“Të gjithë jemi Alper Kamy” – një roman i sjellur në shqip nga Xh.Rakipllari

0
564

Nga Xhafer Rakipllari

“E shtuna ishte një nga të shtunat e zakonshme me shi. Pas një mëngjesi të vonë babai u ul të zgjidhte fjalëkryqe, ndërsa nëna nisi të lante rroba. Si të gjithë punëtorët e shtresës së mesme ditët e punës shkonin duke pritur fundjavën, ndërsa fundjava duke pritur ditët e punës. Nuk do ta kuptonin dot sesi kishin arritur në minutin e fundit të jetës. Fitore e sistemit.”

Fjalë që mund të dalin nga goja e një pesë-vjeçari janë këto?! Nëse shkrimtari është Alper Canıgüz, po! “Kushëri” i largët me Albert Kamynë, alteregoja e Alper Canıgüz-it, Alper Kamy është në pranverën e tij të pestë, por jo si pesë-vjeçar. Ky është “mallkimi” i tij. Pëlqen të kalojë kohë nën divan. I shtyn planet për të vrarë veten me dëshirën për të mësuar edhe pak më shumë matematikë.

Alper Kamy është një fëmijë që nuk dëshiron fare të trokasë në botën ku jetojnë të rriturit, ndaj revoltohet duke bërë zë, duke qëmtuar e duke shkatërruar. Po, pesë vjeç, por që i ka kapërcyer që në këtë moshë vështirësitë e jetës. Megjithëse brutaliteti i jetës e ka goditur edhe Alperin, ai nuk e lë moshën ta vërë përposhtë. Shpesh këmbëngulës, herë memec, pastaj trim e kaluar trimi.

Mendoni pak për një libër të tillë; policesk, pak sarkastik, pak fantastik, shumë realist dhe që i bën kritikën shoqërisë; një libër që në çdo faqe të bën të thuash “kaq është vërtet e tepërt”. Alperi mund të kishte lindur në Shqipëri.

Kurdo që ta merrni librin për ta lexuar, dijeni se Alper Kamyja ju vështron me një buzëqeshje qesëndisëse dhe se mendjen e ka sesi të zgjidhë krimin. Për shembull, pavarësisht se ai është duke biseduar me vajzën që “dashuron”, largohet sapo dëgjon zhurmë nga shtëpia e zotit Hixhabi. Ç’të shohë? Ertani i Çmendur që hedh nga dritarja ç’t’i zërë dora. Feston se ka shënuar gol Beshiktashi, teksa zoti Hixhabi gjendet i shtrirë në divan me fytin e prerë. Bash në këtë çast për Alper Kamynë, zgjidhja e vrasjes së zotit Hixhabi bëhet një çështje kombëtare.

Teksa lexoni Canıgüz-in do të përfshiheni edhe ju në jetesën e lagjes, filozofi, art, muzikë; por edhe fe, psikologji dhe sistemet e qeverisjes. Ndonjëherë Alperi thotë gjëra që të bëjnë të pyesësh veten. Shkrimtari luan këndshëm me subkoshiencën tonë. Në këtë histori absurde policeske ne kujtojmë atë që nuk e menduam, atë që nuk donim ta mendonim, atë që harruam… kohët kur luanim në lagje. Të lindurit pas viteve 2000 nuk do më kuptojnë. Po rritet një brez mes kurtheve të hekurit e betonit, që në rastin me të mirë e kanë mendjen te provimi – jo tek celulari dhe tableti – dhe që nuk e njeh asfare lojën me shokë. Në këtë “rrjetë” zveniten edhe ëndrrat më të bukura. Po Alperi? Ai është zëri ynë i brendshëm, prurësi i copëzave të jetës që nuk duam të na humbasin. Është dhe mendjehollë. Mund të ulemi me të e të flasim për orë të tëra për Niçen. Një fëmijë që në këtë rrokopujë botë ka ndërtuar me sukses botëzën e tij. Një arsye me shumë për të lexuar librin.

Falë mendimeve të Alperit libri del nga të qenit një roman policesk. Shkrimtari, me një gjuhë të gjallë dhe tërheqëse, rrëfen për ideologjitë dhe sesi këto i bjerrin njerëzit. Erdoani, që sheh vetëm interesin e tij, kërkon të syrgjynosë babain e Alperit sepse ka bindje politike të ndryshme prej tij. Në karakteret e Metin Bilginit me shokë shfaqen padrejtësitë e drejtësisë. Ndërsa Onur Çallëshkani del si një njeri që detyrohet të ndjekë pikë për pikë urdhrat e eprorit sepse duhet të ruajë vendin e tij të punës.

Që ta kuptoni, ky roman nuk është për të qeshur. Në çdo pjesë të tij do të gjeni Shekspirin, Kafkën, Bodlerin, Goldingun, Zhyl Vernin dhe Niçen, ç’ka e bën romanin gjithëpërfshirës. Edhe fjalia hapëse e librit “Në moshën pesëvjeçare, njeriu është më i pjekur, mandej nis bjerrja”, na bie mbi krye me tërë peshën e saj.

“Në moshën pesëvjeçare, njeriu është më i pjekur, mandej nis bjerrja.
Unë, Alper Kamy, para do muajsh, kapërceva në vitin tim të pestë. Teksa ditëlindja afrohej, kohën më të madhe e kaloja ndanë dritares, dukë parë njerëzit që jetonin, shkonin me nxitim e ngadalë, me turlifarë zërash apo duke hedhur sytë andej-këtej. Më sëmurte ideja se një ditë, edhe unë do të bëhesha si ata. Sa keq që nuk kishte shpëtim prej asaj gjëje! Koha ishte e pamëshirshme dhe unë po plakesha shpejt.
E vetmja gjë e mirë hëpërhë, ishte që të paktën nuk shkoja në kopsht. Në fakt, isha rrekur gjatë që t’u shpjegoja nënës e babait se kopshti nuk ishte vend për mua. Mundohesha t’i bindja me arsyetime, por fatkeqësisht në fillim, asgjë nuk ia vlejti. Për këtë, duhej të vija në zbatim mënyra të tjera, si: të zgjohesha nga gjumi i tëri në djersë ose të kaloja një krizë të vockël nervore kur minibusi të ndalonte para portës. Sa poshtëruese ishin! Ato e bënin njeriun t’i vinte turp edhe nga vetja”.

Por sado Niçe që të lexojë dhe Shostakoviç të dëgjojë, Alperi shëtit me pistoletë lodër, bëhet telef duke luajtur futboll me shokët, kur thotë “Zoti lart në qiell” i vjen ndërmend xha Hasani një kat më sipër, dhe si çdo fëmijë bëhet pajtues i nënës dhe babait kur zihen. Ndaj nuk bëjmë dot pa e dashur Alperin.

Kush do ta lexojë këtë libër nuk do të thotë assesi “e ç’ë”, por do të gjejë një vepër të përkorë që gërsheton me mjeshtëri të pashoqe letërsinë policeske, fantastike dhe atë humoristike dhe do të njohë një nga detektivët më të çuditshëm të historisë së letërsisë.

Se mos harroj; “të gjithë librat shkruhen për të mbushur faqet”. E mësova nga Alper Kamy. Ose ai nga mua. Në fund të fundit, të gjithë jemi pak Alper Kamy!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.