Këtu, pranë e pranë, vumë dy këso veprash të piktorit Idriz Berisha Xhixhi, ku përqendrimi piktural ka të bëjë me figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut… e shoqëruar dhe me një figurë tjetër, Nënën Tereze… Janë piktura, në të cilat pleksen historia e bamirësia, fama botërore e krenaria nacionale shqiptare.

1.
E rimora, në këtë përvjetor kastriotian, piktorin Idriz Berisha, sepse gjatë viteve ’90, nëpër mote të rënda, pikturat e tij na shoqëronin me portretin e Skënderbeut, të vëllezërve Gërvalla apo të personaliteteve të tjera nëpër këso akademish kulturore-historike e përkujtimore, … Piktori ishte dhe në Frontin e Rezistencës Me Anë të Artit.
Dihet që shëmbëlltyra e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, është paraqitur për pesë shekuj rresht, në të gjitha llojet e arteve europerëndimore e të atyre botërore, që nga gravura, piktura a skulptura, e deri te letërsia, teatri, kompozimi muzikor, baleti e filmi.
Idriz Berisha, piktor, qe disa dekada, pa reshtur, ka bëtë piktura e forma të tjera figurative të portretit të Skënderbeut. Këto piktura qëndrojnë nëpër ambiente familjare, oda e kulla, por edhe nëpër galeri të ndryshme personale a kolektive. Në pikturat e tij të shumta, kjo shëmbëlltyrë shoqërohet herë me shqiponjat, herë me malet, gjithnjë me përkrenaren e tij si emblemë historike-luftarake e liridashëse… Por aty vijnë edhe kështjellat, kullat, kurse te pikturat me ndjeshmëri moderne, në shoqëri i vijnë shpesh Adem Jashari e Nëna Tereze…
Edhe kur Idrizi pikturon figura dëshmorësh, po me këtë ndjeshmëri, si emblemë të trashëgimisë sonë luftarake e atdhetare, ai vë si “stoli estetike” këtë figurë-emblemë, herë-herë si shenjë tematike, ku Skënderbeu është ai Udhërrëfyesi a Fanari Historik, për t’i kapërcyer ankthet e plojat tragjike sa herë jemi gjendur ngushtë.

Skenderbeu punuar nga Idriz Berisha

2.
Kudo e ndien frymën e rezistencës, po edhe të vlerave shpirtëzuese, të amshueshme, sikundër janë krenaria, bamirësia, mirësia njerëzore, pastërtia shpirtërore e etike… më tutje shquhen fryma e rezistencës, së tillë nacionale, me qëndrimin triumfal të figurave, me realizimin e veprave përmes një kompozicioni të rregullt, me shprehje që konvergjojnë gjithnjë aspektin e saj konstruktiv, me anë të vijës së disiplinuar që shkon kah gjeometrizmi real.
Dhe, si veçori të poetikës së tij figurative, nuk lë pa e shquar të kaltrën a blunë në shumë variacione, kurse si veçori tematike-gjeometrike, frëngjitë triumfale shqiptare … që vijnë si harqe triumfi nëpër shtigje historie, ekzistimi a jete…
Te piktura e parë ndeshim në blu, që vjen si mugëtirë historike, me turbullirat e luftërave, por vazhda historike ahohet me të blertën, si unifikues kompozicional dhe tematik… kurse te dyta, në shoqëri me bamirësen botërore, e çelur në buzëqeshje e në ngjyra, ku horizonti ekzistencial, historike nacional, tashmë shihet në horizont… Piktori sigurisht, për t’i krijuar këto vepra, mbështetet në modelet e përparshme figurative, të dëshmisë historike e të dokumentit figurativ-piktural, skulpturor etj, por ai gjithnjë ndërhyn me imagjinatën e tij krijuese, me modelin e tij individual figurativ.
Dhe, në fund, le të shtojmë edhe diçka tjetër: pikturat e Idrizit gjithnjë kanë në qendër Njeriun…pa Njeriun sikur nuk ka pikturë! Domethënë, nuk ka humanizëm nacional, universal e individual vlerash…
Në pikturë e punaur më 2008, për t’i hijeshuar hapësirat e qytetarëve, është ajo që portretizon pamjen skulpturore të portretit të Skënderbeut, me ngjyra të ndezura që shënjojnë temën e shenjtërisë shqiptare (Skënderbeu vihet në plan të parë, si kujtesë historike-skulpturo
Re). Vjen një portret i Nënës Tereze me një qiri që bën dritë në errësirën e viteve, me portretin e një fëmije e një flete, shenjë dëshmie e mësimi. Kësisoj: kujtesa historike, atdhetarizmi luftarak kastriotas, shenjtëria humaniste e Nënës Tereze dhe gjeneratat që po vijnë, të ngritura mbi themele të dijes, shkrihen tematikisht natyrshëm në këtë punim që mban titullin “PËRTEJ LAVDIVE”, akril në pëlhurë, 100x70cm. Është punua më 2008.

3.
Ja një pikturë tjetër, e vitit 1976-77 që mban titullin “Vështrim Atdheut tim –Arbëri”. Ishte punaur fshehtas gjatë shërbimit ushtarak në Vranjë të Serbisë (1976-77),me temper në karton, 100x70cm. Më 1977 ky punim u mor nga policia dhe “qëndroi” 48 orë ne stacion të policisë. E arrestojnë dhe e marrin në “bisedë informative” edhe piktorin… Kjo pikturë e vendos figurën e Skënderbeut maje një shkëmbi malesh, me një qëndrim epik, me vështrim shqiponje drejt kampeve armike. Shpata e ngulur në shkëmb (si shenjë e qëndresës prometheike), simbolet tjera kastriotiane, si përkrenarja, mburoja, parzmorja luftarake, i japin hir pikturës.. është dhe e kaltra e qiellit, ku Skënderbeu dhe qielli shkrihen në fluturimin luftarak, si një jehonë ndër vite e shekuj…
Vijnë vitet ’90, kur shkolla shqipe u shkëput nga sistemi serb dhe vepronte në formën e rezistencës. Që më 1990 Idriz Berisha organizon ekspozitë me nxënës e ku vizatohet, ndër të tjera, edhe portreti i Skënderbeut dhe një mbishkrim “Kosova Republikë”. Për shkak të kësaj ekspozite vuan një burg politik prej disa muajsh.

Prend Buzhala dhe piktori Idriz Berisha

Një kujtesë vitesh: meqë për tetë vite ishim së bashku në bankat e shkollës fillore në Ujëmirë (1960- 1968), me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aso, kohe, me ndihmën e mësimdhënësit të vyeshëm të kësaj shkolle, nga Peja, hapëm një ekspozitë kushtuar Skënderbeut. Së bashku punuam dy portrete: të parin, me përmasa të mëdha, mbi dy metra, që zbukuronte korridoret e shkollë[s, dhe të dytin e punuam, me durim, me guralecë shumëngjyrësh, në formë mozaiku. Madje, një mozaik me shpatë e simbol pene,q e ruajtur deri në vitet e luftës, kur Serbia dogji bibliotekën e pasur të shkollës, dokumentacionin administrativ 60-vjeçar, shumë punime e gjëra të tjera me vlerë, dogji dhe objektet e këtushme shkollore. Dogji edhe pikturat e studion e arteve figurative të Idrizit. Por ai nuk u ndal. Nuk iu dogjën frymëzimet. Përkundrazi, ato erdhën me një forcë më të madhe krijuese e realizuese.

(Punuar më 17 janar 2016. Ripublikim: 27 janar 2018)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.