Gruaja e thyer është një vepër nga Simone de Beauvoir, e cila u publikua në vitin 1967. Një libër i cili përmban tre histori që na tërheqin në jetën e tri grave që janë në moshë të mesme, të cilat përballen me kriza të papritura. Libri është sjellë në shqip nga Botimet Pegi dhe bën pjesë në koleksionin Lotus.

Mosha e maturisë

“Jo, tashmë nuk më përkiste më, aspak. Edhe pamja e tij e jashtme kishte ndryshuar, tjetër model flokësh, rroba më moderne, sipas stilit të Lagjes së Gjashtëmbëdhjetë. Isha unë ajo që e ndërtova jetën e tij. Tashmë e vëzhgoj nga jashtë, si një dëshmitare e largët. Ky është fati i përbashkët i të gjitha nënave, por kush vallë është ngushëlluar duke thënë që fati i tyre është një fat i përbashkët?”. Mosha e maturisë, një tregim i cili na tregon pakënaqësitë e një nëne, për djalin e saj i cili sa vjen e tërhiqet më shumë pas gruas se tij. Një histori që në mos së jashtmi, së brendshmi i ndodh çdo gruaje, e çdo nëne. Ndoshta e gjitha kjo ka të bëjë me “të parit larg”. Ndonjëherë, nuk kuptohemi dhe nuk kuptojmë sepse gjithmonë shikojmë larg, duke harruar se duhet të mësojmë të jetojmë dita-ditës. Mosha s’ka rëndësi në këtë rregull sepse stadet e jetës janë ndryshe nga njëri-tjetri. Një tregim qe do t’ju tregoj më shumë se një “problem nëne apo gruaje”.

Monolog

“Ajo hakmerret falë monologut”, Flober. Një thënie që i vendoset para tregimit, si për të na lënë pezull që në gërmat e para. Monolog, është tregimi i dytë i veprës “Gruaja e thyer”. Këtu kemi të bëjmë me një grua të llastuar, që gjendet e vetme në natën e vitit të ri, dhe nëpërmjet një monologu vjell vrerin e zhgënjimeve të një jete. Beauvoir, në këtë tregim është munduar ta trajtoj femrën ndryshe, ta zhveshë dhe të flasë me zërin e saj të brendshëm, me një pjesë që aq sa “e shëmtuar” mund të duket së jashtmi aq dhe e bukur vjen njëkohësisht. Këto femra në këtë libër nuk kanë heronj, dhe sidomos në tregimin “Monolog”, por mbase heroin, ne mund ta imagjinojmë. Vetë monologu i saj është një shpëtim, si për ti thënë vetes që nuk është vetëm, dhe pse në të vërtet si lexuesi, dhe personazhi kryesor e di dhe e sheh qartë ngjarjen reale.

Gruaja e thyer

Ky është tregimi nga ku ky libër ka marrë dhe titullin. Një grua që zbulon se bashkëshorti i saj ka një lidhje jashtëmartesore, dhe bota e saj pikërisht në këtë moment fillon e shkërmoqet. E gjithë historia është shkruar në formën e një ditari. Mënyra e përshkrimit të situatave dhe e ndjenjës së brendshme të kësaj gruaje, na nxit për të ditur nëse ajo do e shpëtoj vetveten nga ky burg që i ka ngritur vetes, apo thjesht do ti lejojë gjërat ta vrasin. Duket se në të treja tregimet, Beauvoir na i ka sjellë të treja personazhet e saj në varësi nga meshkujt që kanë përkrahë. “Jam e frikësuar”, kështu mbyllet dhe tregimi i fundit, si për të na treguar, se shpëtimi jemi vetëm ne, dhe kur presim, duhet të dijmë mirë se çfarë presim, sepse ndoshta drita që ne kërkojmë nuk do të shfaqet kurrë. Ky është koleksioni i tre tregimeve të Simone de Beauvoir, në librin “Gruaja e thyer”, i cili përqendrohet tek disa gra që e kanë kaluar rininë e tyre, dhe po përjetojnë kriza të papritura. Ato mendojnë se jeta e tyre është shkërmoqur, dhe se gjithçka që ato mendonin se e njihnin papritmas bëhet e huaj. Të treja tregimet duket sikur janë shkruar nga autorë të ndryshëm, kjo për shak të stilit, që tre tregimet e kanë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ua sugjeroj për ta lexuar këtë libër sepse do ta shihni femrën të trajtuar ndryshe, i kapur nga një këndvështrim, i cili nga rutina apo dhe nga “rehatia” harrojmë ta shohim.

Xhoana Sulaj

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.