Nga Paul Tedeschini

Famullia e kishës katolike e Tiranës ishte famullia më e rëndësishme e Shqipërisë për vetë faktin se ishte pjesë e institucioneve qendrore qeveritare, parlamentare, diplomatike, kulturore, ekonomike, shoqërore etj. të kryeqytetit të vendit.
Prej vitit 1938 e deri më 1947 kjo famulli drejtohej nga famullitari dekan i saj kosovari Dom Shtjefën Kurti. Studimi i qindra e mijëra shkresave, korrespondencave, letrave, buletineve, raporteve, të kësaj famullie që gjenden në Arkivin e Shtetit, janë vendimtare për të hulumtuar historinë e kësaj periudhe. Kjo edhe për faktin se brenda këtyre viteve ndodhën ndryshime dramatike si rënia e ish-Mbretërisë së Zogut, pushtimi italian e më vonë nazist, ardhja në pushtet e fituesve të Luftës së Dytë Botërore. Periudha e sipërcituar shënon prurjet më të mëdha të hebrenjve nga vendet fqinje, Evropa Qendrore e vise të tjera të nxehta antisemite, duke gjetur strehë e mbrojtje tek shqiptarët. Sipas studimit të prof. dr. Shaban Sinani, të titulluar “Në Shqipëri s’ka pasur holokaust”, janë mbi 2264 hebrenj që kanë hyrë në Shqipëri para dhe gjatë Luftës.
Duke studiuar për këtë qëllim dosjet e shumta të fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tiranë, famullia e kishës katolike, Tiranë” në Arkivin Shtetëror, u befasova nga disa dokumente zyrtare në të cilat shkruhej se “disa hebrenj të ardhur në Tiranë kërkonin, nëpërmjet procedurave liturgjike, ndërrimin e fesë së tyre hebraike në katolike”. Në këto rrethana natyrshëm lindin disa pyetje.
Cili ishte roli i famullisë dhe i drejtuesit të saj, Dom Shtjefën Kurti, në këtë proces? A ishte kisha katolike e Tiranës pjesë e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human të popullit të cilit ajo i shërbente? Pse famullitari i saj, Dom Shtjefën Kurti, siç rezulton nga dokumentet, duke thyer të gjitha afatet procedurale mjaft të ngurta të konvertimit fetar, u hiqte pasaportën hebraike hebrenjve duke i pajisur ata me “pasaportë” katolike?
Për këto le të analizojmë disa dokumente autentike të kësaj famullie. Me shkresën nr. 458/43, dt.22.VII.1943 të zyrës famullitare të kishës katolike Tiranë, firmosur nga famullitari Dom Shtjefën Kurti, drejtuar zyrës ordinariate të Arqipeshkvisë Durrës thuhet: “Venko Verah, çifut prej Shkupi, asht përgatit në mësimin e fes sonë ma se miri prej Atë Pjeter Meshkalles, edhe nep sheje te mira konvikcioni. Kejo Zyrë Famullitare kërkon leje me e pagzue”. Shërbyesi i asaje Zyre Ordinariate, Famullitari (Dom Shtjefen Kurti).
Me po atë datë, 22 korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Curia Archiepiscopalis Durrachiensis i përgjigjet zyrës famullitare Tiranë: “Mbasi kenka gatue ma se miri e po nepka sheje te mira konvikcioni, në ditën qi t’u duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë Pagëzimin Shejt çifutit prej Shkupit Venko Verah. Vinçenc Prendushi – Arqipeshkev”.
Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muer ditën 31.7.1943” dhe më poshtë: “Ditën 3 gusht 1943 , Venko Verah kje pagzue e u regjistrue ne Librin e te Pagzuemeve me numrin 138”. Të dyja shënimet firmosur Dom Shtjefën Kurti
Siç shihet, kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranës dhe miratimi nga Arqipeshkvia në Durrës është bërë brenda ditës. Kuptohet, ka pasur një interesim direkt, personal dhe dërgim dorazi i kërkesës dhe marrjes së përgjigjes, pa pritur kohën e gjatë me postë. Pas 10 ditësh çdo gjë ishte përfunduar dhe Venko Verah ishte konvertuar në katolik. Gjithashtu, me shkresën 324/43, dt. 11.VI.1943, nga famullia e Tiranës kërkohet miratimi “me marrë sakramentin e pagzimit nesër, nata e Rrrshajve, për 5 çifuten te tjerë”
Po kështu kemi kërkesën me shkresë nr. 565/43, dt. 2 shtator 1943, nga famullia e Tiranës për “Zojushen Olga Nikolic, e bija e Blogota e Danica Kovacevic, lindur në Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhur në Tiranë prej Kotorrit për me u ba katolike”. Teksti Prof. dr. Shaban Sinani

Marre nga Wikipedia https://sq.wikipedia.org/wiki/Hebrenjt%C3%AB_n%C3%AB_Shqip%C3%ABri

Dom Shtjefen Kurti u pushkatue nga komunistet në vitin 1970
At Pjeter Meshkallla u burgos dy here dhe u lirue nga burgu në vitin 1988
Monsinjor Vinçens Prennushi u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1949

Fotomontazhin e pregatiti Paul Tedeschini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.