Kur e kam lexuar këtë novelë të shkurtër, kam qenë trembëdhjetë vjeçe, po aq sa vajza e kësaj historie dashurie dhe jam mahnitur, por dhe tronditur në të njëjtën kohë. E mora në bibliotekën e shkollës dhe e lexova me një frymë, pa e kuptuar dhe vetë sa më kishte përfshirë ai libër me disa faqe, njëlloj si të ishte një dimension i  ri i dalë nga ajo histori. Kësaj novele i jam rikthyer disa herë dhe në moshë më të madhe dhe kjo është dhe arsyeja pse po e ndaj me lexuesit e mi sot.

Në këtë novelë, Cvajg ka arritur që të ngrejë një histori madhështore dashurie, që fillon në momentin kur personazhi ynë kryesor, zhvendoset në ndërtesën ku banonte kjo vajzë trembëdhjetëvjeçare.  Që nga ai çast lind një dashuri e jashtëzakonshme, që rritet dhe kultivohet vetëm brenda një vajze. Me kalimin e viteve bëhet dhe e prekshme dhe fizike, por kurrë e kuptuar dhe e jetuar.

Novela merr fill nga letra  e një të panjohure e dërguar këtij “romancieri” pikërisht pasi ai është kthyer nga një udhëtim nga Viena, ditën e ditëlindje së tij. Që në vargjet e para të letrës, një tronditje vjen për lexuesin, por dhe vetë romanicierin.

“Ty që s’më ke njohur kurrë.” Ja, në këtë mënyrë i drejtohet letra. Dhe e Panjohura—pa emër, pa mbiemër, pa adresë, pa asgjë, fillon rrëfimin e vet:

Djali më vdiq dje. Kam luftuar tre ditë e tre net me vdekjen për këtë fëmijë të vogël e të brishtë. I kam ndenjur te koka dyzet orë rresht, ndërkohë gripi dhe ethet po ia sfilitnin trupin e gjorë e të vockël…dhe erdhi vdekja dhe e mori në kthetrat e saj.”

Hap pas hapi kjo grua në buzë të vdekjes, e cila sapo ka humbur të vetmen shpresë që e mbante gjallë dhe ka luftuar me vdekjen e fëmijës së saj, kërkon për herë të njihet nga burri që e dashuroi gjithë jetën, por kurrë nuk deshi t’a njihte dhe pse ndau shtratin me të disa herë.

Nga paragrafi në paragraf, tronditja rritet dhe bëhet akoma më e madhe. Zbulon sesi një njeri mund të dashurojë në fshehtësi dhe të ngrejë një kult kësaj dashurie, pa krijuar pritshmëri, kushte apo qoftë dhe të njihet. Nëpërmjet kësaj novele dhe pjesës tjetër të tyre që ndodhen të përmblëdhura në dy vëllime nga Shtëpia Botuese Argeta, iu do njihni një botë të jashtëzakonshme dhe plot surpriza.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.