Pak ditë përpara zhvillimit të panairit të librit në Tiranë në Muzeun Kombëtar u zhvillua promovimi i romanit “Simfonia e pambaruar” e shkrimtarit shqiptar Grigor Banushi. Ftesën e mora nga Shtëpia Botuese “Dituria”, e cila nuk më ka zhgënjyer ndonjëherë me titujt e sjellë në treg. Romanin e kisha lexuar disa ditë më parë dhe më kishte lënë mbresa të mëdha, e ku ka më mirë sa një libër që të ka pëlqyer ta kesh të firmosur nga vetë shkrimtari.

Një libër i mirë duhet të të ngjallë pyetje dhe në këtë roman që në faqet e parë duke lundruar nëpër historinë me personazhin Adrian Mara një mori pyetjesh më lindën dhe kur kisha përfunduar leximin, një pjesë prej atyre përgjigjeve i dija dhe një pjesë i zbulova me kalimin e kohës.

Ngjarja është dyshuese që në faqet e parë kur nis një hetim nga Komisari Byzh, për rrahjen e rëndë që i kanë bërë dikujt në një nga zonat ku ai punonte. Nga hetimi ai zbulon se viktima është me kombësi shqitare, se quhet Adrian Mara dhe se ka vite që jeton në Paris, si kompozitor dhe dirigjent orkestre. Fillon dhe historia e Adrian Marës, një njeriu gjithmonë në arratisje për jetën e tij, por shpesh dhe nga vetë vetja. Në këtë roman do t’i gjeni pak nga të gjitha. Do të gjeni dashurinë, muzikën, idealet, intrigat, tradhëtitë, dramën dhe padyshim tragjiken e njeriut që ka humbur lirinë vetjake, duke e konsideruar atë si pronë të të gjithëve.

A ia dolën të mbarojnë simfoninë e jetës së tyre ata që guxuan të sfidojnë jetën me gjithë qënien e tyre? Kur i largohemi ferrit, a kemi gjetur rrugën drejt parajsës apo është një lloj tjetër ferri që na pret akoma dhe më dhunshëm?

Simfonia e pambaruar është ndër të paktët thriller psikologjik të sjellë në shqip nga shkrimtar shqiptar. Historia e një burri që sfidoi gjithë sistemet që koha i solli përpara. Një burrë që tregon jetën e tij nëpërmjet çdo personazhi që në formë të drejtpërdrejtë ose jo, ia ndryshoi jetën. Histori që zhvendosen nga Franca në Shqipëri e në Gjermani ku dashuria për jetën dhe lirinë e të qënurit vetvetja është më e fortë se çdo formë dhune.

Fragment nga libri:

Pianistin e njihte. Këtë arriti t’a konstatonte vetëm me vesh. Madje, për ta kapur më mirë, iu desh të mbyllte sytë disa herë. Analizoi me kujdes dhe me shpejtësi lëvizjet e duarve, manovrimin e pedalit, vallëzimin e gishtave mbi tastierë, mënyrën e veçantë se si lëvizte në çaste të caktuara dhe arriti në përfundimin e dytë, të fundmin. Instinkti e bëri të shfrynte, të shprehte fitoren, triumfin.

Nuk u përmbajt dot dhe tha me zë: “Mikel Budini!”. Me droje pa dy burrat që po e vëzhgonin. Kishin vështrim të egër. E përmblodhi veten dhe përsëriti me zë të ulët: “O Zot, Mikel Budini!”

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.