“Muzeu i pafajësisë” është një roman nga Orhan Pamuk, historia e të cilit është e vendosur në Stamboll mes viteve 1975 -1984. Ai është një rrëfim dashurie midis biznesmenit Kemal dhe kushërirës së tij të largët Fysun. Për shkrimin e këtij libri, Pamuk u ndikua nga Muzeu Bagatti Valsecchi në Milano, Itali: – “Është hera e tretë që kam vizituar këtë muze të jashtëzakonshëm. Shtëpia, ideja dhe imagjinata që fshihen pas këtyre mureve, më kanë ndikuar shumë për romanin që unë shkruajta, “Muzeun e pafajësisë”, jam i lumtur që jam këtu për herë të tretë. “- thotë ai.

“Muzeu i pafajësisë” është një histori sublime e dashurisë, dhe trajtimi i saj vjen ndryshe nga çdo roman që mund të keni lexuar. Ky roman vjen me një shtritje të gjatë kohore për historinë, dhe me një densitet të lartë emocional. I gjithë arti i këtij romani qëndron në brendësi, me ndërthurjen e pasazheve për Stambollin, duke njohur atë të dikurshmin, dhe me historinë e cila në pamje të parë duket e pamundur, si një trill i vetë autorit. Pyetja që shumë lexues do i bëjnë vetes është, a e ka jetuar autori këtë, apo është e gjitha pjellë e imagjinatës së tij?

Pra ajo që e mban një lexues të mbërthyer pas këtij romani nuk është thjeshtë një histori romance, por ndërthurja e saj me elementët faktik. “Në të vërtetë, askush nuk është në gjendje ta emërtojë një çast, gjatë përjetimit të tij. Disa njerëz, në çaste lumturie, mund të mendojnë ose të shprehen çiltërsisht se qenkësh pikerisht ky “ai çasti”, ndonëse thellë në shpirt vazhdojnë të besojnë se në të ardhmen do të kenë çaste edhe më të bukura, edhe më të lumtura. Kjo ndodh sepse asnjë njeri në rininë e tij, nuk jeton me mendimin që në vitet në vijim gjërat mund të përkeqësohen: nëse një njeri është aq i lumtur, sa të përfytyroj se po jeton çastin më të lumtur, atëherë është edhe po aq optimist sa të mendoj se e ardhmja do të jetë më e bukur.”

Ky është një fragment i shkëputur nga romani që mua si lexuese më ka lënë shumë mbresa. Brenda këtyre rreshtave unë shoh gjithë historinë, historinë e djaloshit të ri Kemal, historinë e çdo të riu apo të reje sot.

A emërtohen dot çastet? Përgjithësisht të ndikuar nga emocionet ne e bëjmë. Në këtë histori pa dashje keshtu bëri dhe Kemal-i. Ai ishte në prag fejese me një vajzë nga e njëjta shtresë. Pikërisht në këtë çast, që para pak sekondash e quajti atë si më të bukurin, jeta e tij mori drejtim tjetër vetëm nga një shkëmbim shikimesh me kushërirën e tij të largët Fysyn. Kështu i gjithë çasti i tij më i bukur, përmbyset dhe Kemal-in do ta shohim të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh pikërisht për këtë çast, ku e gjithë kjo rrugë ndjenjash do e çoj tek “verbëria” e dashurisë së tij të parrokshme, që deri në fund te jetës do e përkundi atë mes shpresës dhe ëndërrimit. Për tu bërë bashkëudhëtar të këtyre ndjenjave dhe të kësaj historie mbresëlënëse, duhet ta lexoni këtë roman. Dhe në momentin që do të mbyllni librin, do t’iu kaploj dëshira për ta vizituar muzeun e pafajësisë, adresa e të cilit gjendet në libër, që mban histori, më shumë se vetë historia e këtij libri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.