Franz Kafka

Franc Kafka u lind në Pragë në familjen e një nënpunesi hebre. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Pragës, ndërsa të gjithë veprën e tij e shkroi në gjermanisht. Duhet thënë se Kafka ishte një njeri mjaft i rezervuar, kështu që grupi i miqëve të tij ishte tepër i kufizuar, ku mund të përmenden emra  të tillë si Maks Brod, Oskar Pollak, Feliks Velc apo Oskar Baum.

I detyruar të punonte në një kompani sigurimesh, Kafka përjetonte stërmundime, të cilat ia shkaktonte puna e lodhshme e zyrës. Duke luftuar me lodhjen dhe pagjumësinë Kafka arriti të krijonte letersinë e tij, që ç’është e drejta, faktet tregojnë se nuk e simpatizonte shumë, madje në testamentin e tij, ka një urdhëresë të veçantë për mikun e tij Maks Brod, ku e porosit për të djegur një pjesë të mirë të veprës së tij.

Si vepra kryesore të Kafkes radhiten romanet Amerika (1911-16), Procesi (1915-18), Kështjella ( 1922 ) si dhe vëllimet me prozë autobiografike, “Letër Babait”, “Ditaret”, “Letër Milenës”, apo novela “Metamorfoza”, si dhe tregimet “Fokisti”, “Dënimi “, etj.

Fama e Kafkës si shkrimtar, sa qe gjallë nuk e kalonte rrethin e ngushtë të miqëve të tij, apo shoqërive të vogla letrare, kjo dhe për faktin se ai nuk dëshironte të botonte, duke i quajtur veprat e tija konstruksione të papërfunduara, me të cilat nuk ishte i sigurtë çfarë do të ndodhte në të ardhmen.

Lavdia e tij erdhi pas vdekjes, me botimet e para, të cilat i realizoi miku i tij dhe botuesi i tij Maks Brod. Menjëherë u vu re diçka tejet e veçantë tek ky autor shpërthyes, një përmbysje kanonike e një miti mijëravjeçar.

Për herë të parë në letërsi, kemi “Rënien e botëpërceptimit antropocentrik”, pra rënien e mitit, i cili e vendoste individin në qendër të gjithësisë.

Kafka i solli letërsisë personazhet nga më të çuditshmit, të cilët mund të përkufizohen fare mirë si “askushi”. Personazhet e tij janq agjentq tregtarë, nënpunës të rëndomtë, përmbarues gjyqesh, që më tepër ngjajnë me kriminelë sesa me njerëz të ligjit.

Të gjithë këto personazhe, janë shprehja e paracaktuar e gjendjes emocionale, e cila karakterizohet para se gjithash, me mungesën e përhereshme të lirisë, të varësisë së tyre nga bota e panjohur, nga bota e pakuptueshme dhe armiqësore.

Personazhet e Kafkës, janë individë që jetojnë me një gjendje të përhershme, ankthi, frikë, tmerr  dhe që ndiejnë një përndjekjeje të vazhdueshme nga  pushteti. Këta të mjerë, arratisen dëshpërimisht në hapsirat më të vogla, në skutat më të thella, aty ku mungon ajri, në shkallore më të errta, papafingot më të plurosura, kështjellat më të mjera, dhoma më të vogla për t’i shpëtuar dëshperimisht kësaj dhune nga e panjohura dhe rrjedhimisht, duke humbur përfundimisht fizionominë njerëzore.Hapsira është tejet e vogël dhe koha pushon së ekzistuari, madje kur lexon një vepër të Kafkës skenomatografia është aq e qarte, sa të duket sikur ke prerë biletën dhe po ndjek një shfaqje teatri, viktimat e rëna në këtë grackë që janë dhe personazhet e tij, kërkojnë të arratisen dëshpërimisht, mirëpo zgjerimi i kësaj hapsirë është dhunë ndaj botës, kështu që rrjedhimisht janë të dënuar të përfundojnë tragjikisht.

Mënyra narrative e Franc Kafkës spikat  për nga vëmendja e jashtëzakonshme për të paraqitur detajin, një mënyrë e habitshme e perceptimit të gjësendeve, imazhit të objekteve, trajtave, e sidomos përpjekjes pa kompromis për të shprehur qartë mendimin, duke kërkuar deri në manjakeri fjalën më të përshtashme. E qartë, e skalitur, gjuha e Kafkës ka  një mision tëpër të lartë, shprehjen e absurdit që pushton qënien .

Çdo roman i Kafkes ka një emerues të përbashkët, asnjë hallakatje e kotë, pa kuptim, përkundrazi gjithçka rrjedh në një ulluk, të zgjedhur me kujdes, gjithçka e lidhur mirë, tepër e qetë, pa metafora pompoze e orgji të fryra stilistike. Mirëpo sapo fillon të lexosh, gjithmonë e më tepër ndjen një lloj ‘’sekëlldije”, lidhja organike e rrëfimit fillon të ngjall fije dyshimi, lexuesi fillon të ngatërrohet, si në një labirint, sepse dyshon vazhdimisht, madje edhe te rëndomësia. Dal – ngadalë kupton se është kjo rëndomsi situatash ajo që i shkakton tronditje dhe në mendje i krijohet vetëm një mendim; kjo është absurde, është mankth, është ëndërr e keqe…ose thjesht mrekullohet dhe thërret; kjo është kafkjane…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.