Nën lëkurën e Sindi Dobit – nga Flogerta Krypi

0
385

Në muajin nëntor në një nga sallat e Hotel Rognerit, Sindi Dobi prezantoi me lexuesin librin e saj të paë. Unë pata kënaqësinë të isha atje si moderatorja e aktivitetit, por jo vetëm. Jam njeriu i parë që e ka lexuar librin dhe në të mund të gjeni dhe një koment të shkurtër nga unë. Ky libër, i cili kishte rreth dy vite që qëndronte si draft në kompiuterin e Sindit, u soll në treg nga  Shtëpia Botuese Onufri, pak ditë përpara panairit të librit.  E kam vlerësuar librin e Sindit për trajtimin e temës, stilin e zgjedhur letrar dhe lirshmërinë e të shprehurit.

Vendosa të ndaj mendimin tim rreth këtij libër për një fakt të thjeshtë. Është një libër edukues që vë në qendër raportin adoleshent – psikolog, një mardhënie tej mase e vështirë për tu trajtuar pa paragjykim. Sindi merr shkas nga copëzat e realitetit të saj në periudhën më të vështirë të jetës dhe shkruan një lloj “guide” sesi adoleshentët mund t’i përballojnë problemet e tyre. Personazhi kryesor zgjedh të shkojë tek psikologu dhe pse në rrethin e saj shoqëror, kjo nuk pritet si një kërkesë për ndihmë, por si pranim që je “e çmendur”.

Në takimet e një pas njëshme psikologia dhe ajo trajtojnë të gjithë problemet që hasin adoleshentët e sotëm, duke nisur me komunikimin në familje, problemet në shkollë, keqkuptimet në shoqëri,  mosnjohja e vetes  dhe botës e duke përfunduar me zhvillimin fizik që pëson trupi në këtë fazë. E megjithatë personazhi ynë është më e fortë dhe shumë e pjekur në zgjedhjet që bën. Aty mund të shohësh mjaft qartë botën e një adoleshenteje që nuk ka jetuar dot kurrë si fëmijë, apo si adoleshente. Një njeri që ka hequr dorë nga koha e saj për të ndihmuar në ndryshimin e realitetit ku jeton. Komunikimi që ajo e kërkon si nevojë për të mbijetuar në realitetin rrethues.

E rekomandoj si libër për t’u lexuar nga të gjithë adoleshentët, por veçanërisht prindërit e tyre. Jam e bindur se do të gjejnë shumë ngjashmëri dhe shpesh zgjidhje për problemet e komunikimit që kanë mes tyre. Më poshtë do të gjeni paragrafin tim të preferuar nga ky libër, por dhe do mund të dalloni qartë të gjithë elementët e lartpërmendur nga unë.

“Zgjodha të mos jem veç një emër. S’dua që në mendjen time të jem veç një emër. Unë jam një fuqi, jam një ndjenjë, jam një shpirt, jam një dhimbje, jam një ndryshim, jam një e shkuar dhe një e ardhme. Jo për njerëzit. Për ta jam akoma asgjë. Do luftoj edhe për këtë. Do luftoj për gjithçka. Kam një qëllim. S’do lejoj më që për veten time, të jem veç një emër.

Nuk mund të vazhdoj të jetoj për të tjerët. As unë dhe askush nuk duhet të jetojë për botën. Duhet të mësojmë se na shohin dhe na gjykojnë shumë palë sy në çdo moment, por asnjëri nga ata nuk di mjaftueshëm për ne. Askush nuk di mjaftueshëm për ne në fakt. Jeta është shumë e shkurtër për të humbur kohë, qoftë dhe një moment, duke mos e jetuar atë që duam. Jam e lumtur që jam dhe nuk jam siç isha. Tani jam e plotësuar më mirë. Nuk do doja të ndryshoja rrënjësisht. Nuk do të dija të jetoja një jetë krejt tjetër.

Zgjodha të mos jem veç një emër. Mes hapave të pafundëm që do hedh, nuk do të lë pas vetëm gjurmë balte. Në lotët e rrëmbyer të qiellit, kur të mblidhen gjithë dhimbjet e fshehura të botës, nuk do të ketë asnjë për mua.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.