Rexhep Hoti – Kurora e lamtumirës!

E çoj peshë krijimin botëror,
Piktorët me radhë që i mbajmë për shenjtorë;
Askush nuk e krijoi dot pamjen tënde;
Mbete e vetme!
Dhe mbi vargun tim me ankth të pafund,
Të derdha florir në kurorë!

Zbrite nga qielli me shkallë prej reve drejt e në Arbëri!
Bukuria jote i krijoi stuhitë mbi stinët e kësaj bote;
Arti mbeti i varfër dhe jetim!
Përfundi hijes sate asnjë gjeni,
Të vëzhgoj nga larg,
Drita e syve më mbetej pa frymë
E vetme qëndroje ti!

Ishe në këtë dhé kur mitologjia mori fund!
Një popull u zhbë për hiret e tua;
Askush gjer më sot nuk të pikturon dot;
Vetëm unë me blunë e syve prej mendjes,
Të prek!
Të shoh!
Të njoh!
E vetme je ti!

Rri pranë përkrenares së Skënderbeut;
I përshëndet zotat e Arbrit me radhë;
E ndëshkon buzëqeshjen e Helenes për flirt;
Unë brengën ta puth e në buzë s’të shoh;
Kam dhimbje të tmerrshme në shpirt!
E vetme je ti!

I fshiva të gjitha mendimet për ty,
Siç fshinim dikur me buaj në lamë;
Veç dashurinë e jetës ta lash peng,
Të ma thërrasësh njëherë në jetë,
E kurrë më,
Vetëm emrin që kam!
E vetmja ti!

Epikja e vargut nuk ta zë bukurinë!
S’dua të ikësh si njeri i plagosur,
Asgjë prej teje me vete s’dua të marr!
Lamtumiren s’dua të ta jap si Jesenini;
Dua ta shijoj gjallë
Me motin e erës së katundit,
Kur zemrën të ma shkulësh me thonj,
Largimin prej teje ta ndjej palca e loçkës,
Atë vuajtje të njëhershme gjer në varr!
E vetmja je ti!

Asgjë nuk është e mjaftueshme për ty!
S’mund ta fajësoj askënd në tokë!
Mijëra vjet drite ishe larg në thellësinë e kaltërsisë,
Rrezoje si Kometa e Halley-t,
Dhe e leje prapa klithjen si bisht qiellor;
Dashurinë e pathënë gjersa e prek në gjoks,
Mbi të cilën të qëndron malli i bymyer për mua,
Ah, i mbështjellë nën shami me të artat flokë!
E vetmja je ti!

Prishtinë, Dimër, pas Vitit të Ri, 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.