Federico Garcia Lorka: Fjala ne perurimin e bibliotekes se fshatit te tij Fuente Vaqueros 1931.

0
82

Kur dikush shkon në teatër, në një koncert a në një festë çfarëdo lloji, nëse shfaqja i pëlqen i bien menjëherë ndër mend njerëzit e tij të dashur edhe i vjen keq që nuk ndodhen edhe ata aty. “Sa do t’i pëlqente kjo sime motre, tim eti…”, mendon dhe e shijon atë shfaqje me një ndjenjë malli për ta. Ky është malli që unë ndiej jo për njerëzit e shtëpisë sime, që do të ishte i vogël e meskin, por për të gjitha qeniet njerëzore që për shkak të mungesës së mjeteve dhe për fatin e tyre të keq nuk shijojnë pasurinë supreme të bukurisë, që është jetë dhe është mirësi dhe është qetësi dhe është pasion. Prandaj nuk kam kurrë një libër, sepse i dhuroj gjithë sa ble, libra pa fund, dhe prandaj jam këtu i nderuar e i kënaqur të përuroj këtë bibliotekë të fshatit, me siguri e para në gjithë krahinën e Granadës.

Jo vetëm me bukë jeton njeriu. Unë, po të kisha uri dhe të isha i mbetur në rrugë, nuk do të kërkoja një bukë, por do të kërkoja gjys’ buke dhe një libër. Dhe prej këtu i sulmoj ashpërsisht ata që flasin vetëm për rivendikacione ekonomike pa i përmendur kurrë rivendikacionet kulturore, për të cilat popujt kanë nevojë të domosdoshme. Nuk mjafton që gjithë njerëzit të hanë, por që gjithë njerëzit të dinë. Që gjithë të gëzojnë frytet e shpirtit njerëzor, sepse e kundërta do të thotë t’i shndërrosh ata në makineri në shërbim të shtetit, do të thotë t’i kthesh në skllevër të një organizimi të tmerrshëm social.

Mua më vjen shumë më keq për një njeri që do që të dijë dhe nuk mundet sesa për një njeri që ka uri. Sepse një njeri që ka uri mund ta shuajë urinë lehtë me një copë bukë, kurse një njeri që ka dëshirë të dijë dhe nuk i ka mjetet vuan një agoni të tmerrshme ngase i duhen libra, libra, shumë libra, dhe ku t’i gjejë ata libra?

Libra! Libra! Ja një fjalë magjike që është baras si të thuash “dashuri, dashuri” dhe që popujt duhet ta kërkojnë siç kërkojnë bukën ose siç lusin shiun për të mbjellat e tyre. Kur shkrimtari i shquar rus Fjodor Dostojevski, at i Revolucionit rus më shumë se Lenini, ishte i syrgjynosur në Siberi, i veçuar bote, i mbyllur mes katër muresh e i rrethuar prej hapësirash të ngrira pa fund e anë, në letrën familjes së tij të largët i kërkonte ndihmë duke i shkruar: “Dërgomëni libra, libra, shumë libra, që shpirti të mos më vdesë!” Mardhte nga e ftohta dhe nuk këronte zjarr, kishte etje dhe nuk kërkonte ujë, kërkonte libra, domethënë horizonte, domethënë shkallë për t’u ngjitur në majën e shpirtit njerëzor. Sepse agonia fizike, biologjike, natyrore, e një trupi nga uria, nga etja a nga mardhja, zgjat pak, shumë pak, ndërsa agonia e shpirtit të pakënaqur zgjat për tërë jetën.

E ka thënë i madhi Menéndez Pidal, një nga me të vërtetë të diturit e Europës, që parulla e Republikës duhet të jetë “Kulturë”. Kulturë sepse vetëm nëpërmjet saj mund të zgjidhen problemet ndër të cilat sot përpëlitet populli gjithë besim, por pa dritë. Prandaj ju nuk e dini se ç’gëzim të madh më shkakton rasti për të përuruar bibliotekën publike në Fuente Vaqueros! Një bibliotekë nuk është një grumbullim librash të grupuar e të klasifikuar, por është një zë kundër injorancës, një dritë e përhershme kundër errësirës./Anton Blakja fb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.