DIÇKA QË NA LIDH MË SHUMË… – nga Dimitrov Popoviq

(Mendime rreth librit të Vladimir Muçës “UNË MENDOJ” dhe disa arritje në bashkëpunimin mes dy popujve në fushën e letërsisë).

0
114

Të dashur shkrimtarë, miq e dashamirë të fjalës së bukur!
E pata shumë të mirëseardhur ftesën që më dërgoi shoku dhe miku juaj dhe i imi njëkohësisht, Vladimir Muça, për të marrë pjesë sot në këtë përurim libri dhe në të njëjtën kohë të shprehi edhe unë disa mendime, sigurisht pa i rënë ndesh ndonjë dakordësie të vendosur në rrugën tuaj të gjatë si krijues dhe të jap edhe ndonjë mendim se si i kemi këto punë në shtetin që është fqinji më i afërt për ju, që ka një mbiemër jo të bukur: I ZI, e që quhet ashtu edhe pse e ka zemrën e bardhë, edhe pse e mbulon bora e bardhë.. . Por le të vijmë tek libri i fundit i Vladimir Muçës “Unë mendoj”. Mjaft mirë folën referuesit para meje, i dëgjova me shumë kujdes, siç i kam lexuar edhe në internet shënime e shkrime që vlerësojnë si duhet punën e tij si krijues i vyer. Ndryshe libri nuk do të kishte ato cilësi që na bashkojnë sot. Kohë më parë, Herman Hese, në esenë e famshme “Magjia e librit” (1930), të gjetur diku pas vdekjes së tij, në zbulimin e vlefshëm ”Besimi im: Ese mbi jetën dhe artin” shkruan: “Mes shumë botëve që njeriu nuk i ka fituar si dhuratë e natyrës, por i ka krijuar me mendjen e vet, bota e librave është më e madhja. Pa fjalët, pa shkruar libra, nuk ekziston historia, nuk ekziston koncepti i njerëzimit. Në qoftë se dikush do të donte të përpiqej që të mbyllte në një hapësirë të vogël, në një shtëpi apo në një dhomë, historinë e shpirtit njerëzor dhe ta bënte të veten, ai këtë mund ta bëjë vetëm në formën e përmbledhjes së librave”. Dhe ndeshemi çdo ditë me realitete të tilla.
– Libri që promovojmë është unik, materialet janë të grumbulluara e të sistemuara bukur, pa shkapërderdhje. Në të zënë vend si duhet edhe koha, edhe hapësira. Parë kështu, libri ruan strukturën vertikale që tregon kronologjinë e shkrimeve nga e kaluara tek e sotshmja, nga mendime të formuara herët e deri në një pjekje shembullore. Shkrimet sa vinë e janë më të thella dhe i justifikojnë qëllimet.
Në strukturën horizontale zë vend shtrirja përtej rrethit të përditshëm deri te shokët më larg në rrethet e tjera letrare Shkodër, Pukë etj, por dhe përtej kufijve shtetërorë si në Pejë, Kosovë, në Mal të Zi, Maqedoni etj. Ky bosht vertikalo-horizontal e bën librin unik dhe në të shkrimtari shpreh mjaft mirë kohezionin mendor të shoqërisë aktuale që e jetojmë të gjithë, por edhe koherencën e ngjarjeve letrare që shoqërojnë këtë fillim shekulli.
Në libër flitet dhe bëhen analiza edhe për shkrimtarë dhe vepra që as nuk i njoh dhe as nuk i kam lexuar, por më është krijuar një bindje e gatshme dhe për të cilat e ndjej veten më të pasur në njohjen e përgjithshme që kam për letërsinë. Por, një “por” e madhe, aty defilojnë shumë bukur artistë të penës që i njoh, bile i njoh mirë dhe kënaqem se në shumë vlerësime ndaj të njëjtat mendime me autorin. Dhe këtu marr krahë e ndjej kënaqësi.
Personazhet e Vladimirit (ose krijuesit e personazheve) janë të shumtë e në këtë rast janë edhe të ndryshëm, por që gjithsesi lidhen me artin, me fjalën e bukur, me vargjet apo prozat e mrekullueshme të poetëve e shkrimtarëve që Shqipëria i ka me bollëk. Do ndalem vetëm në ndonjë prej tyre. Shkruhet për Moikom Zeqon, e s’ka si të mos shkruhet. Ka mbi 50 vjet që e njoh, ishim maturantë, unë në gjimnazin e atëhershëm të Plepave e ai në qytetin e Durrësit, edhe atëherë ai ishte shumë më larg se ne poetët e vegjël… Shkruhet për Kryetarin tuaj të shkrimtarëve të rrethit tuaj letrar, për Nikollën. Mjaft mirë se e meriton. E njoh aq shumë sa ju do ma kishit lakmi. Ka qenë mësues në fshatin tim, më pas unë kam qenë drejtor shkolle në fshatin e tij. Malësia nuk e di se ka mundur t’u sjellë diçka më të mirë se Nikollën. Në libër shkruhet për Anton Gojçajn, një shkrimtar nga shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi, për romanin e tij “Passio” dhe më ka ardhur shumë mirë edhe mua, por edhe atyre atje, e menjëherë shkrimi juaj është botuar në të përjavshmen ”Koha javore”. Antoni është njeri i mrekullueshëm, fjalë pak dhe shumë punëtor, poezitë i janë botuar edhe në Amerikë, edhe në Kinë etj. Në libër shkruhet për Skënder Temalin, dhe trajtohet aq bukur, sa të gjithë neve të shoqatës së Shkodrës duket sikur na jep një shtrëngim dore, një penë e merituar. Shkruhet aty edhe për Mozën Rexhvelaj, këtë vit fituese e vendit të parë në Shkodër, në Konkursin “Buna 1”. Në verën e kaluar ishim në ditët e poezisë ndërkombëtare në Bijello Pole, organizuar nga Min. e kulturës dhe Ambasada e Kinës në Mal të Zi. Dhanë një vlerësim të lartë për grupin e poeteve nga Shqipëria, ku Moza shkëlqeu edhe me paraqitjen poetike, fizike e shpirtërore.
Libri më ka pëlqyer në trajtimin në një plan shumë të afërt e njerëzor të vertikales së familjes Luarasi. Jam kënaqur deri në thellësi të shpirtit kur shkruan për Petro Ninin, Skënder Luarasin, Petron e ri e deri tek profesori ynë i paharruar Alfred Uçi. Kjo ndodh kështu vetëm në Shqipëri, ku kësaj familje i janë dhënë se i meriton plotësisht nderet patriotike, arsimore, kulturore, njerëzore dhe në fund edhe ato, që këtu janë në fund, ato fetare, ortodokse. Në Mal të Zi kështu nuk do mundej. Dita e poezisë në Mal të Zi nuk është caktuar ende, se pjesë të koalicionit qeverisës …nuk kanë rënë dakord që të jetë dita e poetit të madh Njegoshit, se ai diku e shan Turqinë si pushtues dhe pushtimin e saj. A nuk bënë kështu Naimi, Çajupi e rilindasit e tjerë? Këto faqe që ua ke kushtuar këtyre (Luarasëve), po t’i kisha bashkë në një libër, do t’i mbaja gjithmonë me vete. Libri përmbledh shumë, më vjen shumë mirë që aty ka vend edhe për një poet që e kam lënë për në fund, për vete si të thuash…të gjithë ne jemi nga pak poetë, së paku them për vete, por para tij jemi të vegjël. E kam fjalën për poetin tuaj Agim Bajrami. Një ditë kam mbledhur shumë shokë të mi malazezë, dhe i kam njohur me një poezi të Agimit kushtuar një vdekjeje të një djali të një shoku historian. Dhe ta dini, ju ka bërë kaq shumë përshtypje. Ndoshta nuk më ka ndodhur që të kem lexuar disa herë rresht të njëjtat vargje. Por Agimi ka edhe shumë e shumë vargje e poezi të tjera. Ja kjo është forca e poezisë, atë prekjen e saj e ndjen edhe në fund të botës, kur ajo di të të lëkundë fijet e telit tënd nervor…
Duke thënë këto fjalë për shkrimtarët unë nuk bëra gjë tjetër, por fola për personazhet e librit “Unë mendoj”, duke i lavdëruar ata, sigurisht kam lavdëruar edhe librin e Ladit.
Vladimiri shkruan me shqipe standarde, është kompetent në krijimin e fjalive dhe figurave letrare. Kjo na e bën librin edhe më të dashur. Uroj me shpirt që të mos i ndahesh penës dhe të shkruash bukur, po aq bukur sa i shkruaje gruas në përvjetorin e martesës, para dy tre ditëve…
2. Nëse më lejoni do të dëshiroja të thosha edhe ndonjë fjalë për Malin e Zi, dhe diçka aktuale sot në marrëdhëniet mes popujve tanë në fushën e krijimtarisë letrare. Njëkohësisht edhe diçka mbi letërsinë e shqiptarëve në Mal të Zi.
– Mali Zi është shtet qytetar, përqindjet e popujve shkojnë deri aty sa asnjë prej tyre nuk e ka shumicën… Është në pragun e afërt të hyrjes në Evropë…
– Marrëdhëniet me fqinjët, Shqipëri, Kosovë janë shumë të mira dhe me kahje shumë pozitive. Për Pakicat: Arsimi në shqip zhvillohet rregullisht: shkollat fillore, të mesme, Fakulteti i mësuesisë, siç edhe ka probleme të pazgjidhura e që kërkojnë më shumë vëmendje dhe kontribut nga të gjithë.
– Jam redaktor i librave shkollorë për arsimin shqip në Malin e Zi. Të gjithë librat shkollorë shqiptarët i kanë në shqip. Është miratuar dhe Abetarja mbarëkombëtare.
– Në kulturë ka fonde: CEKUM-i dhe Fondi për pakicat.
Mes nesh ka filluar të realizohet ajo që ka munguar historikisht. Nga asnjë libër që kemi pasur më parë, sot kemi disa arritje:
Miku i Durrësit, Jevrem Brkoviq, fitoi tek ju çmimin, nëse nuk gabohem “Unaza e poetekës”.
– Librat shqip të përkthyer në gjuhën malazeze:
– Antologji e poezisë shqipe me autor Bashkim Kyçyku, botuar nga Akademia e Dukles.
– Një libër nga Shkëlzen Maliqi dhe Arian Leka – poezi e prozë e sotme.
– I. Kadare romani “Darka e gabuar”- përkthim (Rënia e qytetit të gurtë).
Këtë vit dalin tregimet e Skënder Temalit, është përkthyer në gj. malazeze libri B. Çapriqit, Haxhi Shabanit, libri im nga gjuha shqipe “AMFORA”- poezi. Këtë vit, krahas autorëve të tjerë në programin shkollor është futur Viktor Canosinaj në letërsinë e klasës IV etj. dhe disa shkrimtare të tjerë.
Ndërkohë kemi sjellë në gjuhën shqipe librat: “Dy gjuhë një libër” / Camaj Pipa. Kam përkthyer dhe botuar në Shqipëri:
• Antologjia e poezisë malazeze Onufri, 360 fq., me 40 poetët më të shquar.
• Poeti Pavle Goranoviq, Onufri “Stinët e humbura” poezi,
• Zuvdija Hoxhiq “Të gjithë njerëzit e mi”, Onufri, roman
• Vladimir Vojinoviq, Tregimet e Montanarit, tregime, Shkodër
• Kam përkthyer dramën “Vezët” të M. Neleviq. Camaj/ Pipa Shkodër.
Kam redaktuar vëllimin me poezi të Mlladen Llomparit “Diptiku i çmendjes”, botuar te Onufri dhe romanin e Mirash Martinoviq ”Dita e fundit e Eskilit” po ashtu te Onufri. Kam redaktuar dhe botuar në shqip romanin ”Passio”, tregimet e I. Berjashit “Sirena e liqenit” dhe librin me poezi të Haxhi Shabanit “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh”, që janë promovuar në Tiranë, në Panairin e librit. Janë bërë mbi 10 promovime të autorëve malazezë në Shqipëri etj. Me sukses i kanë botuar romanet e tyre te  “Toena” shkrimtarët Fran Camaj, Nikollë Berishaj, Anton Gjuravçaj dhe Mark Lucgjonaj tek “Naimi” etj.
Gjatë ditëve të Panairit të Librit në Tiranë, në nëntorin që kaloi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në Muzeun Kombëtar, bëri promovimin e librave të 8 autorëve shqiptarë që jetojnë në Mal të Zi. Në revistën letrare artistike KODI në Podgoricë kanë botuar dhe po botojnë shumë autorë nga Shqipëria, tre në numrin e kaluar, tre në ketë numër, nga të cilët dy do të jenë nga Durrësi: Nikollë Spathari dhe Agim Bajrami.
Këtë muaj përktheva dhe doli nga shtypi në shqip libri me tregime i akademikut shqiptar Z. Hoxhiq “Dikush thërret” dhe përgatitem që deri në shtator të botojmë një libër për Esad Mekulin. Ja pra punohet, por fillimet janë të bukura kur çohen deri në fund. Kam besim se puna e filluar nuk është si duhet të jetë pas pesë vitesh, por është shumë më e mirë se ajo që ka qenë dhjetë vite më parë.
Duke ju falënderuar shumë për fjalët që dëgjova nga ju dhe ato që shpreha më lart, ju uroj të gjithëve shëndet dhe lumturi, dhe Vladimirit suksese të mëtejshme në këtë rrugë të bukur, të vështirë, por fisnike dhe dritëdhënëse.

Dimitrov Popoviq
Durrës, 24.2.2018

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.