Katër poezi të Dimitrov Popoviq

0
151

“Kosovarët”

Më takoi të rri në rradhë me ata
Tek mjeku apo tek agjencia.
Një cilësi gjithnjë në pah,
Maturia dhe qetësia.

Më takoi shpesh t’i shoh në rrugë
Me kokë të ulur, të menduar.
Shkëmbeva fjalë me ta në muzg
I ndjerë disi i lehtësuar.

Ata s’ më njohin, nuk më dinë,
Për mua pak rëndësi ka kjo.
Kanë fjalë pak…S’e shpreh habinë.
Përgjigjen shkurt:”Po” ose “JO”.

Kalojnë rrugës qetë – qetë.
Veç  një  mendim e shprehin troç:
– Ne keq s’i bëmë askujt në jetë.
Ndaj… dhe askujt s’i kemi  borxh.


“Ndarje”

U ndava asaj nate të fundit në vendlindje,
Prapa lashë varret në brengë i mbërthyer.
Erdhe tek ti me një tjetër bindje,
Largohem prej teje
Disi i zhgënjyer.

Dhe u nisa drejt lindjes.
Në të tjera vise…
Atje ku kurrë s’ më kish qarë zemra.
I hapa krahët drejt teje Podgoricë,
Të më rritej besimi,
Të mos më ligej ëndrra.

Me një pallto të zezë e shall në fyt,
Duke kruar lehtë një kockë të vjetër,
U derdha një natë tek gjoksi yt,
Dhe u gjeta i shkundur
Mbi një kurriz tjetër.

Nuk di se me kë do ta mbaj shpirtin ndezë,
Se drejtësia veç merr horizontin e valëve.
Me një shall në fyt
Dhe një pallto të zezë
Rifillova përsëri inventarin e maleve.

( Nëntor 1992)

 “Me vete”

Cili qe gabimi im i parë ?
Ai, që e morën vesh të gjithë
Apo ai
Që s’ ja thashë kujt asnjëherë?
Ai që më pëlqeu,
Kur e bëra,
Apo ai që s’munda ta bëj?

Eh, gabimi im !
Pa ty nuk do t’ ish ajo këtu.
Pa ty,
Ajo nuk do të guxonte të vinte tek unë.

Rri duke i radhitur gabimet,
Të hershme,
Të vonshme,
Të lehta, të rënda, të shumta.
Po cili qe gabimi im i parë?
Cili gabim do të fillonte me… heshtje?

“Biseda e brezave”

Unë gjaku yt jam, o gjyshi plak,
Por truri yt nuk jam kurrsesi.
Për mua ka rëndësi, a ka dru në oxhak,
Ndërsa për ty
-Kush pranë oxhakut rri.

Unë gjaku yt jam, o gjyshi plak,
Por truri yt nuk jam, or burrë.
Për mua s’ka rëndësi a do të marr hak,
Ndërsa për ty jeta:
– Pa gjakmarrje kurrë!

Erdhën kohë të tjera, o gjyshi im plak.
Por oxhaku ynë tym nxjerr përsëri.
Unë fort krenohem se jam i yti gjak,
Por dhe ti krenohu
-Trurit tim të ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.