kollomoq,me kontemplue agun,rrezet e diellit si ura arit,trompeta gjigate,me e perjetue Diellin si sherbëtor që më merr mbrapa;me vu duhan varg, me i la duart me gjethë folete,me vrapua turr e vrap në Cem: qe elani i Bukurisë !Me shpatukue fiq të thatë rreth votret, me lavdue Krishtin;me premtue rruzaren;me e lëshue prej hekurave Lacin…qe gurra e poezis time!
Atje,xhades së Zhernit,nar asfalt kanë mbetun poezitë e mia të shkruara me çekiq koset nëpër gurë.Atje,në Kshevën time i gjenë ende të freskëta kujtimet e mia nëpër shtera krypet që s’munde  kush me i bajtë. Jam dashamiri i luleve,i mjedrës në pranverë që e veshte vendin me ngjyrë vjollcë. Jam miku i bletve që zukatshin në koncert e më msonte Nana e Bukës:” Vetem ato prej kafshëve vdesin,taman si gjogu,tjerat cofin”. Rinia ime është e mbushur si hambar bukurishë ku edhe gjuha krahinore e nanave dhe nuseve tona ( Hot e Grudë,Kojë e Trish,Kastrat e Kosovë,Shtoj e Omerbozhaj, Plavë e Guci) kan hy në mua e janë gurra e metaforave,e shprehjeve që vlojnë përbrenda. Unë nuk jam jeremi, por kam lindur kështu, poet! Njerui i parë që ma ka zbuluar  talentin për poezinë është prof.Gjergj Daku. Ai më jepte libra me lexua. Ati edhe i jam hap pak a shumë. Më duhet të them edhe një fakt: mua poezia më ka shpëtuar dhe vazhdon që të jetë shpëtimtarja ime.

 

– Cilët poetë shqiptarë do të veçonit?

Noka:- Me gjithë se kemi pas poetë mjaft të mirë, çka besoj se ka edhe sot, unë nuk kam arrit që të jem në hap me zhvillimin e letërsisë shqipe. Largësia e bën të vetën.  Por, nuk kam mbetur shumë pas,  pasi pasioni për poezinë më ka nxitë ta ndjek atë. Kështu, unë do emëroja tre poetë : I pari është Ndre Mjeda, si arkitekt i poezisë, një mjeshtër, gdhendës i palodhshëm, një skalitës i fjalës. Ai e do fshatin,natyrën,bylbylin,anbientin… Deperton thellë ne pellk të bukurisë e rikthehet me fjalë-gjerdanë duke kënduar jetën tokësore ku fshehen nëna-shenjte,vajza-engjuj mes fatit krudel. Mjedën e kanë toleruar edhe Enveristët duke lënë një poet gegë. Ata nuk kanë qenë në gjendje që ta heqin Mjeden sepse ka qenë edhe më i fortë se vetë Rregulli Jezuit të cilit i ka shërbyer; I dyti është Fan Stilian Noli.  Ai nuk duron në poezi “raconto”. E merr edhe Krishtin që t’ua mëshojë të tjerëve me kamxhik në Tempull. Nga politikan, kthehet në poet-rrufe. I treti është i madhi, Lasgush Poradeci. Te Poradeci, kemi një gjeni gjuhe, ku materiali-fjala, është gjithçka. Ai e do liqenin,pejsazhin,mbrëmjen,nositin;nuk e harron Malësinë,  D.Gj.Lulin por as Sokratin. Humbet në ekstazë për shkak të së bukurës,  e vuan e vuan dhe nga vuajtja vdes, duke parë se komunizmi do të ishte virusi mortarë i lirisë.

  • Tema kryesore e poezisë suaj është vëndlindja, Ksheva! Na e thoni se sa ka pas rëndësi largësia, largimi juaj nga vendlindja, sa ka pas rëndësi pesha e “mëkatit” që keni bart me vete bashkë me shumë e shumë malesorë të tjerë?

Noka:- E kam parë dritën e jetës në Kshevë,larg asfaltit e korrentit,larg mjekut e pazarit,mes Sukës e Deçiqit legjendar.Unë nuk i duA PRINDËT në vend të parë. Kryet e vendit e ka:DHEU-i-ATIT = Atdheu; DHEU -i-MËMËS = Mëmdheu.

Pastaj vinë Gjeloshi e Ag’ja, që për mua ATY do të thotë Ati-Ynë. 10 Komandametet denden në nji:ME DASHTË (Amore). Duaj e bëç’të duash, thotë  Shën Augustini. Pra,është dashuria ajo që ta jep lirinë e t’i vendos – prangat. Kështu është edhe Atdheu, ku edukata ishte:”mos me vjedhë,mos me rrej e mos me tradhtue”.

Kush i jeton,perjeton e pandarë i respekton me virtyt të jetesës,ai ka vetem një komandament: ME DASHT ATDHEUN , ose si thoshin Inka PACHAMAMMA= NANA E MADHE= GEA. Në Kshevë kam zbuluar ç’është DRITA e ç’është ERRËSIRA. Aty kam zbuluar ç’është DASHUNIA por aty kam bërë edhe kontaktin e parë me VDEKJEN.

Hala mbesin të pa kenduara sa e sa sende:të Parët,Skeletet,

Dielli e Kakini i Deçiqit,malli e bagëtia,gurt e xhadja,pazari e acari.

Oh, asht i gjatë,e i  pafund rëndi i sendeve që presin vjerrshën,këngën,melosin e vulën.

Aty,në Kshevë,i kam çue si fëmijë kurorën e Gjokë Lucës Dedë Nikës Ivezaj;Aty e kam

dëgjua „poezin“ e parë të Tomë Bishit.Ksheva din për SHEHTEN e HEROJ e për TRADHTAR

E KARADAKOFILA.

Jam i lindun nga familja SHYTAJ nji nder ma të njoftunat në Malësi.Kulla jonë,malli ynë,ende

piskasin,të frymë si ledhi i thatë…E na mori fati i Arbanasve të Zadrës,të Italo albanesi…etj.!

Kur jam i lodhun,pa ndjenja për asgjë,është KSHEVA ime që vjen te unë; ajo,Ksheva,me gur

e “xhvale”,me ograja e varre,me peshë materiale e shpirtnore,VJEN te UNë!

E dashuria e madhe nuk ka fjalë. Drita e madhe nuk ka sy. Plaga e thellë nuk ka gjak.

Qe kështu vjen te unë Malësi-Ksheva, si motivi kryesorë, tema e kryetema ime. Po, nuk mund të thom se nuk ka ndikua largësia, sepse mergimi e ban të veten. Njeriu nga larg shikon shumë gjana ma mirë e shumë tjera nuk i sheh aspak. Tanë që e kanë lanë Malësinë, bashkë me mua, bajnë në gjak një mëkat të madh…mëkatin e abandonimit të Nanës!

***

– Si mund ta definoni poetin që do të mund ta qunim “ I Madhi” ?

Noka:- Poeti më i madh,i pavdekshem,i cili edhe tash panda këndon duke ushtuar – është CEMI. Aty më gjen duke mrizuar, nën foletë;”duke ba petulla në ujë”;duke shkuar zhyt me gjuhca,duke bërë gaara me mullizeza ujit. Cemi,vera jetëprurëse e korpit, Malësi-Kshevë,ende për meu qarkullon kah GURRA si lumi i Judejve.

 

  • Me pare, Ju keni promvuar veprat tuaja në Shqipëri dhe Mal te Zi. Gjithashtu edhe nepër Zvicërr aty ku kanë jetuar shqiptarët, po tani, kohës se fundit jeni mjaftuar vetëm me botimin e librave? Pse kseshtu? 

 

Noka: – Pika dhe pesha kryesore për mu ishte:kanë apo s’kanë gjë;bëjnë apo s’bëjnë  poezitë e mia. Pashë se ata që më njofin,ose më “çojnë deri në qiellë“ ose e mbyllin gojën tamam si femra tradhëtare. I vetmi ishte Martin Camaj që (pa e takue kurrë) tha:“ pa lajka po ta them se je poet“. E kur poeti i mirë gjenë diçka në poezitë e mia ( unë e quej poet neutral,kritik letrar i patkuem) atëherë më duhet para pasqyret me i ba “synet” mëndjes së madhe,me e vëndos veten në vend që më takon rreth sofrës së krijimtarisë.E kam krahasur librin me nuse të Malësisë,të Diellen e Pashkëve te logu në oborr të kishës. Kritika:”Uh,s a qyqyloshe!Pak si hund madhe;jo bre syshtrëmbët;dihet se e bija e kuj asht,sy rrushe,selvi-ma” etj.etj. Kur libri shkruhet me gjak,ka gjithmon diçka të mirë permbrenda.Kur fillon shkrimtari me u mbeshtet në veti,në pervoj të vetit e ambientit,fillon me i shti rrajt thellë.E si e qita anet « sa për sy e faqe » , e pava se promovimi i veprës, festa e kritika,biseda e lavdia i mbesin vetëm shkrimtarit që lypë lavdin,prestigjin,majen e piramidës!

Jam tepër largët,i nxënë me punë që ishin rigoroze (gjygji,azili etj) e kam botuar ashtu si kam lexuar. Botimet në Shqipni,në Mal të Zi etj kanë mungesa, se isha tepër larg. Diku shpejtësia, diku stresi,ma tepër mungesa e padurimit; ka të meta të shkaktuara nga pseudo-ndihmësave.

Për mua, libri është një dhuratë lexuesit. Pastaj dhuratën edhe e lavdërojnë edhe e kritikojnë. Më ka mësuar jeta të më kritikojnë  nga qoshet, nga larg, jo në dhe ndër sy,por me “psst”,”hesht”… Kështu kam bërë edhe me botime. Kam pasë unë intuicionin e shendoshë taman si sistemin navigator.Pa ardhur vdekja e vërtetë, unë kam vdekur sa e sa herë rrugës…!

Ju keni botuar dy libra qe kan ngritur mjaft pluhur te lexuesi juaj?! Cka mund te thoni per kete?

Noka: Librat e mi “Dramca të regjuna” ose “Rrëfimet e nji prifti të rebeluem” si dhe “Cui Bono”,ënde nuk kan ngritur  pluhur ashtu siç do të duhej..Në Malësin tonë, këto libra janë lëmi-tabu. Qellimi i këtyre “libriqve” është dhe mbetet E VËRTETA.

Pasiqë Zotin nuk ka njeri që e ka parë,mundet njeriu,(homunculus) të bëjë teatër sipas leverdisë. Mirëpo,me Jezu Krishtin nuk bëhet teatër.Pra,asku në shkrimet e mia nuk gjenë as një presje kundër Bariut të Mirë (Mt.19,12).  Sepse ,ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë,ka edhe nga ata njerëz i bëjnë të paafët për martesë por edhe ngaata që i bien mohit martesës, për dashuri të Mbretërisë së qiellit.

Kush mund ta kuptojë,le ta kuptojë. Kisha e di se ka bërë vetë sa e sa – Kastrat. Shkenca e di se ka shumë – Deledash. Natyra e di se ka sa e sa që e duan prokreacionin por i ka  krijua – mangut. Qysh vitit 1139 deri m’sot, Kisha luan teatër me celibat duke gënjyer vetën kinse “baruti e zjarri vëllazërohen e nuk flakojnë?! Natyrisht se vera e mishi i pjekur “nuk japin potencë!” Edukata jonë ishte me HESHTUE. Mos ashtu se asht marre, ishte deviza e kohës! Unë u bana i pafytyrë dhe e deflorova paragrafin e heshtjes. Sivjet Festohet 500 v. i tezave të Luterit. Ai  i vetem ndersa të gjitha kishat bashkë dhe ai fitoi, sepse “L’Amor che mueve il Sol’e le altre stelle”(Dante) është dhe mbetet gurra e egzistences.

Sipas Platonit, ka njerëz që e kan humb pjesen e vehtes te tjetri: po kje burrë,bëhet homoisaexuel;po kje femër, bëhet lezbike,po kapërcei te fëmia, bëhet pedofil,e kushedi, mes 20000 njerëzve, vetëm dy e gjejnë lumturinë totale, pa pas nëvojë që të bëjnë moralin e magjypit. Herën e parë, kur të lexova,shkruan një malësor-amerikan,veç se nuk të pështyna! Por kur të lexova për së dyti, piskata:Ti e don vetem Krishtin kristal.

-Akademik Gjovalin Shkurtaj shkruan: “Edhe Cui Bono-n” e kam lexuar dhe e mbaj para sysh,që të përfitoj prej vrullit e erudicionit qe spikat në të” Dr.Anton Papleka shkruan:” Kur fillova ta lexoj librin tënd «  Cui Bono », nuk munda ta hiqja nga dora pa i shkua  deri në fund. Vepra jote ishte realiste, emocionuese, tronditëse. Ajo më kujtoj librin “ Les Confessions «  de Jeaen-Jacques Rousseau-së, që është duke e  perkthyer ime shoqe. Në librin tënd del qartë deshira  jote e zjarrtë për të thënë të vërtetën,për t’i sherbyer të vërtetës.Për ata që duan ta pranojnë  këtë të vërtetë,kritika jote është shprehje  e dashurisë së thellë  për Jezu Krishtin dhe për nusen e tij,Kishen. Besoj se po kjo dashuri e ka shtyr poetin gjenial Dante t’i vendosë disa papë e klerikë në rrathët e ferrit. Ashtu si ju, jam i bindur se çelibati është një traditë kundër natyrës që e dëmton kishen katolike. Herët a vonë,do të gjindet nji Papë  që do t’i japë fund  këtij zakoni çnjerëzorë.

Libri yt është një kontribut i veçantë në dobi të bashkësisë (komunitetit) për të cilin flitet. Besimtarët me mënd e të ndershëm,do ta mirëkuptojnë,do ta vlerësojnë siç e meriton. Pra unë nuk kam heshtë përballë të vërtetës, gënjeshtrës e përuljes që janë munduar t’i bëjnë Kishes dhe vetë Jezusit, por edhe malësorit e malësores punëtore e njerëzore.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here