Bota është një mrekulli e krijuar në përsosmëri taman ashtu si dhe trupi i njeriut, i cili kur nuk ka diçka që nuk shkon fillon e shfaq anomali nga më të ndryshmet keshtu është edhe puna e botës së njeriut, ska c`ti bëjë gomarit i bie samarit! Sot të gjithë dinë të bashkojnë shkronjat dhe texojnë, por për të kuptuar janë si e ëma e Zeqos majë thanës!

Të lexosh dhe të kuptosh janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, për të lexuar është e thjeshtë, për të kuptuar domethënien e vërtetë të gjërave është shumë e vështirë. Kthehemi te fillimi ku thamë që bota është një mrekulli, është vërtetë sepse në këtë botë, në këtë vend kaq të vogël jetojnë edhe analfabetët funksionalë ashtu si edhe ata që mbahen me të madh si të ditur.

Dija është relative, budadallëku jo. Ai është absolut ndaj njerëzit që lexojnë por nuk kuptojnë i takojnë pjesës së dytë të fjalisë, të lexosh do të thotë të shfletosh, të shikosh, të riprodhosh siç bëjnë “kolegët e mi në auditor”, të kuptosh do të thotë tu futesh leximeve, veprave nën lëkurë dhe jo në kuptimin metaforik, për të kuptuar duhet të dish rregulla e kanone për të analizuar, shpirt për ta përjetuar, mendje për ta parë si film të sapokrijuar me sekuenca të shkëputura në mendjen tënde si dhe ftohtësinë e mjaftueshme për tu ndarë gjykimet nga njeri-tjetri, të cilët sipas meje do ndaheshin në tre, gjykimi i ftohtë shkencor, gjykimi-perjetimi personal, dhe gjykimi i parë i ndikuar nga impresionet autoriale…

Për të lexuar duhet të dish alfabetin dhe të lidhësh shkronjat me njëra-tjetrën, kaq. Sot pikëvështrimet personale nuk paranumërohen aq të shumta janë, por sot të gjithë lexojnë dhe riprodhojnë sepse nuk kanë mjetet për të kuptuar, nuk munden se i lë sistemi i urrejtjes jashtë, nuk munden se nuk duan të lexojnë duan të kapin në faj, duan të kapin gabimet, përqendrohen te djalli ndërkohë që ëngjëlli po i thërret të nisin të kuptojnë që të mos mbeten injorantë që dinë të riprodhojnë me termat e ECO-S, të Eliotit, te Zhenetit etj etj.

Për të kuptuar:

Kur nisim të lexojmë diçka duhet të dimë mirë se cfarë po lexojmë dhe si po e lexojmë. Për të kuptuar duhet të dish të mendosh dhe gjykosh. Për të kuptuar duhet të dish të ndjesh si protagonisti por edhe si antagonisti që ta përkapësh thelbin dhe shpërfaqjen e ngjarjeve ashtu sic duhet. Për të kuptuar duhet qetësi kthjelltësi dhe racionalitet! Për të kuptuar duhet të jesh i pavarur të mos ndikohesh nga përjetimet e miqve  dhe kritikëve që mund të të shpien edhe në gjykime të gabuara.

Të kuptosh do të thotë të jetosh si rrëfimtari, personazhi, rrëfimtarët apo personazhet që njëkohësisht edhe rrëfejnë edhe mbajnë qëndrime herë të njëanshme herë të paanshme!

Në vendin tonë kemi studiues  që shumica janë riprodhues të të huajve, ndaj si mund të pritet që të kuptojë një brez që mësohet nga një brez tjeter që rithotë mekanikisht fjalët dhe gjykimet e të tjerve, që nuk ka një shtyllë kurrizore të vetën ?

Të lexosh dhe kuptosh është punë e vështirë nuk i lihet në dorë cdokujt se letërsia dhe arti po ranë  në puthje-këmbësh kemi humbur edhe lirinë, edhe kuptimsinë edhe artin dhe kemi fituar nje përbindësh njëlloj si ato që nxjerr Filologjiku me kartonë!

Të lexojnë dinë të gjithë por kur do fillojnë të kuptojnë të gjithë?

Atëherë kur ta shohim të vërtetën në sy dhe të ndërgjegjësohen se të kuptuarit është një peshë e rëndë që nuk e mbajnë dot të gjithë dhe se të lexuarit e të riprodhuarit me të kuptuarit janë koncepte  të ndryshme.

Mustaqet e Celos kuptojme të gjithë në fund të ditës mesa duket?

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.