Kryengritja e Malësisë së Madhe (1911) – nga Zef Ujkaj

0
503

Si sot, 107 vite më parë, në Bratilë do të ngrihej flamuri kombëtar shqiptar

Në fillimet e dekadës së dytë të shek. XX, Shqipëria thyen përfundimisht varësinë politike nga pushtuesi osman duke shënuar momente vendimtare në aspektin kombëtar, politik e kulturor. Marrëdhëniet shqiptare me xhonturqit ishin tensionuar së tepërmi. Mbledhja e taksave të prapambetura, çarmatosja e popullsisë, rekrutimi i shqiptarëve në ushtrinë turke, presioni që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja arabe dhe centralizimi radikal i pushtetit do të çonin në luftë të armatosur kundër xhonturqve. Kudo në vilajetin e Kosovës u organizuan kuvende shqiptare, ku do të diskutohej rreth organizimit të kryengritjeve antiosmane. Nga ana tjetër qeveria osmane do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme duke marrë masa të menjëhershme për shtypjen e kryengritjes, arrestimin e kryengritësve, regjistrimin e popullsisë dhe pasurisë së patundshme, rekrutimin e ushtarëve, mbledhjen e taksave, mbylljen e klubeve e gazetave etj. Në muajin prill 1910, Shefqet Turgut pasha në krye të 40 mijë ushtarëve iu drejtua vilajetit të Kosovës për të vendosur rregull dhe qetësi. Kryengritja e Kosovës pati jehonë të madhe, sidomos në Malësinë e Madhe, prandaj turqit përdorën të gjitha mjetet për të penguar ndikimin e saj në viset e tjera shqiptare. Duke dashur t’u shpëtonin përndjekjeve nga osmanët, shumë familje shqiptare nga Kosova dhe Malësia e Madhe u strehuan në Mal të Zi, mes tyre dhe shumë patriotë shqiptarë. Populli malazez dhe ai shqiptar i Malit të Zi pritën miqësisht refugjatët shqiptarë, ndërsa krajl Nikolla mendonte t’i shfrytëzonte ata për qëllimet e tij aneksioniste drejt Shqipërisë së Veriut.
Ndërkohë që operacione luftarake vazhduan në muajt qershor-korrik në mjaft zona të Kosovës, turqit po përgatiteshin për të sulmuar në drejtim të Shkodrës, Dibrës, Lumës, Rugovës e Plavës. Kështu Shefqet Turgut pasha u nis në drejtim të Shkodrës për të nënshtruar Malësinë e Madhe që ishte çuar në kryengritje. Malësorët e Gashit, Krasniqes e Bytyqit u zunë pritë turqve në Qafë-Morinë, ndërsa dukagjinasit në Qafë të Kolçit, prandaj Shefqet Turgut pasha u detyrua të hynte në Shkodër përmes Pukës, në korrik 1910. Kudo u shkatërruan fshatra, u terrorizuan banorët, u çarmatosën malësorët, u zbatua rrahja publike, burgosja pa gjyq, dënimi me vdekje, u ngritën gjyqe ushtarake, u grabit pasuria, u mblodhën taksa, u rekrutuan ushtarë, u ngritën shkolla turke, u vendos gjuha turke në administratë, shkrimi i gjuhës shqipe me alfabet arab, u mbyll Normalja e Elbasanit, u ndalua botimi i gazetave, dhe u bë regjistrimi i popullsisë, pasurisë, tokave, bagëtive etj., për efekt taksash. Gjatë pranverës 1910 malësorët me në krye Dedë Gjo Lulin do të kërkonin nga valiu i Shkodrës, Bedri Pasha kthimin e armëve, heqjen e taksave te reja, emërimin e një kajmekani të krishterë, hapjen e shkollave kombëtare dhe hapjen e rrugëve, në të kundërt nuk pranonin kthim në atdhe. Meqë Bedri Pasha i hodhi poshtë kërkesat e tyre, kryengritja filloi nga mesi i vitit 1910.
Rusia i trembej shpërthimit të luftës mes Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane, kështu që kërkoi nga Mali i Zi që emigrantët shqiptarë të ktheheshin sa më parë në shtëpitë e tyre, pasi në të kundërt do të hiqte subvencionet. Qëndrim të njëjtë mbajtën edhe fuqitë europiane, sepse nuk iu interesonte një ndërlikim i ri në Ballkan. Vjena kërkonte nga malësorët që të mos hidheshin në kryengritje, ndërsa nga Porta kërkonte që shqiptarëve t’iu jepeshin liritë e kërkuara. Krajl Nikolla u shpreh i gatshëm për kthimin e emigrantëve, por këmbënguli për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes qeverisë malazeze dhe Portës së Lartë duke dashur të nxirrte përfitime në kurriz të shqiptarëve.

Shpërthimi i Kryengritjes

Në muajin shkurt të vitit 1911, u themelua Komiteti i kryengritësve në Podgoricë që do të kishte për qëllim organizimin e kryengritjes, mbledhjen e ndihmave, strehimin e emigrantëve dhe shpërndarjen e ushqimit tek të gjithë të strehuarit në Mal të Zi. Komiteti i Podgoricës me në krye Sokol Bacin e Grudës do të bënte përpjekje të vazhdueshme tek Mbret Nikolla për të siguruar ndihma ushtarake, ndërsa Dedë Gjo Luli dhe Isa Boletini ishin kundër ndihmës nga trupat malazeze. Marrëdhëniet mes malësorëve dhe mbret Nikollës do të përkeqësoheshin, pasi kryengritësit nuk pranuan të vinin lëvizjen e tyre nën urdhërat e qeverisë malazeze dhe flamurit malazez. Për këtë arsye mbreti malazez jo vetëm që u ndërpreu ndihmat ushqimore, por edhe i detyroi të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kryengritësit nuk pranuan që të dorëzoheshin në dorë të xhonturqve, por shpërthyen në kryengritje të armatosur për të fituar lirinë e shumëkërkuar. Kështu më 24 mars 1911, në Rapshë të Hotit filloi Kryengritja e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pëllumbi, dhe brenda 3 ditëve ranë në duart e kryengritësve të gjitha fortifikatat kufitare përgjatë kufirit turko-malazez nga liqeni i Shkodrës deri në Gusi. Kalaja e Shipshanikut u rrethua, ndërsa Malësia u çlirua deri në Koplik. Gjatë gjithë Kryengritjes, malësorët llogarisnin rreth 3 mijë luftëtarë, ndërsa forcat turke ishin të shumta në numër dhe të organizuara mirë. Rezistenca e malësorëve për 6 muaj shpjegohet si rezultat i njohjes së mirë të terrenit dhe këmbënguljes për të fituar liri të plotë. Osmanët përmes valiut të Shkodrës Bedri Pasha u munduan të shkaktonin përçarje mes kryengritësve duke e quajtur Kryengritje të të krishterëve. Kjo taktikë e xhonturqve parashihte përçarjen e shqiptarëve duke dashur t’i tregonte botës se shqiptarët janë ngritur për çështje fetare dhe jo kombëtare. Megjithatë shumë patriotë shkodranë iu bashkuan kryengritësve malësorë. Kryengritja u mbështet edhe nga malësorët e rënë nën Mal të Zi që nga Kriza Lindore 1875-1881, të ardhur nga Triepshi, Koja, Fundënat etj. Gjithashtu gjithë Dukagjini dhe sidomos të rinjtë e Shalës nën udhëheqjen e Mehmet Shpendit, morën pjesë në Kryengritjen e Malësisë që nga fillimi e deri në mbarim. Por krahas burrave malësorë luftuan dhe gratë heroina si Tringë Smajlja, Nore Kolja etj. Më 28 mars kryengritësit morën qytezën e Tuzit, dogjën kazermën dhe shtinë në dorë depot e armëve, duke detyruar ushtrinë osmane të mbyllej në kalanë e Shipshanikut. Disfata e osmanëve do të bënte që në drejtim të vilajetit të Shkodrës të niseshin batalione të reja me pajisje luftarake të rënda, që situata të mbahej nën kontroll. Kështu osmanët, të nisur nga Shkodra nën komandën e major Emin Beut, dogjën e shkatërruan çfarë gjetën para, duke mos kursyer as kishat dhe qelat e besimtarëve dhe famullitarëve të Malësisë.
Në mbledhjen e kryengritësve shqiptarë më 30 mars në Cetinë u miratua një memorandum prej 5 pikash, i nënshkruar nga Dedë Gjo Luli, Sokol Baci, Isa Boletini, Muharrem Bushati, Abdulla Aga, Mehmet Shpendi dhe Preng Mark Kola, që përmbante disa kërkesa të rëndësishme me karakter autonomist kombëtar dhe u drejtohej Fuqive të Mëdha dhe mbretit malazez. Duke qenë se Porta po përgatitej për luftë kundër Italisë për çështjen e Tripolit, u bëri shqiptarëve disa lëshime, për të shuajtur konfliktin me malësorët. Megjithatë Kryengritja nuk do të ndalej, pasi malësorët kërkonin autonomi të plotë të Shqipërisë. Luftime të ashpra u zhvilluan më 6 prill në Tuz, Kastrat, Helm, Vranë, Dinoshë dhe sidomos në Deçiq, që ishte epiqendra e ushtarëve turq nga ku kontrollonin Malësinë. Malësorët morën Deçiqin dhe po atë ditë në majën e Bratilës, Nikë Gjelosh Luli do të ngrinte për herë të parë, pas kaq shekujsh robërie flamurin shqiptar në emër të të gjithë shqiptarëve. Kjo ditë mori emrin “Dita e Shqipnisë”. Ngritja e flamurit kishte rëndësi të madhe pasi mbahej lart morali i kryengritësve dhe tregohej qartë karakteri i saj kombëtar, duke hedhur poshtë propagandën osmane që tentonte ta paraqiste Kryengritjen si vegël të mbret Nikollës apo lëvizje fetare. Osmanët do të mësyjnë Malësinë edhe nga ana veriore duke dërguar nga Gjakova ushtri nën komandën e Et’hem Pashës, mirëpo do të thyhen keqas tek Hani i Gropës së Zezë nga banorët e Kelmendit pa arritur të shkojnë drejt Tuzit.
Pasi valiu i Shkodrës Bedri Pasha nuk po shënonte ndonjë rezultat për shtypjen e Kryengritjes së malësorëve, në vend të tij u emërua Shefqet Turgut pasha, i cili më 18 prill zbarkoi në Shëngjin. Shefqet Turgut pasha u bëri thirrje malësorëve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të hiqnin dorë nga Kryengritja, përndryshe nuk do të trajtoheshin më si nënshtetas të Perandorisë Osmane. Malësorët e hodhën poshtë këtë kërkesë, prandaj osmanët sulmuan. Më 18 prill në rrjedhën e poshtme të Përroit të Thatë, kryengritësit i bënë ushtrisë turke qëndresë të fuqishme dhe po këtë ditë ata do të korrnin fitore në Selcë. Ndërkohë më 27 prill 1911, arbëreshi Terenc Toçi mblodhi një Kuvend në Mirditë me pjesëmarrës nga Mirdita, Puka, Dukagjini, Lura, Dibra, Zadrima e Gjakova që shpallën pavarësinë e Shqipërisë me kryetar Terenc Toçin. Kjo lëvizje kishte për qëllim nxitjen e këtyre krahinave në kryengritje, në mbështetje të Malësisë, mirëpo ky aksion nuk do kishte ndonjë sukses për Kryengritjen dhe jetëgjatësia e kësaj qeverie do të ishte e shkurtër.
Më 1 maj 1911, kryengritësit dolën me një proklamatë me anë të së cilës deklaronin se nuk do t’i lëshonin armët nëse nuk do të realizohej krijimi i një vilajeti të vetëm shqiptar, ruajtja e tërësisë territoriale, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat, kishat dhe zyrat e Shqipërisë, mbajtja e shkollave shqiptare nga shteti etj. Këto kërkesa nuk u pranuan nga Porta e Lartë, pasi në thelb synohej autonomia e Shqipërisë. Malësorët thyen qëndresën osmane në rrugën drejt Shkodrën më 3 maj, dhe Luigj Gurakuqi do të shprehej se “do të kishim marrë edhe Shkodrën, po të kishim pasë armë “. Më 10-11 maj Shefqet Turgut pasha nxori në Shkodër një proklamatë prej 12 nenesh, ku u premtonte kryengritësve shqiptarë falje nëse ata dorëzoheshin brenda 5 ditëve, duke përjashtuar nga falja 8 krerë malësorë, që do të nxirreshin para gjyqit ushtarak. Kryengritësit u përgjigjën përmes një deklarate të nënshkruar nga 60 udhëheqës malësorë në mbledhjen e Pikalës, e cila iu paraqit edhe konsujve të huaj në Cetinë më 12 maj. Dokumenti shprehej kundër djegies dhe rrënimit të shtëpive të kryengritësve nga ushtritë osmane, kundër dhunës mbi nderin e malësorëve, kundër mbylljes së shkollave etj. Sipas tyre kthimi në atdhe do të realizohej kur Stambolli të siguronte drejtësi dhe barazi mes shqiptarëve, kur të respektonte zakonet dhe traditat e tyre, kur populli shqiptar të pranohej si komb, të jetonte i lirë si çdo popull tjetër etj., në të kundërt do të luftonin deri në fund për çlirimin e atdheut. Më 14 maj Shefqet Turgut pasha goditi befasisht malësorët në Deçiq dhe shkatërroi me artileri gjithë fshatrat që bënë qëndresë, por edhe kishat katolike shqiptare. Kjo i revoltoi malësorët, pasi ata nuk kishin prekuar asnjë xhami gjatë kryengritjes. Në qershor 1911 do të shpërthejë kryengritja antiosmane në Lezhë dhe Mirditë, e cila do të japë sinjalin e shtrirjes së kryengritjes edhe në treva të tjera shqiptare. Ajo do të shtrihej edhe në jug të Shqipërisë.
Mali i Zi më 22 maj u deklaroi Fuqive të Mëdha, se ishte i përgatitur për luftë kundër Turqisë, por nuk u përkrah nga asnjëra prej tyre. Austro-Hungaria dhe Rusia i kërkuan Portës që shqiptarëve t’u bëheshin disa lëshime në mënyrë që krizës t’i jepej fund. Kjo ndërhyrje rezultoi e suksesshme, pasi Shefqet Turgut pasha më 17 qershor shpalli amnisti të përgjithshme për kryengritësit shqiptarë nëse dorëzonin armët brenda një afati 10-ditor. Malësorët nuk u tunduan pasi nuk kishin garanci për zbatimin e këtyre lëshimeve dhe luftuan deri në fund për të drejtat e tyre. Porta kërkoi nga Austro-Hungaria të ndërhynte në Vatikan dhe përmes tij tek kleri katolik shqiptar për t’i bindur malësorët të dorëzonin armët. Austria e priti mirë këtë propozim, pasi mundësohej kufizimi i kryengritjes, mbajtja nën kontroll e situatës dhe ruajtja e ndikimit tradicional mbi klerin dhe popullsinë katolike. Porta e Lartë përmes angazhimit të arqipeshkvit të Shkodrës synonte të nxirrte jashtë loje mbretin malazez. Arqipeshkvi i Shkodrës mori përsipër këtë detyrë të vështirë ndërmjetësimi për t’iu paraqitur malësorëve kushtet e ofruara prej osmanëve. Së bashku me arqipeshkvin, udhëtuan edhe at Gjergj Fishta dhe dom Luigj Bumçi. Por imzot Serreqi në takimin e Podgoricës, nuk iu përmbajt propozimit austriak dhe i njoftoi kryengritësit se ata nuk duhej të ndikoheshin prej misionit të tij, mision i cili do të dështonte. Për pasojë, mbret Nikolla do të mbetej figurë qendrore e negociatave mes Portës dhe malësorëve.

Memorandumi i Greçës dhe Marrëveshja e Podgoricës

Kryengritësit malësorë, të cilët nuk hoqën dorë nga kërkesat autonomiste dhe kundërshtuan nënshtrimin ndaj xhonturqve, me nismën e Komitetit të Podgoricës thirrën Kuvendin e Përgjithshëm të krerëve shqiptarë në pllajën e Greçës së Triepshit nga 10-23 qershor 1911. Kuvendi i përbërë nga paria e Malësisë, famullitarë të saj dhe patriotë të tjerë shqiptarë, miratoi dokumentin e quajtur “Memorandumi i Greçës”. Ky Memorandum, i quajtur ndryshe “Libri i Kuq”, kishte karakter kombëtar mbarëshqiptar dhe pajisi kryengritjen me një program politik që do të bëhej edhe programi i gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Memorandumi përbëhej nga 12 pika dhe kërkonte autonominë e Shqipërisë në kuadër të 4 vilajeteve. Më 26 qershor, “Libri i Kuq” iu paraqit ambasadorit turk në Mal të Zi, mbretit malazez dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituara në Cetinë. Një memorandum i veçantë do t’i dërgohej edhe qeverisë angleze si propaganduese e lirisë së kombeve të shtypura. Ministri i Jashtëm anglez, Grey, pasi shqyrtoi kërkesat e shqiptarëve, kërkoi nga Fuqitë e Mëdha që të ndërhynin pranë Stambollit, por nuk gjeti asnjë mbështetje. Qeveria osmane i quajti të papranueshme kërkesat e malësorëve pasi sillnin shkatërrimin e Perandorisë. Edhe shqiptarët e jugut më 21 korrik 1911 mbajtën një Kuvend në Manastirin e Cepos (Gjirokastër), ku miratuan një memorandum drejtuar qeverisë xhonturke, i cili përkrahte Kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe programin e saj politik për autonomi të Shqipërisë si dhe kërkesën përshtrirjen e reformave në të gjitha vilajetet shqiptare. Më 18 gusht 1911 në Tepelenë, turqit njohën disa koncensione edhe për Shqipërinë e Jugut, por që qëndronin shumë larg programit të Greçës.
Duke qenë se Rusia nuk pranonte që Mali i Zi të hynte në luftë kundër Perandorisë Osmane nëpërmjet kryengritësve, ajo bënte presion që të ndërpriteshin ndihmat ndaj malësorëve dhe të shtyheshin drejt armëpushimit. Me ndërhyrjen e Rusisë dhe Austro-Hungarisë, më 28 korrik, u arrit marrëveshja mes osmanëve dhe malazezëve për rregullimin e çështjes së kufirit dhe kthimit të kryengritësve në atdhe. Mbreti Nikolla duke dashur të përfitonte nga roli i ndërmjetësit, mblodhi përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Cetinë duke u shprehur se koncensionet turke duhej të riformuloheshin dhe të sigurohej një garanci evropiane për zbatimin e tyre, në të kundërt edhe kjo përpjekje do të dështonte, pasi malësorët nuk hiqnin dorë nga 12 kërkesat e tyre. Kështu mbreti Nikollë mori miratimin e riformulimit të kërkesave. Mali i Zi, pasi siguroi kompensimet materiale për mbajtjen e emigrantëve shqiptarë, bëri të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e paqes mes malësorëve dhe osmanëve. Më 31 korrik në Podgoricë, ambasadori turk Sadredin beu i shoqëruar nga emisarë malazezë u ulën për bisedime me malësorët, por duke qënë se malësorët nuk lëviznin nga kërkesat e Greçës, Porta kërcënoi që afati i fundit i dorëzimit ishte 3 gushti, dhe po ashtu njoftoi qeverinë malazeze, se në qoftë se vazhdonte t’i nxiste malësorët më tej, trupat osmane do t’i dëbonin malësorët përtej kufirit. Qeveria ruse reagoi pranë oborrit malazez dhe këta të fundit bënë presion mbi malësorët që të pranonin kërkesat turke duke i kërcënuar me zi të bukës. Kështu malësorëve nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç se të dorëzoheshin. Malësorët kërkuan që së paku ato të drejta që do t’iu njiheshin atyre t’iu njiheshin gjithë shqiptarëve, mirëpo xhonturqit nuk pranuan. Të gjendur në një situatë mjaft të vështirë dhe pa asnjë mbështetje, më 2 gusht 1911 malësorët nënshkruan në Podgoricë marrëveshjen e paqes me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke. Sokol Baci kërkoi nga ministri turk që kushtet të shkruheshin në letër dhe të nënshkruheshin nga vetë ai, pasi nuk kishin besim në premtimet turke, por propozimi nuk u pranua. Duke mos pasur rrugë tjetër, pjesa më e madhe e kryengritësve u strehuan në shtëpitë e tyre brenda Perandorisë Osmane gjatë 5, 6 dhe 7 gushtit. Veprimet për riatdhesimin e tyre u ndoqën nga afër prej Edith Durhamit, e cila vëzhgoi zbatimin e marrëveshjes nga ana e turqve. Dedë Gjo Luli me gjithë shpërblimet, postet dhe pensionet e ofruara nga xhonturqit nuk pranoi të bindej për t’u kthyer në atdhe derisa nuk njihej autonomia e Shqipërisë. Më 21 korrik 1911 “The Times” e Londrës, shkruan: “Ishte kjo një mbrojtje e lavdishme e cila, kur të shkruhet historia e asaj kohe, do të hyjë në radhën e episodeve më të shkëlqyera të luftimit modern”. Duke qenë se ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë garanci për lëshimet e bëra, Porta nuk do të zbatonte pothuajse asnjë pikë të koncensioneve të bëra. Të ndodhur në këtë situatë tejet të vështirë për mbijetesë, malësorët do të bëjnë gjithçka që të sigurojnë armë dhe të fillojnë kryengritjen e radhës për çlirim të plotë nga pushtimi shekullor turk.
Për sa i përket qëndrimit të Fuqive të Mëdha ndaj kryengritjes së Malësisë, mund të themi se ai ishte mospërfillës, injorues dhe po ashtu kundërshtues i kërkesave të shqiptarëve për liri dhe autonomi të Shqipërisë. Duke qenë se Gjermania, Franca dhe Anglia nuk ishin interesa të drejtpërdrejta në Ballkan, politika e tyre ishte pasive. Anglia do të interesohej për fatin e kryengritjes, vetëm atëherë kur malësorët do t’i dërgonin një peticion më 23 qershor që ajo të ndërhynte tek Fuqitë e tjera për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ajo pranoi të ndërhynte, pavarësisht se nuk gjeti mbështetje. Pothuajse të njëjtin qëndrim do të mbanin edhe Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia, por në ndryshim nga Fuqitë e sipërpërmendura ato u munduan të përfitonin nga kjo kryengritje. Austro-Hungaria,mbrojtjen e interesave të saj në Ballkan dhe shtrirjen drejt Adriatikut, mund t’i realizonte vetëm përmes ekzistencës së Perandorisë Osmane, për këtë arsye qëndrimi i mbajtur ndaj shqiptarëve u bazua në ruajtjen e pozitave të status quo-së. Vetëm gjatë muajit qershor të vitit 1911, Vjena u interesua për çështjen shqiptare, duke i kërkuar Stambollit disa lëshime kulturore në favor të shqiptarëve, pasi çështja e Kryengritjes së Malësisë kishte filluar të ndërkombëtarizohej. Por Austro-Hungaria, e indinjuar që malësorët nuk ia kishin drejtuar asaj memorandumin me kërkesat e tyre, por diplomacisë angleze, nuk do ta pranonte propozimin anglez për një ndërhyrje të Fuqive pranë Portës për njohjen e të drejtave për shqiptarët, dhe as propozimin ruso-malazez që shqiptarëve t’u garantoheshin premtimet turke. Në Itali, kryengritja e Malësisë u pa me simpati nga opinioni publik, dhe pritej mobilizimi i vullnetarëve nën komandën e Ricciotti Garibald-it dhe dërgimi i tyre në Shqipërinë e Veriut, mirëpo kryeministri Giolitti do të ndalonte me çdo mjet vajtjen e tyre. Italia dëshironte të shmangte nga Ballkani, shqetësime që mund të ktheheshin në avantazh të Rusisë dhe Austro-Hungarisë, prandaj nuk mbështeti as agresionin e mundshëm malazez dhe as kryengritjen shqiptare. Megjithatë duke parë neglizhencën e Austrisë ndaj Kryengritjes, ajo u mundua ta shfrytëzonte këtë avantazh për të fituar simpatinë e shqiptarëve, duke këshilluar Stambollin që të mbante një qëndrim më të përmbajtur dhe më të moderuar ndaj shqiptarëve. Rusia kërkonte të mbetej faktor i dorës së parë në Ballkan, duke kërkuar nga Porta që të ishte e vëmendshme në veprimet e saj kundrejt Malit të Zi dhe t’i jepte zgjidhje sa më të shpejtë problemit me malësorët. Shteti rus e shfrytëzoi krizën e Malësisë për të fituar simpatinë e shteteve sllave duke mbrojtur Malin e Zi dhe poashtu për të fituar simpatinë e Evropës dhe Turqisë, si ruajtëse e balancës gjeopolitike në Ballkan.
Për sa i përket shteteve ballkanike, ato u munduan të përfitonin nga Kryengritja, ose në rast të kundërt të bënin gjithçka që ajo të dështonte pasi nuk donin që shqiptarët të fitonin autonominë. Bullgaria nuk pranoi kërkesën e shqiptarëve për ndihmë pasi ajo nuk i konsideronte ata faktor të rëndësishëm politik në Ballkan, ndërsa Greqia e ndihmoi kryengritjen, pasi i interesonte një luftë e mundshme mes Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane, në mënyrë që edhe vëmendja e shqiptarëve të përqendrohej në veri të Shqipërisë. Por kur Kryengritja u shtri edhe në jug, ajo ndryshoi qëndrim. Malësorët iu drejtuan për ndihmë edhe Serbisë përmes patriotit Nikollë Ivanaj, mirëpo serbët u shprehën se dëshironin të mbanin marrëdhënie të mira me Perandorinë Osmane dhe se ishin kundër çdo veprimi që mund të cënonte paqen në Ballkan. Kështu Serbia këshillonte Portën që t’i jepte fund problemit shqiptar, pasi nuk donte që çështja shqiptare të ishte diskutim i politikës ballkanike dhe që mbret Nikolla të fitonte pozitë të privilegjuar nga Kryengritja e Malësisë. Mali i Zi u mundua me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte këtë Kryengritje, duke synuar që përmes saj të realizonte pretendimet e tij territoriale mbi tokat shqiptare. Sipas Durhamit, malësorët nuk ishin në dijeni për planet e Malit të Zi, ata luftonin për autonomi. Gjatë zhvillimit të Kryengritjes, Mali i Zi i ndihmoi malësorët me ushqime, veshmbathje, para dhe armë, mirëpo meqenëse shqiptarët nuk iu bindën urdhërave të tij që të luftonin nën flamurin malazez, ai iu ndërpreu ndihmat në mënyrë që të nënshtroheshin me anë të urisë. Gjithashtu malazezët i detyruan të nënshkruanin marrëveshjen e paqes me osmanët duke i përdorur si vegla, dhe posa ndërmarrja e tyre ushtarake dështoi, ata nxituan t’i nxirrnin malësorët jashtë shtetit të tyre për t’iu provuar Fuqive të Mëdha pafajësinë në këtë Kryengritje.
Shtetet ballkanike duke mos dashur të pranonin realitetin e vërtetë të Kryengritjes, e quanin atë vepër të ndonjë fuqie tjetër rivale, në këtë rast të Austrisë apo Italisë. Të njëjtën strategji përdorte edhe Porta që e quante lëvizje të të krishterëve, duke dashur t’i mohonte karakterin kombëtar. Mirëpo me ngritjen e flamurit kombëtar në Deçiq dhe me programin mbarëkombëtar të Greçës u vërtetua se Kryengritja nuk ishte as lëvizje lokale, as fetare dhe as e nxitur nga Mali i Zi, siç dëshironin ta quanin armiqtë e Shqipërisë.

Zef Ujkaj
6 prill 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.