Mërkura e Përhimtë E T.S. Eliot e sjellë në shqip nga Erlind Sulko

0
480

Mërkura e Përhimtë, Pjesa I – T.S. Eliot
Përktheu Erlind Sulko

I
Sepse s’kam shpresë të kthehem më
Sepse s’kam shpresë
Sepse s’kam shpresë të kthehem
Të kem dhuntitë e këtij dhe mundësitë e atij
Nuk përpiqem të arrij më gjëra të tilla
(Pse duhet ti shtrij krahët një shqiponjë e plakur?)
Pse duhet të vajtoj
Pushtetin e zhdukur të sundimit të zakonshëm?

Sepse s’kam shpresë më të di
Atë shkëlqimin regëtues të një ore pohimi
Sepse nuk mendoj
Sepse e di që nuk do mund ta di
Atë fuqin e padyshimtë që përherë ndryshon
Sepse nuk mund të pij
Aty, ku lulëzojnë pemët, dhe rrjedhin gurrat, se nuk ka asnjëgjë sërish

Sepse e di që koha është gjithmonë vetëm kohë
Dhe një vend është përherë vetëm një vend
Dhe çfarë është e pranishme është aty vetëm për një çast
Dhe vetëm për një vend
Ngazëllehem që gjërat janë ashtu siç janë
Braktis fytyrën e bekuar
Braktis zërin
Sepse nuk mund të shpresoj të kthehem sërish
Prandaj ngazëllehem, se kam diçka për të ndërtuar
Diçka me të cilën mund të gëzohem
Dhe i lutem Zotit që të ketë mëshirë për ne
Dhe lutem që ti harroj
këto gjëra që i bisedoj me veten më tepër seç duhet
i shtjelloj më tepër seç duhet
Sepse s’kam shpresë të kthehem më
Lëri këto fjalë të përgjigjen
Se çfarë është kryer, le të mos kryhet përsëri
Le të jetë gjykimi jo dhe aq i rëndë mbi ne

Sepse këto krahë nuk janë më krahë për të fluturuar
por vetëm flatra për të rrahur ajrin
ajrin që tani është shumë i vogël dhe i thatë
më i vogël dhe i thatë se vullneti
Na mëso të kujdesemi dhe të mos kujdesemi
Na mëso të qëndrojmë në heshtje.

Lutu për ne mëkatarët tani dhe në orën tonë të vdekjes
Lutu për ne tani dhe në orën tonë të vdekjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.