Shkruan: Begzad BALIU

(Tri ditë të Profesor Aleksandër Stipçeviqit në Kosovë)

Ilirologu i shquar dhe autor i historisë së ilirëve Alaksandër Stipçeviq nga data 28 deri më 31 maj 2000 qëndroi në Kosovë me ftesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe të Fondacionit Shkencor Dardania Sakra të Prishtinës. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ai vizitoi disa institucione shkencore, mbajti dy ligjërata në Universitetin e Prishtinës, ishte mysafir i Radio Kosovës, i dha një intervistë në gjuhën arbnishte Televizionit të Kosovës dhe duke mos mundur që t’u përgjigjej një numri të madh kërkesash të mjeteve të informimit për intervista, organizoi një konferencë shtypi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e cila u kthye në një tribunë shkencore ndërmjet punonjësve të shkencës dhe kulturës.

Profesor ALEKSANDËR ATIPÇEVIQ është njëri nga ata bij të arbëreshëve të rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulen në rrethin e Zarës. Lindi në Arbnesh të Zarës më 1930. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb. Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe për historinë e librit: «Historia e ilirëve», «Arti i ilirëve», «Simbolet e kultit te Ilirët», «Bibliografia ilire», «Historia e librit», «Censura në biblioteka», «Interpretime albanologjike» etj. Më shumë se 40 vjet me radhë emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Unë ende jam gjallë!
“Pak para se të nisesha në Kosovë, isha në Itali, – tha Profesor A. Stipçeviq. Kur iu thash miqve të mi se unë do të shkoj në Prishtinë, ata më tërhoqën vërejtjen se atje është ende gjendje e rendë dhe shtihet në të gjitha anët.
Përkundrazi, me të arritur në Prishtinë unë i bëra një vizitë rrugës kryesore të qytetit dhe fillimisht shprehi kënaqësinë që Prishtina nuk është rrënuar ashtu sikur janë rrënuar shumë qytete të Kroacisë dhe njerëzit janë shumë aktiv e jetojnë të lumtur. Njëkohësisht më vjen keq që nga Prishtina nuk kam mundur t’ua nis miqve të mi nga një kartolinë, me të cilën do t’i njoftoja se unë ende jam gjallë, tha Stipçeviq, duke shprehur habinë që Kosova rreth një vit mbas mbarimit të luftës ende nuk kishte komunikim postar me botën.
Njëri prej bashkautorëve të «Historisë së popullit shqiptar» dhe «Fjalorit enciklopedik»
Në pyetjen tonë se a ishte njoftuar me dy projekte: “Historinë e popullit shqiptar” dhe “Fjalorin enciklopedik” të dy akademive (Tiranës dhe Prishtinës), A. Stipçeviq tha: Ditën e dytë të programit tim unë i bëra vizitë Akademisë së Shkencave dha Arteve të Kosovës (në të cilën ai është zgjedhur vite më parë anëtar me korrespodencë, vër. e autorit). Jam njoftuar me këto dy projekte dhe kam pranuar që të angazhohem në to. Sikur e dimë më parë është shkruar “Historia e Shqipërisë” e jo “Historia e popullit shqiptar”. Ne e dimë se kur u krijua shteti shqiptar askush nuk i pyeti shqiptarët se cilat janë trojet tuaja etnike, por morën lapsin dhe thane: ja ky qytet i takon Shqipërisë, ky tjetri Maqedonisë, ky në vazhdim Serbisë e kështu me radhë. Kështu që, një pjesë e mirë e trojeve etnike shqiptare dhe e kulturës së tij u zhvillua jashtë territorit shtetëror, prandaj gjatë përgatitjes së «Historisë së re» jam angazhuar që ajo të jetë Histori e hapësirës etnike shqiptare.

Një metodë e re për studimet ilire
Ditën e dytë dhe të tretë Profesor A. StipÇeviq mbajti dy ligjërata: “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji –aspekti historik” dhe “Rezultatet më të reja shkencore në ilirologji –aspekti gjuhësor”.
Mbi dyqind vjet studime ilire janë kohë e gjatë dhe gjatë kësaj kohe janë arritur rezultate dhe sinteza të shumta, por kanë mbetur edhe shumë probleme pa u zbardhur. Metodat klasike të studimit në shumë anë janë zbehur dhe nuk i përmbushin kërkesat shumë të komplikuara dhe të errëta të studimeve ilire.
Për këtë problem del në ndihmë një metodë shumë e përparuar dhe shumë e saktë e shkencave natyrore, e ashtuquajtura AND, e cila përmes studimit të përcjelljes së molekulave AND nga një organizëm në tjetrin, pa ndërprerje dhe pa rrezik që gjatë përcjelljes të ndërrohen nga trupi në trup, arrin që me një përqindje të lartë të vërtetojë vazhdimësinë e një populli të ri nga një popull i vjetër. “Nëse deri më tash kjo vazhdimësi vërtetohej përmes hipotezave dhe trashëgimisë etnokulturore, historike e gjeografike nga ilirët te shqiptarët, tani kjo mund të bëhet përmes kësaj metode me një saktësi shumë të lartë. Me këtë metodë tani po punohet në disa shtete evropiane, prandaj i ftoj studiuesit shqiptarë që të angazhohen në zotërimin e kësaj metode për hulumtimet e tyre, tha Profesor Stipçeviq.
Pavarësisht prej pretendimeve të metodave të reja të studimit, Profesor Stipçeviq në ligjëratën e tij solli një pasqyrë të të arriturave të deritanishme në këtë fushë:
Ilirët kurrë nuk pranuan që gjuhën e tyre ta shkruajnë me gjuhën e pushtuesit…
Ajo që është me rëndësi të thuhet që në fillim, tha Profesor Stipçeviq, është se ilirët asnjëherë nuk mësuan të shkruajnë dhe të lexojnë shkrimin. Por, edhe kurë nuk e pranuan shkrimin grek, që ta shkruajnë gjuhën ilire. Kështu ndodhi edhe kur u ndeshën me romakët.
Janë disa shenja nga shekulli IV-V, por janë aq të parëndësishme sa që ato për ilirishten nuk thonë asgjë.
Sigurisht që për këtë ka edhe së paku një shpjegim: Ilirët kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj invadimit grek, prandaj grekët deri në shekullin e IV nuk arritën të futen thellë brenda territoreve shqiptare.
Kështu ndodhi edhe me romakët. Edhe kur u pushtuan nga romakët, ilirët shënuan gjuhën latine por vetëm me shkronjat latine.
Edhe sot ka shpesh shumë sensacione nëpër gazeta për shkrimin ilirik, por sensacionet janë sensacione, ndërsa shkrim ilirik nuk ka.
Është e vërtetë se ka emra ilirësh në gjuhën dhe në shkrimin grek e latin, por jo edhe tekste.
Profesor Stipçeviq në këtë rast përmendi kontributin e Antun Majerit, i cili me fjalorin e tij për antroponimet ilire dha një ndihmesë të mirë për të bërë sinteza dhe rezultate të reja edhe për gjuhën e ilirëve.
Prej rezultateve të tij është përfunduar se ilirët nuk e kanë njohur vetëm një gjuhë, por brenda Ilirisë kanë ekzistuar zona të caktuara dialektore e nëndialektore.
Interesimit të Profesor Shefki Sejdiut për një krahasim të caktuar me gjuhët tjera, sikur janë ato gjermanike, Profesor Stipçeviq iu përgjigj se gjuha ilire pavarësisht nga gjuhët fqinje ka pasur karakteristikat e saja, problemi për ne është të dimë ç’është gjuhë (dialekt) dhe ç’është kategori gjuhësore (politike). Pra, ç’është kufiri gjuhësor-dialektor dhe ç’është kufiri gjuhësor politik.
Ne habitemi kur dëgjojmë se si disa gjuhëtarë të mëdhenj kanë sjellë teori të shumta në bazë të një materiali kaq të pakët. Nuk mund të flitet për ilirët unik.
Mungesat janë aq të theksuara sa edhe vet emri ilir, mendoj se është një totem. Te hetitët, është një emër për gjarprin që quhet ilirianka, e hetitët sikur dihet janë popull indoevropian. Në këtë rrjedhë, besoj se nuk është e rastit që në njërën prej trevave më konservatore të trojeve etnike shqiptare, në kryqe varri janë gjetur simbole të kultit për gjarprin.
Një problem i rëndësishëm, por me shumë interes është mbetja ilire. Ne e dimë se sllavët kur erdhën në Ballkan nuk e okupuan krejt Ballkanin, por pjesë të tij. Përveç Shqipërisë, sllavët e sllavizuan gjithë Ballkanin, mirëpo sa i përket mesjetës, ne kemi të dhëna për mungesën e sllavëve në Mal të Zi, Zagorie dhe Dalmaci.
Tash ky problem duhet të zgjidhet nga shqiptarët. Studiuesit që në shekullin e kaluar kanë bërë përpjekje për të dhënë përgjigje në këtë problem, por ata nuk e njohën gjuhën shqipe dhe tërë prodhimtarinë leksikore të trashëgimisë së tyre. Shqiptarët kanë sot fjalorin e tyre në dy vëllime dhe kur një ditë të mbledhin krejt pasurinë gjuhësore nga Shqipëria e deri në Dalmaci, atëherë do ta kenë fjalorin prej 20 vëllimesh dhe me këtë pasuri leksikore do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve në fushë të ilirishtes. Këtë ndihmë do ta japë edhe leksiku arkaik i arbneshëve. Se në ç‘nivel është ky leksik, tregon shembulli i një fjale në Dalmaci, Vesel, për të cilën mendohej se është sllave dhe vetëm kur u zbulua se ajo ishte e kohës romake, e në atë kohë nuk kishte sllav në këto anë, atëherë u kuptua se fjala është për një fjalë arkaike shqiptare. Edhe unë vet e kam ditur fjalën -me gjallue- por ne vetëm para pak kohësh e kemi dëgjuar një fjalë që ishte ruajtur si relikt tek një grua: me jetue.
Duke komentuar rezultatet gjuhësore që falsin për një trashëgimi iliro-shqiptare, Stipçeviqi, dalloi një punë të mire që ka bërë studiuesi i Institutit Albanologjik të Prishtinës dr. Rexhep Doçi në veprën Antroponimia e Llapushës (Prekorupës). Prania e emrave ilirë në mesjetë në këtë vend dëshmon kontinuitetin e shqiptarëve këtu.
Lidhur me interesimin e Profesor Ruzhdi Ushakut, për disa intenca që të na lidhin me gjuhë dhe popuj, të cilët nuk i qëndrojnë metodës së studimit në rrethana të reja multidisiplinare, profesor Aleksandër Stipçeviq tërhoqi vërejtjen se nuk e përjashtonte mundësinë që edhe më tutje linguistët të sjellin rezultate të reja gjatë studimit të relikteve gjuhësore me të cilat merren, sidomos në ilirishte, por kujtoi se rezultatet e reja kërkojnë metoda të reja studimi, e kjo është metoda interdisiplinare e studimit: arkeologji, antropologji, etnografi, toponimi etj.
Ka shumë politizime rreth kontinuitetit iliro-shqiptar dhe gjuhëtarët mund ta zgjidhin këtë problem. Ka teprime edhe në mesin e shqiptarëve. Mua shpesh më ka rënë të dëgjoj shqiptarët duke thënë: Teuta ishte mbretëreshë shqiptare apo jo?
Jo, u them, ishte mbretëreshë ilire!
Shqiptarët kanë shumë miq në Kroaci
Sikur dihet tash e tre shekuj arbëreshët jetojnë në Kroaci, tha Profesor Stipçeviq. Në Dalamci dhe përgjithësisht rreth detit arkivat janë të mbushura me plot dokumente për shqiptarët dhe shumë nga ato janë zbuluar e publikuar për periudhën që përfshihet së paku që nga mesjeta e këndej. Ne e dimë tash se sa ka dhënë njerëz të mëdhenj kjo kohë: Gjin Gazulli, Andreja Aleksi, etj., prandaj nuk është rastësi edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Malësia e Mbishkodres në këtë vend. Sot këtu jetojnë arbëreshët dhe mbi 100 mijë shqiptarë për të cilët në kushtetutën e ardhshme kroate do të rezervohet vendi i pakicës dhe me këtë ata do të sigurojnë shumë të drejta. Sa u përket arbëreshëve, ata janë një oazë që po shuhet ngadalë. Po ndodhë ajo që po ndodhë me pakicat në gjithë Evropën. Askush nuk i nget që të harrojnë gjuhën, por sot vetëm brezi i moçëm e njeh arbërishten. Edhe në shtëpinë time flitet arbërishtja, por mjafton një kroat të jetë në mesin e tyre dhe të gjithë e flasin kroatishten.
Studimet në fushë të albanologjisë nuk janë rastësi sot. Ato janë studiuar 200 vjet më parë, për ta dini se pas vitit 1918 dhe vetëm para tri vjetëve është hapur katedra e albanologjisë. Në Kroaci shqiptarët gjithmonë kanë pasur shumë miq. Nuk është fjala vetëm për Milan Shuflain, Çiro Truhelken e ndonjë tjetër. Fjala është për një numër të madh punonjësish të shkencës, të kulturës e të politikës. Në mesin e tyre është edhe Stipe Mesiç i cili në tubimet tona për Kosovën ka ardhur edhe atëherë kur nuk e ka obliguar aktiviteti politik apo shtetëror.
Po ju përkujtoj se në prag të luftës serbo-kroate unë bashkë me Branko Horvatin dhe gjuhëtarin e shquar Radosllav Katiçiq patëm inicuar formimin e Institutit Albanologjik, i cili do të quhej me emrin e Milan Shuflait. Atëherë nuk u realizua kjo ide, sepse filloi lufta ndërsa tani presim vetëm momentin. Kemi gjetur edhe mbulesën institucionale – Fakultetin Filozofik. Janë përgatitur dy vepra të Milan Shuflait dhe është gati i treti.

Botuar për herë të parë në të përjavshmen “Pasqyra”, Prishtinë, maj 2000./fb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.