Kush është Salvador Dalí ?

Salvador Dali ka qenë një nga figurat më interesante dhe më provokuese në artin e shekullit të njëzet. Një pionier i surrealizmit, ai është admiruar dhe sulmuar për imagjinatën e subkoshiencës që projektoi në pikturën e tij, së cilës disa herë i referohej si “fotografi ëndrre e pikturuar me dorë”..

Kushdo që është i interesuar për artin e shekullit të njëzetë dhe për një nga figurat më karizmatike dhe më të talentuara të këtij shekulli, duhet të lexojë patjetër “Jetën e fshehtë e Salvador Dalisë”.

“Jeta e fshehte e Salvador Dalisë, e treguar nga ai vetë”, është një libër që çdokush që do e lexojë do ndikohet për ta parë çdo gjë që e rrethon ndryshe. Kjo për lexuesin fillon që në leximin e titujve dhe nëntitujve që përmban libri, si: “Kujtime brenda barkut të nënës”, “Përvetësimi i lavdisë”,  “Zbulimi i makinës së fotografimit të mendimeve”, etj.

Ky është një libër autobiografik i shkruajtur nga vetë Salvador Dali, që zgjat deri në fund të tridhjetave. Gjithçka në libër, si nga bëmat e jetës, përshkrimet e tij janë të  paparashikueshme dhe provokuese, aq sa dhe arti i tij.

Në faqet para sapo fillon historia, është një nënshkrim i vogël që thotë “Gala-gradives, asaj që më udhëhoqi”, mirënjohjen e parë të kësaj biografie të hershme, të shkruar nga ai vetë duket se ia jep bashkëshortes së tij, ku përveç emrit, i ka vënë dhe prapashtesën Gradiva. “Gradiva” është romani i V.Jensenit, i cituar nga Zigmund Frojdi në veprën “Gradiva e V.Jensenit”, ku heroina e romanit arrin të shpëtojë psikiken e heroit dhe pikërisht këtë ka bërë Gala dhe me Salvadorin, ajo e shëroi falë dashurisë së saj të pashembullt  dhe të pafund, thellesia e së cilës u shfaq në praktikë dhe i tejkaloi të gjitha mënyrat më ambicioze të psikanalizës për Salvadorin.

Në këtë libër kemi shumë nga pershkrimet dhe shpjegimet e pikturave të tij, që të bëjnë të tërhiqesh nga arti pamor dhe sidomos stili i tij i veçantë. Një nga përshkrimet që personalisht me ka mbetur në mendje, është takimi i tij me Pikason, që flet shumë dhe me heshtjen e përsorur nga dy piktorë të mëdhenj botëror.

Ky libër, e sjell autobiografinë ndryshe, nga pyetjet retorike që vetë Salvadori ia drejton vetes. Papritur dhe ti e gjen veten duke i drejtuar personit tënd pyetje te tilla, një libër frymëzues për ta bërë dhe lexuesin ta shikojë jetën e vet në imtësitë që asnjëherë si ka parë. Me këtë libër do njihni veten dhe Salvador Dalin, që fillon nga kujtimet e tij brenda barkut të nënës, e deri në pikën ku ai arrin të prekë qiellin me dorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.