Një shqiptar fiton Sanremon. A na takon të krenohemi me Ermal Metën? – nga Çapajev Gjokutaj

0
128

Nga Çapajev Gjokutaj

Jo thonë disa. Nuk është prodhim i shkollës dhe muzikës shqiptare. Ka ikur fëmijë dhe është rritur e formuar në Itali.

Kush krenohet me shqiptarësinë e personave të tillë, është racist në thelb, -shtojnë pastaj. Se artistin nuk e bën gjaku apo origjina, por shkolla, kutura, shoqëria ku jeton e ku formohet.

Anoj nga ata që mendojnë se është legjitime të krenohesh për artistë, sportistë, menaxherë, shkencëtarë me origjinë shqiptare. Paçka se mund të jenë prodhim shkollash e kulturash të tjera.

Të krenohesh dhe të propogandosh suksesin e tyre është jo vetëm e ligjshme, por edhe e dobishme dhe funksionale.

Mediat, të huajat por edhe tonat, kanë krijuar modelin e emigrantit shqiptar që shquan si mafioz e kriminel . Shumicën e herëve lajmet për ta flasin veç për vjedhje, plagosje, përdhunime, vrasje.

Ky model përgjithëson bëmat e një pakice dhe le në hije punën e ndershme të qindramijëra emigrantëve që jo vetëm nxjerrin jetesën e tyre, por edhe kontribuojnë për ekonominë e vendeve pritëse. Madje nëpërmjet dërgesave kanë lehtësuar e lehtësojnë edhe ekonominë dhe jetën tonë.

Të krenohesh është një gjë, të mburresh është krejt tjetër gjë. Krenaria i ikën mburrjes dhe megallomanisë boshe se nxit dhe duhet të nxisë edhe meditime, debate e analiza. Kryesisht në dy drejtime.

Së pari, si mund t’i afrojmë talente të tilla. Jo që të kthehen, por për të ndihmuar në lobimin e Shqipërisë, në lehtësimin e lidhjeve të institucioneve tona me ato të huaja etj. etj. Jetojmë në epokën e rjeteve dhe ky lloj afrimi është më i lehtë e më i mundur se kurrë.

Së dyti, suksese të tilla mund t’i përdorim si shkas për të reflektuar se ç’duhet të bëjmë, që fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, që jetojnë këtu, të zhvillohen e të mos humbasin si sopata pa bisht.

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.