Nuk e dija, që shumë pranë vendit ku unë jetoj aktualisht, rreth tridhjetë kilometra më saktë, gjendej shtëpia e Vëllezërve Grim, Jakob dhe Vilhelm, por ia që rastësisht e dëgjova dhe të nesërmen vrapova për t’a vizituar. Tek lexoja në lidhje me këtë gjë, zbulova që në Gjermani ekzistonte një hartë, që quhet “Deutsche Märchenstraße”, rruga e përrallave gjermane. Ajo u kthye në një pikë turistike që nga viti 1975, ku dhe u përcaktua dhe një hartë e plotë prej gjashtëqind kilometrash ku Vëllezërit Grim mblodhën përrallat. Fillesa ishte pikërisht në shtëpinë e tyre dhe përfundonte në Bremen, por të ndalim në stacionin e parë të kësaj rruge magjike, që e kemi njohur nëpërmjet përrallave si Borëbardha, Hansi dhe Gretel, Ujku dhe tre derrkucët, Bukuroshja e fjetur etj.

Shtëpia e vëllezërve Grim gjendet në Steinau, pranë Frankfurtit në Gjermani dhe sot shërben si muzeum ku përfshihen sendet personale të tyre, librat që lexonin, botimet e tyre të para etj. Ajo u themelua më 1998 nga një bashkëpunim i bashkisë së Steinaut dhe Shoqatës së Vëllezërve Grim. Familja Grim ka jetuar në këtë shtëpi nga 1791 – 1796. Në këtë shtëpi ende gjenden mobilje origjjnale që nga vitet 1780, si për shembull enët e guzhinës, tavolina e punës, karriget, piktura etj.

Në pjesën e jashtme gjenden dhe të rrieshtuara karrocat që ata përdorin dikur dhe ngjitur me ta kanë krijuar një bibliotekë, ku çdokush mund të marrë një libër dhe të lëre një tjetër. Gjërat që më bënë përshtypje ishin të shumta, duke nisur që me librat që ata lexonin, studimet gjuhësore, jeta e tyre e paraqitur në çdo hap, si dhe si filluan të dy vëllezërit të mblidhnin përralla dhe nga folklori gjerman dhe t’i bënin pjesë të letërsisë gjermane. Në një pjesë të shtëpisë gjëndeshin dy kënde me librat e Vëllezërve Grim të botuar në të gjithë botën dhe në të dhe libri në shqip “Na ishte një herë” nga Botimet Çabej. Fatkeqësisht nuk lejohej të bëhej fotografi në të gjithë pjesët e shtëpisë, për shkak të librave dhe sendeve me shumë vlerë që gjendeshin në të.

Pak metra larg shtëpisë së Vëllezërve Grim gjendej dhe Muzeumi Steinau, që dikur shërbente si nëj pikë ndalese për tregëtarët që vinin nga Frankfurti në Leipzing. Në të gjenden një palë shkallë nga fillimi në fund të ndërtesës, origjinale që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë. Sipas ciceronit të muzeut, Vëllezërit Grim kacavirreshin nëpër këto shkallë, kur ishin fëmijë. Ndër eksperiencat më të bukura dhe të vlefshme që kam kaluar në jetë dhe ia sygjeroj çdo njeriu që vjen për të vizituar Gjermaninë dhe jo vetëm.

 Disa foto nga Muzeu dhe Shtëpia e Vëllezërve Grim

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here