“Jeta nuk asht teatër, asht nji luftë, ku në fund pushtetin e ka vdekja.”       

Gjovalin Gjadri është artist i vuajtjes dhe Ardian Ndreca me përkthimin e tij kanë sjellë në shqip një himn për të treguar sesi ishte dashuria e vertete, ferri që përjeton një mashkull pas ikjes së saj…  Nën titullin “Letra grues sime të vdekun –Nji nekrologji plot dhimbje”, vjen një rrëfim vullkanor, shpirtvrasës ku emocioni-elegji që e shoqëron gjithë shkrimin të rrëqeth dhe të bën të mendosh thellë dhe të reflektosh se pse në këtë kohë nuk ka më dashuri dhe jo më një dashuri kaq magjepsëse…

Nën logon e shtëpisë botuese “Onufri” të vitit  2017, nesër në orën 11 bëhet promovimi ne Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë me pjesëmarrjen e përkthyesit Ardian Ndrecës dhe studiueses e pedagoges Viola Isufajt. Mos mungoni…

Gjadri e ka shkruar librin në formën e letrës, por brenda stilit epistolar gjejmë letra brenda letrës, detaje, kujtime të njohjes, mënyrën sesi Myrejla e tij braktisi familjen për të, sesi kapërcyen gjithcka bashkë duke nisur qysh prej faktit të fesë, sëmundjet, dhe deri në një farë mënyrë edhe parashikimet ndjellakeqe që i kishin parashikuar bashkë të dy.

Gjovalin Gjadri është një estet, një shkrimtar i kalibrit të dorës së parë me letrat që i ka shkruar gruas së varrosur.. Duket sikur në çdo letër uni dhe shpirti i tij mpaken, vriten, flijohen duke derdhur gjithë shpirtin, energjinë, jetën, frymëzimin për një dashuri e cila jeton fort në shpirtin e tij edhe pse ajo nuk është më e gjallë me trup. Ai këtë gjë e vuan çdo sekondë të jetës së tij, faktin që nuk e ka pranë, faktin që familja e saj saktësisht i vëllai e kishte braktisur dhe ai e quante një movtiv kyc për vdekjen e saj.

Është e frikshme sesa shumë e donte ai gruan e tij saqë në letrën e dytë ai thotë: “Tash që ke vdekë, në këtë pikë e kam mendjen shumë ma të qartë, e di se do ta kisha sakrifikue fëmijën për ty, pse fëmijën mund ta kishim zëvendësue. Kurse ti ishe e re dhe e hijshme e doje me jetue.” ky citim është realisht i frikshëm por edhe i bukur sepse dashuria e tij për femrën e tij ishte e gatshme me sakrifikue çdo lloj çmimi…

Në një pjesë të librit gërshetohen letrat brenda letrës së ndarë në katër kapituj të titulluar me emra të ndryshëm, ajo cka bën shumë përshtypje është parashikimi i Myrejlës për lumturinë dhe vdekjen e saj, ajo sic duket e kishte ndierë, pavarësisht se më vonë Gjadri rendit shumë faktorë për vdekjen e saj, si mospajtimi me të vëllain, lënia e vetes pas dore prej mendjelehtësisë, amtorizmi i mjekëve në Romë si dhe sëmundja e tij… Më poshtë do citojmë nje fragment të letrës : “Ti duhet ta`ndiejsh që un të due tmerrsisht, gati fëmijnisht…Jeta asht e vështirë, por ti mos u shqetëso. Kushedi si ka me shkue puna jonë, un s`kam fort besim se nap ret nji jetë  e gjatë e kështu që do të mund të jetojmë të paktën të lumtun së bashkut për ndonji vit…”

Pse e titulluam artikullin në këtë formë : Një histori prej ferrparajsës së shpirtit?

Letrat janë të shkruara me një kujdes ekstrem, madje edhe detajet më të vogla, e ardhur në përkthim me një shkodranishte të ëmbël duket sikur zëri i Gjovalinit kumvon në veshët tanë duke na rrëfyer për parajsën që përjetoi para vdekjes së së shoqes dhe ferrin pas vdekjes së saj…

Aty këtu Gjovalini tregon për bukuritë e njohjes se si të dy kishin ndierë që në takim të parë që kishin një jetë që njiheshin, sesi nata e ardhjes në jetë të djalit të tyre kishte qenë nata më e lumtur për të dy e plot detaje tjera…

Ama vdekja e gruas e shkatërron autorin e vret, ai është gjatë gjithë kohës duke jetuar me kujtimin e saj, ai nuk është shkëputur nga ajo, ai thërret shpesh vdekjen, vetëm vdekjen sepse vetëm takimi me vdekjen dhe më vonë takimi me gruan e tij do ti sillte atë pak qetësi dhe gëzim që kish kaq shumë kohë që se ndien, ndihet bosh në gjendje zie, amullie, katastrofe dhe shkatërrimi total, citimi na e dëshmon që vëtëm vdekja mund ta shërojë:

Shpirti jem asht i shkretnuem.Më len me ta thanë e dashun! Për mue s`ka ma asnji ngushëllim! Ngushëllimi jem i vetëm asht vdekja.”

Ai madje ka bërë gati edhe vendin e tij të varrit pranë gruas në oborrin e tyre ku i ka thurur një përmendore sic ajo e meriton. Letrat janë të shkruara me një sqimë piktori, kujdes poeti, dhe shpirtplasur, gjatë gjithë kohës kujtimet sjellin lot, lotët sjellin vuajtje, dhe gjatë gjithë kohës na vjen një refren i nënkuptuar se : “Asgjë nuk zgjat përgjithmonë”, pra të jetojmë atë lumturi kur mundemi. Ai jetoi me lumturinë që i la dhuratë e shoqja përndryshe do kishte sosur nga marazi prej shumë kohësh.

Letrat nën emrat: “Të parat fjalë pikëllimi”, “Shtëpia e braktisun”, “Fat dhe letra dashurie”, “Sëmundje dhe vdekje”, sjellin tablonë e një ferri shpirtëror ku as takimet me zotin, thirrjet ndaj tij nuk e zhbëjnë dot atë ferr të krijuar nga vdekja e gruas së tij gjë qe na kujton veprën e Mitrush Kutelit “E madhe është gjama e mëkatit” ku edhe aty shpaloset pak a shumë një histori e tillë me rrethana të tjera.

Në këtë tablo gjithë ferr, plagë e vraga, dhimbje dhe bosh ka edhe grimca parajse, ka edhe grimca lumturie, ai ka një thesar nga ajo djalin e tyre megjithëse i cili prapë nuk mjafton si shtysë për të jetuar për të, ai është pa shpirt shpirti i tij është varrosur bashkë me gruan e tij…

Pse duhet ta lexojmë këtë ferrparajsë nën titullin “Letra grues sime të vdekun”?

Për të provuar që jemi njerëz me emocione. Për të parë sesi mbijeton nje njeri shpirtmbytur. Për të parë sesi dashuria e vërtetë mund të jetoje edhe në dimensione të ndryshme derisa të bashkohen. Për të provuar teorinë se një shpirt i vrarë, një zemërplasur një mashkull i dashuruar që mbahet vetëm pas dickaje krijon kryevepra. Për të vërtetuar teorinë që femra është mrekulli. Për ti dhënë jetë dhe hapsirë mendimit se dashuria e vërtetë ekziston, thjesht duhet ta gjejmë dhe ta ruajmë, që të mos përjetojmë një fat kaq tragjik.

Shkrimin e do e mbyll me fjalët e fundit të veprës, nesër për ditën e librit, ora 11, salla 210, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ju pret për promovimin e kësaj veprë që të lë pafjalë:

“Due me të nderue tue mbajt zi. Due me të qa me zemër të pastër, pse lotët e mij kanë më u terë vetëm kur të shtrihem në vorr afër teje.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.