Të gjithë e njohin konceptin e Godo-së, por të paktë ata që e kuptojnë, më të paktë ata që mundohen ta shpjegojnë e akoma më të paktë,  ata që arrijnë kur Godo-ja vjen, por vjen si një qenie e shpërfytyruar, shpesh e plasaritur, e vrarë dhe e mbytur nga terma e fjalë që nuk i shkojnë as një gjuhë standard, as një përkthimi dhe as një arti…

Gjuhë e madhe është ajo që ka përkthyes të mëdhenj. Shqipëria është një gjuhë e vogël e mbytur nga diletantët në nivel studimi, shkrimi dhe përkthimi. Përkthimet në gjuhën shqipe çalojnë nga koka, dhe si thonë: “Peshku nga koka qelbet”.

Për të kuptuar një Godo të shpërfytyruar (përkthim të keq, kështu do t’i referohemi  përkthimeve, Godo-peëkthim/i/etj.) nuk mjafton të jesh njohës i gjuhës për të kuptuar bastardimet e gjuhës brenda një përkthimi.

Kur përkthen rikrijon, dhe për të rikrijuar duhet të jesh artist, për të përkthyer idealja është të jesh shkrimtar , “shkrimtar i mirë, se sot të gjithë jemi shkrimtarë” që të mund të futet nën lëkurën e atij realiteti, për të përcjellë të paktën gjysmën e asaj e të cilës shkrimtari ka shkruar…

Përkthyesit shqiptar e vrasin Godo-në, e lyejnë e stolisin, e çojnë në parukeri dhe na e sjellin si një kufomë të bukur për ta lexuar, po sa e bukur është një kufomë për tu  parë? Këto ditë kisha në dorë një përkthim të Aurel Plasari-t, një studiues i mirë, ndër më të mirët, si përkthyes i  poetëve spanjollë na kishte sjellë kufoma të fjalëpërfjalshme.

Vrasjet me makabre të poetve i bën “fisi Bucpapaj” që e përkthejnë ‘Barbarët e Kavafisi-t si bejtë, Tokën e shkretë të Eliotit si poezi të Naimit, etj”. Përkthimi i prozës është më i lehtë përnjimend, nëqoftëse proza lejon fjalë, paragrafe e fraza pa ia prishur kuptimin dhe kontekstin tekstit, poezia është si zemra një nerv t’i dëmtosh funksion gjysmake ose vdes…

Të përkthyerit është një art që e kanë kthyer në “treg fruta-perimesh-vendndodhjen e këtij tregu zgjidheni vetë, mund të jetë ministria, tregu lali Erit, pazari i Niko Peleshit ose këto shtëpi botuese që botojnë çdo bejtexhi të mundshëm… Të perkthesh do të thotë të vdesësh duke jetuar…

Përkthime të mira ka  tek-tuk, ama Godo-të më thelbësore dhe më të rëndësishme na i kanë sjellë të shpërfytyruara, një nga këto përkthyeset, studiueset me emër në një nga këto konferencat që bëhen për të pirë kafe-çaj e ngrënë kroasan rrëfeu se e kishte përkthyer Niko Kazansaqin nga Italishtja, dhe ky zotëria ka shkruar gjithë jetën greqisht.

Se di a duhet të flas për cilësinë e përkthimeve të studimeve dhe teksteve shkencore por di t`iu them që mund të jenë dy-tre që përkthejnë tamam, dhe të dashur lexues-miq mësoni sa më shumë gjuhe të huaja që të mos lexoni Godo të vdekur…

Godo-ja ka nevojë t’i qëndrosh besnik tekstit, t’i ruash kuptimet përmbajtore dhe arketipore, t’i ruash kompleksitetin e figurave dhe t’i nxjerrësh në pah me fjalën e duhur, shprehjet frazeologjike, t’i kthesh me korresponduesen në shqip, t’i ruash imazhet, detajet, ka nevojë ti ruajmë bukurtingullimin, ka nevojë të kujdesesh për gjatësitë e fjalive, frazemave, Balzaku dhe Kamyja jane shumë më lakonikë seç janë përcjellë.

Përkthimi është një tërësi komplekse komponentësh , një përkthyes duhet të jetë njohës i përsosur i gjuhës standarde, varieteteve dhe dialekteve, duhet të ketë arsimin e duhur, duhet të jetë artist dhe duhet të ketë një intuitë të persosur, si duhet të jetë një kirurg i ftohtë që të operojë me kujdes që ta nxjerrë Godo-në gjallë dhe të shëndetshëm vetëm me plagën e të përkthyerit, asgjë tjetër. Në çdo përkthim një pjesë e mirë origjinale humb, teksti do zgjerohet në ndërmarjen e një studimi nëse do t’i rrimë besnik kësaj fushe.

Godo-ja jeton më mirë duke mos ardhur, sesa duke ardhur kufomë dhe i pikturuar nga një make-up artist.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.